E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdesi për veshin e qelbëzuar të fëmijës

Autori i Lajmit: red.
Infeksionet në vesh janë të zakonshme tek fëmijët, sepse tubat e veshit janë të ngushtë dhe horizontalë kështu që mezi thahen, duke bllokuar veshin e mesëm. Ato duhen mjekuar menjëherë, sepse ekziston rreziku që qelbi i mbledhur të grumbullohet dhe të çajë daullen e veshit, duke përhapur kështu infeksionin deri në kockën pas veshit (mastoide) e në cipën e trurit.
VESHËT ME DYLLË
Dylli i veshëve prodhohet nga gjëndra në kanalin e veshit të jashtëm dhe mbron veshin nga pluhuri dhe infeksioni. Tek fëmijët prodhohet më shumë dyll nga një e ftohur apo nga një fyt i thatë dhe nëse ky dyll thahet dhe forcohet, mund të çojë në humbjen e dëgjimit. Megjithëse zakonisht kjo nuk është serioze, më mirë flisni me mjekun.
Shenjat: Dylli i veshit mund të bëhet i fortë dhe sjell ulje të dëgjimit, një ushtim tingulli në kokë apo fëmijës i duket sikur veshi i jashtëm është i mbushur me diçka. Ju mund ta shikoni vetë dyllin e formuar.
Trajtimi: Ilaçi me pika në vesh përdoret për të zbutur dyllin e fortë, duke e lënë që të dalë jashtë gjatë natës tek pambuku që duhet të vendosni në hapjen e kanalit. Asnjëherë nuk duhet të fusni diçka në veshin e fëmijës për ta pastruar, as gishtin apo pastruesin e veshit (kunja me pambuk). Ato vetëm do ta shtyjnë më shumë dyllin, apo do të dëmtojnë veshin.
INFEKSIONI I VESHIT TË JASHTËM
Kanali që çon tek daullja e veshit mund të infektohet duke u pastruar me forcë apo duke u kruar, si edhe nga prania e një trupi të huaj në vesh. Kjo mund të jetë e dhimbshme, por nuk është problem serioz.
Shenjat: Fëmija do të ankohet për dhimbje veshi dhe kanali dhe llapa e veshit mund të jenë të skuqura. Ju mund të vini re edhe qelb. Nëse fëmija ka shumë dhimbje, duhet dyshuar se brenda kanalit të veshit mund të jetë formuar një enjtje.
Trajtimi: Trajtimi në shtëpi përfshin mbajtjen pastër të veshit dhe kurimin me paracetamol, për të hequr dhimbjet dhe për të ulur temperaturën. Mjeku mund t ju japë antibiotikë apo ilaç me pika. Çdo trup i huaj
në vesh, apo çdo e enjtur duhet të trajtohet në spital.
INFEKSIONI I VESHIT TË MESËM
Infeksioni i veshit të mesëm është i zakonshëm tek fëmijët. Infeksioni shkaktohet nga bakteret që futen në vesh nga hunda apo nga fyti, nëpërmjet tubave. Nëse ky infeksion nuk kurohet, mund të shkaktojë humbje të dëgjimit përgjithmonë. Një fëmijë në tre vuan nga ky infeksion në vesh që në shumicën e rasteve, shfaqet pas një dhimbje fyti ose ftohje. Pse është kaq e shpeshtë në vitet e para të jetës? Arsyeja është e thjeshtë. Tek fëmijët, sidomos më të vegjlit, pjesa që lidh fytin me veshët, është shumë e shkurtër dhe e ngushtë
dhe bllokohet më lehtë. Pra rrjedhjet e lëngshme të hundëve shkaktojnë infeksion dhe mund t i hapin
rrugën kështu baktereve. Këto baktere infektojnë mukozën duke e kthyer në qelb që, duke shtypur
murin e timpanit, shkakton një dhimbje të menjëhershme.
Shenjat: Shenjat më të përgjithshme janë një dhimbje e madhe veshi dhe humbje e oreksit. Fëmija mund të ketë ethe dhe mund të mos dëgjojë. Një fëmijë me infeksion mund të jetë i stresuar dhe të kruajë fort veshin, i cili do të jetë shumë i skuqur. Ai mund të ketë edhe shenja të tjera si për shembull mungesë oreksi,
diarre dhe të vjella.
Si dallohet: Dhimbja e veshit është vërtet shumë e fortë dhe fëmija, nëse është i madh do të ankohet shumë. Nëse fëmija është shumë i vogël dhe ende nuk di ta shprehë problemin e vet, do të qajë pa pushim.
