Çmimet e lira e lanë pa licencë
Aviokompania e parë ajrore në Kosovë, Illyrian Airways ka mbetur pa licencë. Ofrimi i çmimeve shumë të lira si duket ka ndikuar që konkurrentët e saj të ndihen të rrezikuar. Madje, po lobojnë që kjo kompani mos ta marrë fare licencën.
Burime brenda Qeverisë tregojnë për Express se pengesat për licencimin e Illyrian Airways po bëhen nga kompanitë konkurrente.
“Dikush për interesa të veta e ka bllokuar licencimin e kësaj kompanie në Ministrinë e Infrastrukturës. Krejt kjo pasi kompanitë duan ta largojnë nga konkurrenca Illyrianin”, thotë ky burim për gazetën.
Drejtuesit e kësaj kompanie thonë për gazetën se janë bërë vonesa të paparapara për licencimin e tyre, por nuk dinë nëse ka ndërhyrë dikush në këtë proces.
“Vonesat e licencës nuk i kemi paraparë të shkojnë kaq gjatë. Ndoshta kjo ka ardhur për shkak se autoritetet vendore janë të reja e me eksperiencë të re. Por, nuk di a kemi pasur ndërhyrje nga konkurrenca, edhe pse dihet se ne kemi ofruar çmime shumë të lira”, thotë Shala.
Sipas tij, nuk do duhej të kishte ndodhur ndërhyrje e konkurrenteve, pasi tregu është i lirë dhe secili operon me çmime të veta.
Në një vend evropian, ai thotë se vonesa të tilla për licencim nuk do të kishin ndodhur. Deri më tani ai thotë se në ministri nuk kanë pasur asnjë pengesë.
”Gjithçka çka na është kërkuar shtesë ne kemi dorëzuar në ministri dhe kemi pasur edhe bisedime me Agjensionin e Aviacionit Civil dhe gjithçka ka qenë në rregull”, thotë ai. Illyrian Airways ka muaj që ka aplikuar në Ministrinë e Infrastrukturës për të marrë licencën për operimin e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Ajo ka mbi 25 punëtorë, e po ashtu ka edhe një zyrë në ANP, të cilën e paguan mjaft shtrenjtë. Drejtori Shala tregon se kanë plotësuar gjithë infrastrukturën sa i përket stafit, objektit e të gjitha tjerat që kërkohen me ligj.
Vonesat për këtë proces, ai thotë se i kanë sjellë edhe shpenzime të mëdha ende pa e filluar operimin.
“Ne kemi objektin me qira që paguajmë në ANP dhe kemi po ashtu edhe mbi 25 punëtorë dhe kjo ka bërë që ne të kemi edhe shpenzime, por presim që kjo të paguhet me dhënien e licencës”, thotë drejtori Shala.
Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se licencimi i saj do të bëhet vetëm kur të plotësohen kushtet teknike, të cilat janë obligim për këtë proces.
Ramiz Fazliu, këshilltar në MI, thotë se licencimi nuk është bërë për këtë kompani për shkak se janë disa procedura që ministria duhet ndjekur.
“Janë procedura në bazë të ligjit dhe rregulloreve, të cilave duhet t ‘u përmbahemi”, thotë Fazliu. Sipas tij, ka kompani të ndryshme që konkurrojnë dhe që të gjithat duhet të presin përfundimin e procedurave.
“Interesi ynë është që të licencojmë të gjitha ato kompani që i plotësojnë kushtet teknike, e me siguri se kjo kompani ende nuk i ka plotësuar kushtet”, thotë këshilltari Fazliu. Në momentin e parë që do t’i plotësojë kriteret, ai thotë se edhe do të pajiset me licencë.
Kompania ajrore “Illyrian Airways” me fillimin e operimit të saj do të ofrojë fluturimet ajrore që lidhin Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me qytetet italiane Roma, Bresha dhe Venedik, e në fazat tjera edhe me vendet tjera evropiane. Hyrja në treg e kësaj kompanie do të shtojë konkurrencën dhe do të ulë çmimet e biletave.
Më 28 nëntor, Illyrian bëri përurimin e fillimit të punës me një fluturim promovues nga Prishtina në Tiranë.