E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimet me zgjedhje, 27 maturantë nuk gjejnë emrat në lista

Autori i Lajmit: red.
Nuk e kanë gjetur emrin në listat e provimeve me zgjedhje ndaj janë ankuar me një letër në adresë të Kryeministrisë. Janë 27 maturantë nga rrethet, kryesisht nga Saranda të cilët nuk e kanë marrë rezultatin e provimeve të fundit të Maturës Shtetërore. Nxënësit të cilët rrezikojnë shkollën e lartë kanë bërë kallëzim penal për drejtorin e Drejtorisë Arsimore dhe shkollës ku kanë kryer arsimin e mesëm duke i akuzuar të dy drejtorët për shpërdorim detyre. Mësohet se A.Bajo, njëra prej maturanteve i ka nisur një letër kryeministrit të vednit Sali Berisha për çështjen e mungesës së emrit në listën me rezultatet e provimeve me zgjdhje. Sipas vetë rregullores së shpallur nga MASH maturantët kanë të drejtë të ankohen për gabime sipas një strukture të caktuar shkallë-shkallë në sektorët e arsimit. Si fillim ata duhet të ankohen pranë gjimnazit ku dhe kanë kryer arsimin e mesëm dhe më pas vetë shkolla duhet të ndjekë më tej procedurën deri në sqarimin e plotë të paqartësive. Burime nga MASH sqarojnë se rruga zyrtare e kontestimit kalon nga shkolla, në DAR / ZA dhe vjen zyrtarisht në APRIAL. Kjo për arsye se janë këto institucione arsimore kompetente për kontrollin dhe konfirmimin e ndryshimit të një të dhëne të secilit nxënës të rrethit të tyre. Pasi të merren kontestimet dhe të realizohen ndryshimet e argumentuara zyrtarisht, në dhjetëditëshin e parë të shtatorit, parashikohet të bëhet përcaktimi i fituesve të fazës së parë. Edhe këto lista do të publikohen nëpër shkolla, nëpërmjet DAR/ZA. Njëkohësisht listat e fituesve të fazës së parë do t i jepen edhe të gjithë IAL-të. Të gjithë ata kandidatë për studentë, pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore, kanë mundësi të verifikojë të gjitha të dhënat dhe të kontestojë pasaktësitë e mundshme në teste edhe nëpërmjet "Librit të Transparencës", cili do të përmbajë pikët e fituara nga çdo student për secilën nga kërkesat që ata kanë paraqitur për të vazhduar Arsimin e Lartë. "Libri i Transparencës" do të vihet në dispozicion të Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore të rretheve, për t u publikuar në shkolla.
Ky lajm është publikuar: 31/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›