E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapen mes lotësh Lojërat Olimpike Dimërore

Autori i Lajmit: Redaksia
Vankuver - Një ceremoni madhështore mund të konsiderohet ajo e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore që pas spektaklit marramendës të Lojërave Verore Pekin 2008, nuk ishte një barrë e lehtë për Kanadanë, sidomos në kushtet e krizës aktuale. Megjithatë, Kanadaja do të mbështetej tek talentet e saj botërore, si aktori i ekranit të madh, Donald Sutherland (i cili do të këndonte këngën e kanadezit legjendar Leonard Cohe “Hallelujah”), si dhe këngëtarët Bryan Adams e Nelly Furtado. Gjithsesi, ceremonia do ti kushtohej kujtimit të gjeorgjianit të vdekur në një incident gjatë stërvitjes në pistë. Pak para nisjes së ceremonisë, në ekranet gjigante shkruhej emri i Nodar Kumaritashvili, djaloshit të humbur tragjikisht në prova. Pastaj ka filluar shou me hyrjen e akrobatëve dhe snowboarderve në një pistë rrëshqitjeje vendosur poshtë pesë rrathëve olimpikë. Lot dhe duartrokitje për delegacionin gjeorgjian. Gjeorgjia do të vendoste kështu përfundimisht pjesëmarrjen e saj në Lojërat e Vancouverit (Vankuver), pavarësisht vdekjes së snowboarderit Nodar Kumaritashvili. Atleti gjeorgjian Nodar Kumaritashvili, 21 vjeç, ka gjetur vdekjen gjatë provave. 21-vjeçari po i afrohej kthesës finale me pajisjen rrëshqitëse në një korsi rrotulluese kur u përplas duke dalë jashtë slitës rrëshqitëse dhe goditur kokën në një shtyllë metalike. Gjatë kohës së aksidentit slita kishte shpejtësinë e 90 kilometrave në orë. Për presidentin e Komitetit ndërkombëtar Olimpik, Zhak Roge, kjo ngjarje është një tragjedi që do të lërë shenjë. Ashtu si ia tha botës nga Kanadaja poeti i ceremonisë: "We are the True North, strong and free. Whats more, we didnt just say it, we made it be." (Ne jemi Veriu i Vërtetë, i fortë dhe i lirë. Për më tepër, ne nuk e thamë këtë, ne e bëmë këtë”. Gjeorgjianëve u kanë shkuar ngushëllime nga e gjithë bota për atletin e humbur tragjikisht. Hyrja e ekipit kanadez do të ngrinte stadiumin në këmbë, teksa qytetarët e vendit 34 milionësh mezi presin që atletët e tyre ta fitojnë medaljen e parë të Lojërave Olimpike Dimërore në shtëpinë e tyre. “Ne jemi shumë të tronditur për gjithçka ka ndodhur tha Rogge. Ngushëllimet tona më të sinqerta i shkojnë familjes, miqve, shokëve të ekipit dhe bashkatdhetarëve të tij”. Edhe pse doktorët gjendeshin në pistë për ti dhënë ndihmën e parë atletit gjeorgjian, duke u përpjekur ta mbanin në jetë me masazh kardiovaskular, deri sa erdhi ambulanca, ata nuk ia arritën dot. Emocionale ishte dhe konferenca e shefit të Lojërave Olimpike, Zhak Roge, i cili nuk i mbajti dot lotët gjatë konferencës për shtyp. “Kjo është një ditë e trishtuar. Këtu pamë ti ndërpritej në mes ëndrra e tij për të ndjekur pasionin. Ai kishte një ëndërr, që të merrte pjesë në Lojërat Olimpike. Kishte punuar shumë për të arritur deri këtu dhe i ndodh ky aksident fatal. Nuk kam më fjalë për të thënë dhe për të shprehur ndjenjat”. Edhe pse u fol për një shtyrje të fillimit të aktivitetit, organizatorët vendosën që gjithçka të zhvillohej sipas axhendës. Pas hetimeve të para, organizatorët dolën në konkluzionin se këndi dhe shpejtësia e marrjes së kthesës ishin shkaktare të aksidentit. Gjatë paradites së djeshme ishin parashikuar dhe stërvitjet e fundit përpara hapjes së ceremonisë. Në ceremoninë që zgjati 2 orë e gjysmë, në stadiumin British Kolumbia Plejs, ishin të pranishëm 55 mijë spektatorë. Kjo ishte hera e parë në historinë 86-vjeçare të Lojërave Olimpike Dimërore, që ceremonia e hapjes u mbajt në stadiumin e mbyllur. Flakën olimpike e ndezën katër sportistë kanadezë – paraolimpisti Rik Hansen, basketbollisti Steve Nash, vrapuesja me patina Catriona LeMay Doan dhe hokeisti Wayne Gretzky. Në defileu ishin mbi 2 500 sportistë nga 82 vende të botës, që është pjesëmarrje rekorde për numrin e shteteve. Për herë të parë në lojëra olimpike u paraqitën Ishujt Kajmanë, Kolumbia, Gana, Mali i Zi, Pakistani, Peruja e Serbia. Ndonëse jashtë stadiumit ishin tubuar disa qindra protestues, u shmangën përleshjet e përgjakshme nga të cilat frikoheshin organizatorët. “Turpërohu Kanada, turpërohu”, “Pa Lojëra në vendin e vjedhur”, ishin disa nga sloganet e protestuesve. Për organizimin e spektaklit të hapjes së LOD janë shpenzuar rreth 40 milionë dollarë, dhe kjo shumë paraqet shumën e dytë më të lartë për hapje të lojërave olimpike, pas atyre të Pekinit në vitin 2008. Në mesin e favoritëve për shtetin më të suksesshëm është Gjermania, sportistët e së cilës në LOD të kaluara në Torino patën marrë 29 medalje (11 të arta), pastaj SHBA-ja me 25 (9 të arta) dhe Austria me 23 medalje (po ashtu 9 të arta).

Aksidenti, kthesa e pistës do të riparohet
Vankuver - Kthesa ne qendrën e rrëshqitjeve me saja në Wistler do të riparohet pas aksidentit të garuesit gjeorgjian Nodar Kumaritashvili, i cili vdiq në stërvitje, vetëm pak orë para hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Vankuver. Funksionarët e Federatës Ndërkombëtare të rrëshqitjes dhe të Komitetit Organizativ të LOD njoftuan se do të ngrihet një mur në daljen nga kthesa nr. 16, kthesa e fundit në shteg, në të cilën Kumaritashvili humbi kontrollin dhe u përplas për një shtyllë çeliku. Në komunikatën e përbashkët ata theksuan se kjo është masë preventive. Garuseti me saja do të kenë edhe nga një stërvitje shtesë të shtunën në mëngjes sipas kohës lokale, përkatësisht nëntë orë para startit të garave në këtë disiplinë.

Ky lajm është publikuar: 14/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›