Hapi i gabuar i Dules, kthen OMONIA në forcë politike

Omonia, pritet që së shpejti të konvertohet në forcë politike. Hapi i gabuar i liderit të PBDNJ, Vangjel Dule, i cili tre ditë më parë u bashkua në mënyrë publike me koalicionin e majtë Bashkimi për Ndryshim, ka detyruar drejtuesit e lart të Omonia-s, që të hedhin de facto idenë e krijimit të një force politike, ashtu siç bënë disa kohë më marrë komuniteti çam. Një drejtues i lartë i kryesisë së Omonia-s, i cili preferoi të ngelet anonim, e ka cilësuar këtë hap si një përpjekje pozitive për të saktësuar rolin e zgjedhësve minoritarë,
që për fat në keq në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk do të përfaqësohen dot për shkak të procedurave ligjore.Pas zgjedhjeve të 28 qershorit do të rishikohet me shumë seriozitet bashkëpunimi me PBDNJ. Organizata Omonia e ka mbështetur pa rezerva liderin e PBDNJ, Vangjel Dule, por kalimin e kësaj force politike në koalicionin e majtë është e papranueshme, pasi kjo forcë politike i ka të gjitha mundësinë për të nxjerrë në mënyrë të drejtpërdrejt të paktën dy deputetë, shprehet anëtari i kryesisë. Sipas tij, bashkimi i PBDNJ me koalicionin e majtë Bashkimi për Ndryshim mund të funksionojë de juro, por de facto nuk do të gjej terren, pasi kundërshtarët e drejtpërdrejtë historikisht janë të majtë, të cilët në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2001 dhe 2005, konkurrenca për të fituar mandati ka denigruar deri në përleshje fizike apo vjedhje votash në mënyrë publike. Ndërsa nga ana e tij, kreu i Omonia-s, Vasil Bollano e ka cilësuar këtë lëvizje politike të PBDNJ, duke deklaruar ndër të tjera se do të jetë ecuria e zgjedhjeve që do të tregojë suksesin apo mossuksesin e këtij koalicioni. Politika nuk është vetëm sentimentale por edhe përllogaritje, çka duhet marrë në konsideratë. Kalimi i PBDNJ në aleancë me të majtët ka bërë që në minoritetin etnik grek në Gjirokastër, të ndihen krisjet e para, ka theksuar kryetari i organizatës Omonia dhe i Bashkisë së Himarës. Gjithashtu, marrëveshja e PBDNJ me të majtët është cilësuar edhe e nxituar, ku një pjesë e banorëve të jugut kritikojnë Dulen, i cili sipas tyre ka bërë me kokën e vet dhe nuk ka marrë pëlqimin e anëtarëve. Për disa të tjerë PBDNJ duhet të bashkëpunojë me çdo qeverisje për të përfaqësuar më së miri kërkesat e minoritetit por në zgjedhje, duhet të garonte e vetme ashtu siç ka kërkuar Omonia. Gjithsesi baza duket se është e ndarë në dy pjesë, disa kanë mbështetur kalimin majtas, por pjesa më e madhe e tyre mendojnë se koalicioni me të djathtët ka funksionuar më së miri dhe për këtë nuk ishte e nevojshme që ky veprim të merrej në këto momente. Nga ana tjetër shumë zëra për dorëheqje nga PBDNJ po bëhen publike dita ditës duke deklaruar se në këtë parti po mbizotërojnë veprime antidemokratike.