E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi i mjekut: S‘më dolën plumbat për të vrarë veten

Burg pa afat për autorin e vrasjes së mjekut Fatmir Thaçi. Ky ka qenë vendimi që kanë dhënë togat e zeza durrsake për vrasësin e mjekut 54-vjeçar, baba i dy vajzave. Mesditën e djeshme është zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Durrësit seanca e vlerësimit dhe caktimit të masës së sigurisë ndaj Ali Lorjas.

Me shenja pendimi dhe i heshtur është paraqitur në seancë autori i krimit që tronditi në mëngjesin e 2 tetorit spitalin e Durrësit. Organi i akuzës, i përfaqësuar nga prokurorja Elena Bakellbashki, i kërkoi trupit gjykues masën e sigurisë "arrest me burg" për të arrestuarin Lorja, i cili akuzohet për veprën penale të "vrasjes me paramendim" dhe atë të "armëmbajtjes pa leje".

Seanca ka zgjatur më pak se 10 minuta dhe gjatë saj i pandehuri Lorja ka qëndruar në heshtje. Më pas është pritur vendimi i gjyqtarit të seancës, Shpëtim Reka, i cili e ka vlerësuar të drejtë masën e sigurisë dhe ka mbështetur kërkesën e prokurores së çështjes, duke e lënë në burg 46-vjeçarin Ali Lorja deri në përfundim të hetimeve.

Vrasja e mjekut radiolog, Fatmir Thaçi, ndodhi mëngjesin e së premtes së kaluar në dhomën e tij të punës, në spitalin e Durrësit. Një lidhje e përfolur jashtëmartesore mes mjekut të vrarë dhe gruas së vetëhelmuar të autorit u bë shkak i dy krimeve të rënda që morën jetë njerëzore dhe lanë jetimë katër fëmijë.

Mësohet se në ambientet e policisë, 46-vjeçari Ali Lorja ka deklaruar se vrasja ka qenë e paramenduar dhe se pasi ka kryer krimin, ka dashur të qëllojë dhe mbi veten, por për fat të keq arma e tij nuk ka pasur më plumba. Ai ka pohuar se vrasjen e ka kryer për arsye xhelozie.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40 të së premtes së kaluar. Mjeku 54-vjeçar ka qenë duke punuar kur është vënë përballë Lorjas, bashkëshortit të një infermiereje që u vetëhelmua këtë verë, pas përfoljes për një lidhje intime me viktimën. Çdo ndërhyrje e kolegëve ka qenë e kotë. Vdekja e Thaçit ka qenë e menjëhershme për shkak të plumbave të marrë në kokë dhe nga afër.

Gruaja e autorit të vrasjes, Liljana Lorja, u nda nga jeta për shkak të presionit dhe dhunës së ushtruar mbi të. Afro 2 muaj më parë, më 7 korrik, menjëherë pas vetëhelmimit, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës nisi paraprakisht hetimet për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes. Kjo erdhi pas vetëhelmimit me fostoksinë të gruas 45-vjeçare të autorit, Liljana Lorja, nënë e dy fëmijëve.

Ndërkohë, në spitalin e Durrësit situata është ende e nderë. Personeli mjekësor ndjehet si i mpirë dhe duket se do kohë që gjërat të kthehen në normalitet. Njëri nga ata u vra në detyrë, ndërsa po konsultohej me një paciente. Shumë prej tyre kanë akoma ndër sy dhomën e radiologjisë të gjakosur, grafitë e zhytura në gjak dhe syzet e Fatmirit mbi tavolinën e punës. Te mjaft mjekë dhe infermierë janë shfaqur dhe probleme shëndetësore si rezultat i asaj që ndodhi në spital, atje ku mbrohet jeta, po që një histori e paqenë intime i mori jetën një mjeku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›