Hapen 50 vende të reja pune në administratë
Rritet numri i punonjësve në administratën publike. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje shtimin e 50 vendeve të reja të punës në administratën publike për vitin 2009. Zgjedhjet e 28 qershorit nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim radikal në muajin shtator, kur do të ngrihet edhe kabineti i ri qeveritar, por pavarësisht kësaj, nëpunësit e ministrive kanë qenë të trazuar nga frika e vendit të punës, nga fakti se në dikasterin ku ata punojnë vjen në krye një nga përfaqësuesit e aleatëve. Kreu i ekzekutivit premtoi se do të hapë edhe 80 mijë vende pune, duke filluar menjëherë nga puna, përpara ndërtimit të qeverisë së tij të re, duke ndezur dritën jeshile për 50 veta nga 80 mijë që presin të realizohet premtimi i kreut të PD-së. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10 të ligjit nr. 10025, datë 27.11.2008, "Për buxhetin e vitit 2009", me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi se numri i përgjithshëm i punonjësve buxhetorë, për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore, të bëhet "89881 veta". Administrata pritet të mbushet me 50 të punësuar më shumë, ndërkohë që ndarjet e reja të posteve të ministrave në shtator do të sjellë një tjetër përzierje brenda institucioneve. Qeveria vendosi dje që numri i të punësuarve nga 89831, të bëhet 89881.
Ky vendim do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Ky vendim do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.