Për t u siguruar që bëhet fjalë pikërisht për otit, provoni të shtypni pak veshin e fëmijës dhe fëmija do
të bërtasë menjëherë nga dhimbja. Shenja të tjera janë mungesa e oreksit, të vjellat dhe temperatura e lartë: nëse këto shfaqen menjëherë pas një të ftohure ose një faringiti, ka shumë mundësi të jetë një infeksion në vesh.
Në pritje të pediatrit
Mbi të gjitha, mos i jepni pika kundër dhimbjes së veshit pa këshillën e mjekut, edhe pse mund t jua kishte këshilluar më parë. Për të lehtësuar dhimbjen, lëreni fëmijën të pushojë me veshin mbështetur mbi një borsë uji të vakët, të mbështjellë me një peshqir. Nëse fëmija është i vogël, mund të përdoret shumë mirë dhe një rrobë e butë e ngrohur. Nëse dalloni rrjedhje qelbi, mos vendosni asgjë në veshin e fëmijës, por përkulni kokën e tij mbi një pecetë të pastër: do të rrjedhë vetë.
Si kurohet: Pediatri, pasi ka vizituar veshin, mund të këshillojë një antibiotik për të larguar infeksionin
dhe pika ose suposta për të larguar dhimbjen. Nëse otiti përsëritet shpesh, mund të këshillojë kura parandaluese.
VESHI NGJITËS
Jepini rëndësi, mund të shkaktojë shurdhim
Nëse fëmija ka infeksione të përsëritura në veshin e mesëm, ai fillon të mbushet me një lëng si
qull (xhelatinoz). Meqenëse ky lëng nuk mund të thahet nëpërmjet tubave, ai bëhet si ngjitës dhe
pengon dëgjimin, sepse tingujt nuk kalojnë nga veshi i mesëm në veshin e brendshëm. Ky problem
duhet marrë seriozisht, se e ngadalëson fëmijën në të mësuar dhe të folur.
Shenjat: Nuk ka dhimbje, por ulje të dëgjimit dhe fëmijës i duket sikur e ka veshin të mbushur me diçka. Një fëmijë me këtë sëmundje mund të flejë me gojë hapur, të gërrhasë dhe të flasë me zë hunde. Nëse
nuk kurohet shkakton shurdhim, që çon në probleme të të folurit.
Trajtimi: Lëngu mund të thahet vetë pas disa javësh. Mjeku mund t ju japë ilaçe për të ndihmuar tharjen. Nëse lëngu nuk pastrohet mund të rekomandohet operacion, gjatë të cilit bëhet një vrimë e vogël në daullen
e veshit për të nxjerrë lëngun, pastaj mund të vendoset një tub i hollë plastik, që lejon lëvizjen e
ajrit në veshin e mesit. Çdo lëng që formohet mund të thahet nëpërmjet këtij tubi. Tubi zakonisht
bie pas disa muajsh dhe daullja e veshit shërohet. Në disa raste tubi duhet të vendoset prapë, nëse
lëngu mblidhet përsëri. Doktorët zakonisht këshillojnë që fëmijët nuk duhet t i lajnë veshët deri në 6
javë pas operacionit, por pas kësaj mund të bëjnë ç të duan.
Si mund të parandalohen infeksionet e veshit?
Nuk ka këshilla të vecanta për parandalimin e infeksioneve të veshit. Një këshillë mund të jetë që, në rast se fëmija juaj preket shumë shpesh nga kjo semundje, mundohuni që veshët t ia mbani ngrohtë dhe të mbështjella gjatë stinës së dimrit.

DHIMBJA E FYTIT
Bajamet, sëmundjet tipike të fëmijëve shkollarë
Dhimbja e fytit mund të jetë pasojë e irrituesve si tymi dhe ajri i thatë
Është shenja më e shpeshtë e infeksionit që mund të godasë një nga zonat e fytit: nga bajamet tek faringu. Përgjegjës janë në përgjithësi viruset dhe bakteret, por ndonjëherë dhimbja e fytit mund të jetë një reagim ndaj irrituesve si pluhuri, tymi, smogu (ajri i ndotur) dhe ajri shumë i thatë. Infeksionet e fytit, të tilla si bajamet/ tonsilitis, janë të rralla tek fëmijët nën një vjeç. Ato janë më të zakonshme tek fëmijët që sapo
kanë filluar shkollën dhe që ekspozohen në një shkallë më të madhe ndaj baktereve.
