E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet Universal Hospital, Meta: Hap i rëndësishëm në shëndetësi

TIRANE- është inaguruar këtë të hënë spitali më i ri jo-publik në Shqipëri Universal Hospital Tirana. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë zëvendës kryeministri Ilir Meta, drejtues të shëndetësisë në vend, Ambasadori Turk në Tiranë, Hasan Hashan dhe të ftuar të tjerë. Drejtuesit e këtij spitali gjatë fjalës së tyre vlerësuan Universal Hospital Tirana si hap i ri dhe i rëndësishëm në sektorin shëndetësor shqiptar. Sipas drejtuesve turq të Universal Hospital Tirana, kjo qendër do të sjellë për pacientët shqiptar metodat më të avancuara, trajtimet dhe teknologjinë më të fundit në fushën e mjekësisë. Ndërsa zëvendës kryeministri Meta tha se ky spital i ri është produkt i marrëdhënieve të mira turko-shqiptare. Sipas Metës pacientët shqiptarë tashmë kanë një tjetër zgjedhje për kujdesin ndaj shëndetit të tyre. “E mira është që njeriu të mos vijë nëpër spitale , por spitalet janë pjesë e jetës. Dua të theksoj se jemi shumë të lumtur që sot marrim pjesë në inaugurimin e një vepre vërtet për tu krenuar i cili është fryt i përbashkët i investimit turk dhe shqiptar. Bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e shëndetësisë dhe të mjeksisë ka qenë vërtet i cmuar gjatë këtyre dy dekadave.” theksoi Meta Ndërsa Ambasadori Turk në Tiranë, Hasan Hashan vec vlerësimeve për spitalin e ri u ndal tek situata e përmbytjeve në veri të vendit. “Katastrofat natyrore nuk mund të komandohen. Pas katastrofës qeveria duhet të përpiqet të shuajë pasojat e saj. Turqia, ashtu si edhe vendet e tjera fqinjë dhe mike, është e gatshme për të ndihmuar me cfarë të mundet Shqipërinë për të kapërcyer këtë situatë“ u shpreh Hasan Hashan. Universal Hospital Tirana është pjesë e Universal Hospitals Group, një rrjet ky i gjerë dhe i përbërë nga 110 spitale në Evropë. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›