E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda tallet me Francën, shkon në çerekfinale

Pas kombëtareve të Portugalisë dhe Kroacisë, Holanda është skuadra e tretë që blindon, 90 minuta përpara kohe, çerekfinalet e Euro 2008. 

Lojtarët e drejtuar nga Marko Van Basten triumfojnë me rezultatin 4-1 kundër nënkampionëve të botës, pas golave të Kajt, Van Persi, Roben e Shnajder, ndërkohë që Tierri Hanri ngushtonte diferencën në 2-1 në pjesën e dytë. Ashtu siç tregon edhe vetëm rezultati, përballja e natës së djeshme nuk ka nevojë për mjaft komente. Tulipanët vazhdojnë aventurën e këtij kompeticioni, pse jo si pretendentët kryesor për fitimin e tij. Në dy ndeshje, grupi i drejtuar nga ish-milanisti, Marko Van Basten ka arritur të shënojë plot shtatë gola, duke poshtëruar në këto dy sfida, dy skuadrat që në fillim të këtij kompeticioni shiheshin si kandidatet e vetme për fitoren finale, Italinë (3-0) dhe Francën (4-1). Holandezët kalojnë shumë shpejt në avantazh me Dirk Kajt që në minutën e nëntë, rezultat me të cilin përfundon edhe pjesa e parë. Në 45-minutat e dyta, holandezët përsërisin të njëjtën paraqitje si ndaj Italisë duke dyfishuar shifrat me Van Persin, i sapo futur në fushën e lojës. Gjithsesi, Franca përgjigjet me Tierri Henri i cili në të 71-në ngushton diferencën në 2-1, por vetëm pak sekonda më pas, Roben kundërpërgjigjet me golin e tretë holandez. Për ta vulosur përfundimisht këtë sfide mendon Shnajder, i cili katërfishon shifrat e tulipanëve.
Itali-Rumani 1-1
Kur të gjithë prisnin një reagim të kampionëve të botës në sfidën e dytë të këtij Evropiani, skuadra e Roberto Donadonit ka zhgënjyer sërish. Pavarësisht rasteve të shumta për shënim të “axurrëve”, duhet përmendur gjithashtu arbitrimi i dobët i gjyqtarit norvegjez dhe asistentëve të tij, të cilët u anulojnë një gol të rregullt italianëve në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë, shënuar nga sulmuesi Luka Toni. Sfida përballë formacionit të Picurkës nuk i ngjason aspak asaj paraqitjeje që të kaltrit zhvilluan në sfidën e parë kundër Holandës, mbase edhe për vetë faktin e ndryshimeve të shumta në formacion. Del Piero, De Rosi, Perrota, Kielini e Groso zëvendësojnë respektivisht Di Natalen, Ambrozinin, Gatuzon, Materacin e Barzaljin, dhe diferenca ndihet mjaft. Kampionët e botës e nisin vrullshëm, duke vënë menjëherë në vështirësi portën e Lobont (padyshim lojtari më i mirë në fushë për formacionin rumun), por topi nuk ka ndërmend të shkojë drejt rrjetës. Del Piero e Luka Toni kërkojnë me çdo kusht golin e avantazhit, por pa sukses. Avantazhi për “axurrët” do të mbërrijë në sekondat e fundit të 45-minutëshit të parë me anë të Luka Tonit, por për asistentin e gjyqtarit, Ovrebo goli është për t’u anuluar (ndonëse pamjet televizive konfirmojnë rregullsinë e golit). Pjesa e dytë fillon edhe më shumë agresive për italianët, por një gabim i Zambrotës në minutën e dhjetë të kësaj pjesë do të favorizonte sulmuesin, Adrian Mutu, i cili kalon në avantazh Rumaninë. Gëzimi i madh i ballkanasve do të zgjaste vetëm pak sekonda, pasi në aksionin e radhës të italianëve, Kristian Panuçi do të barazonte shifrat në 1-1, pas një krosimi të ardhur nga goditja e këndit. Pas këtij episodi, Donadoni hedh në fushë edhe Kasanon, por goli përsëri nuk vjen, pasi Lobont (portieri rumun) është i pakalueshëm. Sikur të mos mjaftonte kjo, gjyqtari norvegjez do të akordonte një 11-metërsh shumë të dyshimte në favor të Rumanisë, vetëm dhjetë minuta nga fundi. Bufon përballë Mutusë, dhe numri 1 i juventinëve konfirmohet edhe njëherë si portieri më i mirë në botë, duke shmangur avantazhin rumun.

