Prençi: Luftë të përbashkët kundër drogës
TIRANE- Kreu i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi dhe ai i Antidrogës italiane Stefano Berretoni, kanë dhënë sinjalet e operacioneve të përbashkëta ndaj trafikut të drogës. Të dy drejtuesit e lartë të Policisë së shteteve respektive kanë pasur gjatë ditës së djeshme një takim, në të cilin janë shkëmbyer ide dhe informacione të ndryshme. Kjo ka krijuar një panoramë sipas tyre mbi linjat dhe grupet e ndryshme të trafikut të lëndëve narkotike. Gjatë ditëve të vizitës së tij në Shqipëri, Sipas njoftimit zyrtar, mësohet se kreu i Antidrogës italiane ka pasur takime me funksionarë të lartë të Policisë së Shtetit në departamentin e Hetimit të Krimeve dhe sektorin e Antidrogës. Burime të Policisë kanë pohuar se në qendër të takimeve të Berretonit, kanë qenë bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit në drejtim të antidrogës dhe të luftës ndaj krimit të organizuar. “Do të vazhdojmë të intensifikojmë punën ndaj grupeve kriminale të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, që vepron në të dy vendet”, tha Prençi. Berretoni, gjatë deklaratës së tij pohoi, se kishte ardhur në Shqipëri për të forcuar lidhjet me homologët e tij shqiptarë, në shkëmbimin e informacionit në luftën ndaj narkotikëve.