Vjedh shtëpinë e fqinjit, në pranga adoleshenti
Një adoleshent ka rënë në prangat e policisë, pasi është identifikuar si autor i vjedhjes së një banese në qytetin e Kuçovës. Burime të Komisariatit të Policisë së këtij qyteti bëjnë me dije se rreth orës 12.00 të së hënës, është arrestuar 14- vjeçari S. B., banor në qytetin e Kuçovës. Ai është identifikuar nga ana e ekspertëve të policisë si autor i vjedhjes së banesës së Bashkim K. në lagjen "11 Janari" të qytetit të Kuçovës. Sipas policisë, pronari i banesës denoncoi në polici vjedhjen e një shume prej 1400 eurosh dhe 17 mijë lekëve mëngjesin e djeshëm. Menjëherë pas marrjes së informacionit, ekspertët e policisë kanë kryer hetimet në vendin e ngjarjes, nga të cilat ka rezultuar se autori ka qenë 14-vjeçari S.B. Ky i fundit kishte arritur të futej në banesën e komshiut të tij me anë të njërës prej dritareve, nga ku më pas kreu vjedhjen e 1400 eurove dhe 17 mijë lekëve. Sipas burimeve të policisë, materialet e kësaj çështje mbërritën pranë organit të Prokurorisë së Vlorës, sektorit të të miturve, ku autori i dyshuar do të përballet me akuzën e "vjedhjes".
Mi.H.
Mi.H.