E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me pasaporta në ambasadë

Nga Express më 13 maj 2011 në ora 11:30

Provuan të futeshin në provim të gjuhës gjermane me pasaportë të falsifikuar në emër të dikujt tjetër, por u kapën nga policët.

Rasti ka ndodhur në rrugën "Andrea Gropa" në Prishtinë, në objektin ku mbahen provimet për gjuhën gjermane, ku personat e dyshuar të përfshirë në rast, duke falsifikuar dokumentin zyrtar (pasaportën), kanë tentuar që të futen në provim në emër të dikujt tjetër.

Policët, me të marrë informatën kanë shkuar në vendngjarje dhe personi që kishte dorëzuar pasaportën e falsifikuar është sjellë në stacion policor së bashku me tre persona të tjerë.

Katër të dyshuarit, dy meshkuj dhe dy femra, B. D., I. R., S. V. dhe F. K. janë intervistuar nga hetues policorë kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit.

Në lidhje me rastin është konsultuar edhe prokurori publik komunal dhe dy të dyshuarit e gjinisë mashkullore B. D. dhe I. R. janë dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë, derisa dy të dyshuarat S. V. dhe F. K. janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, janë duke u përgatitur të gjitha procedurat për dorëzimin e kallëzimit penal në prokurorinë përkatëse.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›