Hapen dosjet e 97, dy në pranga
Burrel- Policia e Burrelit në një operacion të befasishëm nën kodimin “Kujtesa” ka vënë nën pranga dy shtetas nga dy fshatra të Matit. Aksion që ka ardhur pas hapjes së disa dosjeve të vitit ’97, e më tej që ishin sigluar si të mbyllura për mungesë autorësh prej vitesh, por që rihapja e tyre ka risjellë në skenë autorë të dyshuar.
Flitet për katër dosje të rihapura kohët e fundit nga prokuroria e rrethit gjyqësor të Burrelit, dhe njëra ndër to bën fjalë për ngjarjen e bujshme të ndodhur në fshatin Vig në 23 qershor të vitit 1997 kur në shtëpinë e saj është gjetur e ekzekutuar Zinete Buci. Në kushtet e mungesës së shtetit në këtë zonë të militarizuar dhe me shume vrasje e precedentë të tjerë të jashtëzakonshëm penal, dosja për vrasjen e saj u mbyll pa autorë të dyshuar. Por që pas hetimeve të kryera rishtas duket se prokuroria ka gjetur elementë që implikojnë dy shtetas, të cilët dhe i ka arrestuar sot si t ë dyshuarit kryesorë të vrasjes së Zinete Bucit.
Ngjarja nisi kur në shtëpinë e tij u gjet i vrarë Rustem Buci, bashkëshorti i Zinetes, dhe sipas burimeve policore njerëzit e familjes dhe të afërm të tij kanë dyshuar pikërisht tek gruaja për krimin e kryer. Ndaj tri ditë pas varrimit të Rustemit, dyshohet se persona të afërm të saj janë hakmarrë duke ekzekutuar pikërisht gruan e Rustemit, Zinete Buci.
Pikërisht 11 vite më pas, pas hetimeve, policia vendore e inicuar nga Drejtoria e Krimeve të Rënda dhe prokuroria e këtij rrethi gjyqësor ka arrestuar si autorë të dyshuar 41 vjecarin Bujar Buci në fshatin Vig të Matit, i cili është vëllaj i burrit të Zinetes si dhe 44 vjecarin Ylber Karaj, që është dajo i Bujarit dhe bashkëshortit të Zinetes, ndërsa ëshët shpallur në kërkim R.Buci i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë krim.
Policia i kaloj materialet prokurorisë e cila ditën e nesërme do të kërkojë dhe masën e arrestit në gjykatë për dy personat e arrestuar, dhe për të cilët tashmë ka hapur një dosje hetimesh si të dyshuar për vrasjen e Zinete Bucit në qershor të vitit 1997.