E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapen 400 vende pune për të diplomuarit jashtë

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Kthimi i trurit

Studentët të cilët kanë përfunduar studimet e larta jashtë vendit do të kthehen në atdhe për të dhënë kontributin e tyre. Janë hapur rreth 400 vende pune si pedagogë për këtë kategori të diplomuarish. Kjo është reforma më e fundit e ndërmarrë nga qeveria shqiptare. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi planin afatmesëm të veprimit të programit “Brain Gain” (Kthimi i Trurit), për periudhën 2008-2009. Si fillim janë identifikuar 20 vende në administratë me gradën “Doktor Shkencash”. Por studentët që janë diplomuar në universitetet e huaja do të konkurojnë ehde për 400 vende të lira për pedagogë kryesisht në Universitetin e Tiranës. “Kjo është një reformë nga e cila nuk do të hiqet dorë asnjëherë. Janë identifikuar rreth njëzet pozicione në administratë që kërkojnë nëpunës me gradën “Doktor Shkencash”, por kjo ende është një shifër e ulët. Mendoj se duhet të jetë më shumë, sepse për këtë arsye u miratuan rreth 400 vende të reja për pedagogë në universitete”, u shpreh kryeministri. Gjithashtu në kuadër të përpjekjeve serioze që qeveria po bën për të investuar mbi dijen, Kryeministri përmendi edhe Fondin e Ekselencës për të mbështetur me bursë ata të rinj që do të fitojë të drejtën e studimit në një nga dhjetë universitetet më të kuotuara të botës. Plani i veprimit ka për qëllim përshpejtimin e ritmit të punës dhe krijimin e një klime nxitëse, për realizimin e objektivave “Brain Gain”, një nismë kjo e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me UNDP-në për të tërhequr të gjithë ata që kanë mbaruar studimet në universitetet jashtë vendit për të dhënë kontributin e tyre në vend. Kryeministri Berisha në fjalën e tij u shpreh se kjo është një reformë e cila do të vazhdojë. Në bazë të këtij vendimi kryeministrisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2008, i shtohet fondi 24 400 000 (njëzet e katër milionë e katërqind mijë) lekë, për mbulimin e pjeshëm të efekteve financiare, të vitit 2008, për planin afatmesëm të veprimit të programit “Brain Gain”, i cili do të bashkëfinancohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Berisha: Të zgjerohet arsimi profesional
Fuqizimi i arsimit profesional dhe përshtatja e arsimit me kushtet e tregut janë sfidat e mëdha të sistemit arsimor shqiptar. Kryeministri konsideroi se një nga sfidat e mëdha të arsimit sot është fuqizimi i arsimit profesional në funksion të përshtatjes së tij me kushtet e reja të tregut. “Një nga problemet madhore dhe sfidat e mëdha është përshtatja e arsimit me tregun. Kjo përshtatje kalon së pari, nëpërmjet fuqizimit dhe drejtimit profesional të tij. Arsimi profesional ka një rënie të madhe, por këto vitet të fundit ka marrë kthesën e vërtetë reale. Shqipëria duhet të arrijë standardet e vendeve të BE-së në raportet arsim i përgjithshëm-arsim profesional. Ana tjetër është përshtatja e të gjitha degëve dhe fakulteteve me kushtet e reja të tregut.” Në këtë drejtim, Kryeministri përshëndeti themelimin e Akademisë Profesionale në Durrës, si një institucion jashtëzakonisht të rëndësishëm në përmbushjen e këtij qëllimi. Kryeministri theksoi se qeveria është angazhuar në ndërtimin e një zinxhiri konviktesh të reja në disa rrethe të thella të vendit, në mënyrë që çdo fëmijë që mbaron shkollën 9-vjeçare, nga çdo zone apo fshat i vendit, t u jepet mundësia të studiojnë aty ku janë shkollat e mesme.
Ky lajm është publikuar: 31/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›