Pranga bandës së falsifikatorëve
Dashamir Biçaku
Pajisja me targa për makinat me doganë false dhe sigurimi i patentave me dokumentacion të falsifikuar, çon në pranga 11 persona, mes të cilëve funksionarë të drejtorisë së Shërbimit Transportit Rrugor, një efektiv policie dhe disa punonjës autoshkollash. Operacioni “Targat e fundit” i antikrimit ekonomik dhe zyrës së antikorrupsionit i drejtuar nga Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës filloi dje në mesditë për të përfunduar në orët e mbrëmjes me 11 persona të arrestuar. Mes të prangosurve janë disa funksionarë të drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, si komisionarë, arkivistë, pronarja e një autoshkolle dhe një instruktor. Të arrestuarit akuzohen se falsifikonin dokumentet dhe me arnë të ryshfetit pajisnin me leje drejtimi persona, që nuk e meritonin ose jepnin dokumente për makina me doganë false. Përfitimi i të arrestuarve nga nxjerrja e një patente shkonte deri 60–75 mijë lekë të reja. Për një targë mjeti false apo një targë me katër shifra të njëjta pagesa varionte nga 40 mijë lekë deri në një mijë euro. Ylli Hasani 41 vjeç, komisionar në seksionin e dhënies së patentave, Pëllumb Mançila 46 vjeç, efektiv i policisë së Komisariatit nr.4, Silvana Memia, arkiviste, Besjana Belli, sekretare në sektorin e regjistrimeve të mjeteve, si dhe Daniel Çami pranues dokumentesh tek Kolaudimet dhe Shpresa Marashi, janë zyrtarët e arrestuar dje nga policia. Ndërkaq të tjerët që ranë në pranga janë punonjës të subjekteve private, falsifikatorë apo sekserë të ndryshëm, të cilët gjenin klientët. Hetimi ndaj këtyre dy grupeve të falsifikimit të dokumenteve zyrtare të përfshirë në mitmarrje, ka nisur më tepër se 4 muaj më parë. Një ditë më parë, gjykata firmosi ndaj tyre vendimet e arresteve në bazë të materialeve dhe provave të paraqitura nga zyra e Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës.
Patentat
Antikrimi ekonomik dhe zyra e antikorrupsionit e policisë së kryeqytetit, kanë nisur hetimin, ndërsa me teknikat speciale janë kryer vëzhgimet dhe përgjimet e veprimeve që bënin të arrestuarit. Pjesës më të madhe të kursantëve për patenta që shkonin pranë autoshkollës “Majestik” u thuhej se komisioni kërkonte para dhe këtë punë sipas policisë e kryente Ela Shano, bashkëpronare e autoshkollës. Gjithashtu, ajo kryente edhe përgatitjen e dosjeve për secilin kursant duke falsifikuar dokumentet. Efektivi i policisë, Pëllumb Mancilla, ishte i punësuar pranë autoshkollës në rolin e truprojës dhe kryente njëkohësisht edhe pazaret për pagesat, bashkë me instruktorin Vladimir Dervishi në rolin e sekserit. Ndërkaq, mësuesi i shkollës 9–vjeçare në Lana-Bregas, Lima Doka 60 vjeç, përgatiste dokumentacionin e falsifikuar për kursantët, që nuk i kishin shkresat e nevojshme. Fillimisht ai është lënë në arrest shtëpie nga gjykata, por gjetja e dokumenteve të falsifikuar ka rënduar situatën e tij. Të njëjtin rol sipas burimeve luante edhe Adrian Rushiti, 35 vjeç i cili siguronte dokumente dhe klientë, të cilët duhej të paguanin ryshfet për të marrë patentën. Një person ka pranuar të bashkëpunojë me policinë gjatë hetimit. Në momentin që ka hyrë në provim ai ka kryer edhe pagesën e ryshfetit me paratë, që më pas kanë mbërritur tek komisionarët e patentave, të cilët janë arrestuar. Policia mësohet se ka sekuestruar më tepër se 20 dosje për provimin e patentave, që mendohet se janë me dokumente false dhe disa herë më tepër dosje të automjeteve të targuara, që dyshohet se janë me doganë të falsifikuar.
Të arrestuarit
Ylli Hasani, 41 vjeç,
komisionar i seksionit të patentave
Vladimir Dervishi, 58 vjeç
instruktor, bashkëpronar i autoshkollës “Majestik”
Ela Shano, 50 vjeçe
bashkëpronare e autoshkollës Mjestik
Pëllumb Mancilla, 46 vjeç
polic pranë kom.4, truproje tek Majestik
Silvana Memia, 46 vjeçe
arkiviste te DRTRR
Bejsana Belli, 27 vjeçe
sekretare e regjistrimit të mjeteve
Daniel Çami,
pranues dokumentesh te seksioni i Kolaudimeve
Feride Kateshi, 38 vjeçe
punonjëse e një agjencie sigurimesh
Adrian Rushiti, 35 vjeç
sekser
Liman Doka, 60 vjeç,
falsifikuesi i dokumenteve
Shpresa Marashi, 38 vjeçe
operatore në Drejtorinë e Transportit Tiranë