Zidane: Te Juvja s'më donin, Lipi më ndihmoi
Ka pak rëndësi se e ka penguar për të fituar ndeshjen e fundit të karrierës së tij, që mund ta kishte kurorëzuar me një kampionat botëror historik. Pak rëndësi ka se, pikërisht në atë finale, i ka ngjitur nga pas një mbrojtës që e ka nxjerrë jashtë loje, në kuptimin e parë të fjalës, duke e shtyrë ta godiste me kokë Materacin në sytë e gjithë botës. Për Zinedin Zidanen trajneri më i mirë i botës është vetëm një, pavarësisht nga gjithçka: Marçelo Lipi. "Do t'i jem mirënjohës për gjithë jetën time," - ka thënë ish-lojtari bardhezi. Zidane i bën elozhe trajnerit të axurrëve që e ka stërvitur te Juventusi: "Nga gjithë trajnerët që kam pasur, vendin e parë e zë Marçelo Lipi. Eshtë ai që më ka bërë të vetëdijshëm për cilësitë që kisha për t'u bërë ai që u bëra. Në Torino, gjatë seancave përgatitore, nuk ndihesha aspak i përshtatur me ambientin. Të gjithë më kritikonin dhe më donin jashtë ekipit, nga lojtarët deri te drejtuesit e klubit, ndërsa ai më tha: "Dëgjo, jam unë trajneri, unë vendos dhe jam i sigurt që ti mund t'ia dalësh. Bëj atë që duhet të bësh!". Atëherë, në këtë pikë jam i detyruar t'i jem mirënjohës për gjithë jetën time. Nëse do të ikja menjëherë nga Torino, s'do të bëja karrierën që bëra".
ANJELI - Më pas, Zidane kujton edhe Xhani Anjelin: "Mund të ishte i ashpër në publik, por ndryshe privatisht. Më telefononte në gjashtë të mëngjesit dhe mjaftonin dy fjalë të tij për të më karikuar. Ishte një nga të vetmit njerëz që mund të më thoshte gjithçka dhe unë nuk ofendohesha. Ishte një zotëri i vërtetë. Ai ishte Juventusi, që sot i mungon shumë klubit, por jo vetëm atij," - ka përfunduar Zidane.
LIPI - "Del Piero për pak kohë do të qëndrojë në shtëpi, sepse për të dihet gjithçka. Dua ta rinovoj kombëtaren dhe të punoj me njerëz të rinj." Marçelo Lipi u ka dhënë kështu fund hipotezave për listën e lojtarëve që do të grumbullohen me rastin e ndeshjes Greqi-Itali (më 19 nëntor në Athinë). Del Piero do të mungojë, por, sipas kësaj logjike, do të mungojë edhe kundër Brazilit më 10 shkurt. Në pritje, Del Piero "i kishte shmangur" edhe ndeshjet me Bullgarinë dhe Malin e Zi. Arsyeja, e njëjtë: lojën e tij e njohin të gjithë. Edhe Kanavaro nuk ka sekret për njeri, por nuk ka munguar asnjë minutë në kombëtare. Duket sikur po rishohim filmin e ciklit të mëparshëm. Lipi thërret Aleksin në fund të shtatorit 2004 (Moldovi), më pas e lë jashtë 11 muaj (Irlandë, gusht 2005). Fjalët nuk nënkuptojnë se është i përjashtuar, por që bën pjesë te "lojtarët e sigurt". Në fillim Lipi do të kuptojë se kush mund ta zëvendësojë atë nga "të rinjtë që po përparojnë".
ZOTI ROSI - I riu është Xhiuzepe Rosi. Në sulm Lipi i ka, për momentin, idetë e qarta: Kamoranezi, Toni, Xhila, Di Natale janë të sigurt. Mbeten vetëm disa vende dhe në avantazh ndodhet Rosi, për të cilin tekniku ka konsideratë të madhe, sepse ai është i vetmi që mund të luajë në katër pozicione të ndryshme (në qendër, në krah, sulmues i parë dhe i dytë). Tjetri është Iakuinta.
AMAURI - Ndërkohë, Del Piro, Kualjarela, Pepe dhe të tjerët duhet të presin. Për Balotelin është shumë shpjet, për Kasanon ndoshta shumë vonë: fjalët "duhet të ëndërrojë kombëtaren, edhe kur trajneri e lë në shtëpi", duket se e kanë detyruar lojtarin të dorëzohet (të paktën, derisa nuk do të impenjohet edhe në fazën e mbrojtjes). Të gjitha këto në pritje të Amaurit, i cili mund të prishë hierarkitë e krijuara dhe të sugjerojë një Itali me tre sulmues "të vërtetë". Ashtu siç i pëlqen dhe Lipit.