Vidhet banesa në të gdhirë, policia në kërkim të autorëve
Një banesë në fshatin Libofshë të komunës me të njëjtën emër është vjedhur në orët e para të mëngjesit të së hënës. Ndërkohë që pronari Shkëlqim Grëmi e ka konstatuar ngjarjen vetëm mëngjesin e djeshëm. Vjedhja është kryer me thyerje dhe grabitësit kanë mundur të marrin 7 milionë lekë nga komoja e dhomës së gjumit. Pronari Shkëlqim Grëmi së bashku me familjarët kanë qenë për vizitë te disa të afërm në një fshat pranë me Libofshën. Kur janë kthyer në shtëpi Grëmët kanë konstatuar vjedhjen dhe kanë njoftuar menjëherë policinë. Kjo e fundit ka mbërritur pranë banesës ku ishte denoncuar vjedhja dhe pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, si edhe të rrethanave të tjera ka vërtetuar se vjedhja është kryer me anën e thyerjes dhe dëmtimit të një prej dyerve të shtëpisë. "Dyshohet se autorët i kanë ditur të gjitha hyrjet dhe daljet e shtëpisë që kanë zgjedhur atë rrugë për të realizuar vjedhjen. Megjithatë, në mjaft orendi të shtëpisë janë gjetur gjurmë të mjaftueshme gishtërinjsh, të cilët do të çojnë drejt gjetjes së autorit", thonë për "Shqip" burime nga grupi i hetimit. Ndërkohë, mësohet se Shkëlqim Grëmi ka deklaruar për policinë se shumën e madhe të lekëve ai e kishte marrë me qëllim blerjen e një banese të re në qytet. Një pjesë të tyre ai e kishte marrë borxh dhe një pjesë i kishte tërhequr nga banka, ndërkohë që një sasi të vogël e kishte siguruar nga kursimet familjare.
Ma. Tr.
Ma. Tr.