E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe vlerëson pozitivisht kombëtaren B

TIRANE- Trajneri i kombëtares shqiptare Josip Kuzhe e ka quajtur të suksesshëm grumbullimin një javor në Antalia, që sipas tij i dha mundësinë të ketë kontakt nga afër me një pjesë të yjeve të Superligës. Duke folur në një konferencë për shtyp pas kthimit nga Turqia, kroati deklaroi se një pjesë e lojtarëve i kishin lënë mbresa pozitive, ndërsa kishte nga ata që kishin zhgënjyer totalisht. “Ne jemi në prag të ndeshjeve eleminatore të Europianit dhe detyra ime tani është të përzgjedh. Ky grumbullim them se më shërbeu shumë, pasi për 7 ditë pata kontakt nga afër dhe kam ide të qarta për këta lojtarë. Në Turqi ne kishim futbollistë që janë pjesë e kombëtares si Vila, Bakaj apo Lila, por veç tyre, futbollistë si Bala, Shkurtaj, Roshi apo Veliaj, ishin një surprizë e këndshme për mua. Për momentin ne kemi 60-70 % të ekipit dhe na duhen disa nga këta lojtarë të rinj për ta plotësuar atë. Por, unë duhet të besoj 100 për qind tek futbollistët që do të thërras dhe në Turqi pati nga ata që lanë edhe një përshtypje negative” theksoi Kuzhe. Tekniku i kombëtares e quajti Shqipërinë një komb me talente në futboll, por që sipas tij rriten në kushte të vështira. I pyetur në lidhje me rezultatet zhgënjyese të arritura ndaj skuadrave inferiore turke, Kuzhe mori përsipër përgjegjësitë, por sipas tij, këto rezultate nuk kishin ndonjë rëndësi të madhe. “Rezultati është përherë i rëndësishëm në një ndeshje, por ne në Antalia nuk ishim ende një skuadër. Vëmendja ime ishte tek paraqitja individuale e secilit lojtar dhe jo tek rezultati. Shpresoj që në muajt e ardshëm disa nga këta të rinj të ikin jashtë Shqipërisë për të luajtur, sepse atje do të bëhen 100 për qind profesionistë” u shpreh Kuzhe. Pas Turqisë, Kuzhe do të jetë për disa ditë në Greqi ku do të ndjekë nga afër një grumbullim të të rinjve shqiptarë që luajnë në këtë vend dhe që shpesh janë larguar për shkak të indiferencës së strukturave të federatës apo drejtuesve të kombëtares. (l.s/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›