E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, bien në pranga 39 shqiptarë

 

ITALI – Plot 39 vetë, anëtarë të një bande italo-shqiptare të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe prostitucionit janë arrestuar dje nga policia e Milanos në Itali. Mësohet se grupi, që operonte në mes dy vendeve importonte në Itali rreth 15 kilogramë heroinë çdo javë. Sipas policisë së vendit fqinj, heroina vinte nga Afganistani, kalonte në Turqi dhe më pas në Greqi. Aty një pjesë e saj këmbehej me drogë të llojit kokainë të ardhur nga vendet e Amerikës Latine, ndërsa pjesa tjetër kalonte për në Itali nëpërmjet Shqipërisë. Operacioni është koduar me emrin “Nido d’api” (kosherja e bletës) për shkak se mënyra e kalimit të drogës për në Itali bëhej, duke e fshehur në hojet e mjaltit.  Mësohet se anëtarët e trafikut në Shqipëri merreshin me një aktivitet të  prodhimit të mjaltit. Organizata kishte degë në pothuajse gjithë Italinë, 16 prej urdhër arresteve janë ekzekutuar në Mantova, Forli, Romë, Palermo, Viçenca dhe Potenza. Paratë e fituara nga trafiku i drogës investoheshin në kompani sigurie dhe investigimi privat, me bazë në Milano dhe në klubet e natës. Sipas policisë së vendit fqinj drejtuesi i bandës ishte shqiptari L. Hika 30 vjeç. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›