Holandë – Francë  4 - 1
Golat: Kajt 9, Van Persi 59’, Roben 72’, Shnajder 92’ / Henri 71’
Holanda (4-2-3-1): 1 Van Der Sar, 21 Bulahruz, 2 Oijer, 4 Matijsen, 5 Van Bronkhorst, 17 De Jong, 8 Engelar (46’ Roben), 18 Kajt (55’ Van Persi), 23 Van Der Vart (78’ Bouma), 10 Shnajder, 9 Van Nistelroi Trajner: Marko Van Basten
Franca (4-2-3-1): 23 Kupe, 19 Sanjol, 15 Turam, 5 Gallas, 13 Evra, 20 Toulalan, 6 Makelele, 10 Govu (75’ Anelka), 22 Riberi, 7 Malouda (60’ Gomis), 12 Henri Trajner: Rajmond Domenek
Kartonë të verdhë: Oijer, Toulalan, Makelele
Gjyqtar: Herbert Fandel

Itali – Rumani  1-1
Golat: Mutu 55’ / Panuçi 56’
Itali (4-2-3-1): 1 Bufon, 19 Zambrota, 2 Panuçi, 4 Kielini, 3 Groso, 21 Pirlo, 10 De Rosi, 16 Kamoranezi (85’ Ambrozini), 20 Perrota (57’ Kasano), 7 Del Piero (77’ Kualiarela), 9 Toni.
Trajner: Roberto Donadoni
Romania (4-1-3-2): 1 Lobont, 2 Kontra, 4 Tamas, 15 Goian, 3 Rat, 6 Radoi (25’ Dika), 7 Petre (59’ Nikolita), 8 Kodrea, 5 Kivu, 21 Nikulae, 10 Mutu (88’ Koçis).
Trajner: Viktor Picurka
Kartonë të verdhë: Pirlo, De Rosi, Goian, Kivu, Mutu
Gjyqtar: Tom Hening Ovrebo

Të veçantat

GREQI - RUSI
- Greqia ka fituar vetëm një përballje kundër Rusisë, pikërisht në nëntor të vitit 1993, me rezultatin 1-0.
- Trajneri Gus Hidink ka triumfuar përballë Kombëtares së Greqisë, atëherë kur drejtonte përfaqësuesen e Australisë. Ai fitoi me rezultatin 1-0, më 25 maj të vitit 2006.
- Greqia është pjesëmarrëse për të tretën herë në një kampionat evropian. Ajo ka marrë pjesë për herë të parë në vitin 1980, e më pas në vitin 2004, kur edhe arritën të fitojnë.
- Për Rusinë, kjo është hera e tretë që merr pjesë në një kampionat evropian me këtë emër, pasi në të kaluarën është përfaqësuar si Bashkimi Sovjetik.
- Bashkimi Sovjetik ka arritur të triumfojë një herë në kampionatin evropian, pikërisht në vitin 1960, ndërkohë që kanë qenë finalistë në vitet 1964, 1972 dhe 1988.
- Sulmuesi Angelos Haristeas ka debutuar me Kombëtaren e Greqisë pikërisht në përballjen me Rusinë, në 28 shkurt të vitit 2001, e cila përfundoi me rezultatin 3-3, ku sulmuesi shënoi dy herë.

SPANJË - SUEDI
- Spanja dhe Suedia janë përballur me njëra-tjetrën në fazën kualifikuese të Euro 2008, kur secila arriti të fitojë në shtëpi. Suedia triumfoi 2-0, ndërsa Spanja me rezultatin 3-0.
- Suedia merr pjesë për herë të katërt në një kampionat evropian dhe arritja e tyre më e madhe në një kompeticion të tillë ka qenë në vitin 1992, kur arritën gjysmëfinalet.
- Për Spanjën, kjo është e katra herë radhazi në një kampionat evropian, ndërkohë që kanë triumfuar vetëm një herë në këtë kompeticion, pikërisht në vitin 1964.
- Spanja ka fituar përballë Suedisë me rezultatin 1-0 në Kupën e Botës 1978, në raundin e parë të kompeticionit.
- Të dyja skuadrat do përballen midis tyre në takimin e dytë të fazës në grupe të Euro 2008, për të siguruar kualifikimin dhe, pse jo, vendin e parë në grup.
- Aktualisht Spanja ka në gjirin e saj golashënuesin më të mirë të Euro 2008 deri tani, pikërisht David Vijan, i cili e ka gjetur rrugën e rrjetës tri herë në ndeshjen e parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›