Si dallohet: Mjafton të hapësh gojën e fëmijës dhe dallohet një fyt i skuqur, me bajamet që mund të jenë skuqur gjithashtu. Nxirrini gjuhën jashtë dhe bëjeni të thotë: “Aaaaaa”, për të parë. Fëmija ka dhimbje kur
gëlltitet, mund të thotë se e ka fytin e tharë, mund të ketë temperaturë, kollë, ulje zëri.
Si të ndërhyjmë: Nëse është një dhimbje e zakonshme fyti që nuk shkakton gjendje të keqe fizike të përgjithshme, është e mjaftueshme t i jepen pije të freskëta dhe në përgjithësi ushqim të lëngët. Në të kundërt, po pati temperaturë, dhimbje të theksuar dhe vështirësi në frymëmarrje, është e nevojshme të thirret pediatri,
që do të japë kurën më të përshtatshme.
Bajamet, shpeshherë me natyrë virale
Këto organe të vogla në formë bajamesh, që gjenden në fund të fytit, formojnë një unazë të vërtetë mbrojtëse. Detyra e tyre është të pengojnë bakteret dhe viruset. Pra, nuk është për t u habitur që skuqen dhe kjo ndodh shpesh tek fëmijët mbi dy vjeç. Bajamet, që janë të vogla në lindje, zhvillohen në vitet e para të jetës për të ndihmuar trupin të mbrohet nga infeksionet. Është normale pra, që një fëmijë në moshë parashkollore mund të ketë gjatë dimrit 4-5 episode të mprehta të bajameve.
Pjesa më e madhe e skuqjeve të bajameve është me origjinë virale (rreth 70 %). Shfaqet me temperaturë
të lartë (38.5-39 gradë), dhimbje fyti dhe skuqje të lehtë të bajameve. Këto shenja lehtësohen që nga dita
e dytë për t i lënë vendin ftohjes, kollës së thatë dhe pastaj rrjedhjes së ujshme të hundëve. Kura parashikon pothuajse ekskluzivisht përdorimin e mjekimit kundër temperaturës për ta ulur atë. Brenda një jave, shqetësimi zhduket. Vetëm 30 % e bajameve bëhen nga bakteret. Por t i dallosh, nuk është gjithmonë e thjeshtë: temperatura shkon mbi 39 gradë dhe vazhdon për të paktën dy ditë; bajamet duken të zmadhuara dhe shumë të skuqura. Gjëndrat në anë të nofullave janë rritur. Pediatri mund të sigurohet për tipin e bakterit duke vendosur një pambuk në fund të fytit (Kujdes! Ky është një veprim që i lejohet vetëm mjekut të specializuar dhe jo familjarëve). Është e rëndësishme të përjashtohet prania e një bakteri veçanërisht të rrezikshëm:
Streptokoku beta-hemolitik i grupit A
Ai është i vetmi që mund të shkaktojë, për fat të mirë shumë rrallë, probleme të rënda si temperatura reumatike, ose infeksioni në veshka. Gjithashtu, duke dalluar bakterin, pediatri mund të përshkruajë antibiotikun më të mirë pasi ka bërë antibiogramën (analizë e rekomanduar nga mjeku).

Kur hiqen tonsilet?
Më parë mjaftonin disa shqetësime të bajameve dhe mjekët vendosnin t i operonin. Sot mjekët përpiqen
t i ruajnë sa më shumë të jetë e mundur këto organe mbrojtëse të vogla, por shumë të dobishme.
Heqja
bëhet vërtet e nevojshme kur:
-Bajamet zmadhohen, aq sa bëjnë të vështirë frymëmarrjen dhe gëlltitjen.
-Inflamacionet bakteriale janë më shumë se 7 në një vit dhe antibiotikët nuk iu bëjnë asgjë.
-Formohen çibanët e qelbëzuar të bajameve, që shkaktojnë temperaturë të lartë dhe dhimbje fyti
Te fëmijët e vegjël, kanalet e kalimit të ajrit, sinuset, veshët, hunda dhe fyti janë një sistem i
vetëm, sepse tubat janë shumë të shkurtra. Infeksionet e kraharorit mund të shkaktohen nga çdo lloj
infeksioni në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Këto infeksione janë gjithmonë serioze. Rrugët e
ajrimit janë aq të ngushta, saqë frymëmarrja bëhet e pjesëshme dhe mund të zhvillohet pneumonia.
Nëse frymëmarrja e fëmijës vështirësohet, thërrisni menjëherë mjekun.
Ky lajm është publikuar: 31/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›