Topalli në Kukës: Rama hedh baltë mbi arritjet e qeverisë
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka vijuar turin e saj me gratë duke u ndalur në Kukës, ku ka përmendur vlerat e rrugës që lidh shqiptarët. Edhe në këtë ndalesë, kryeparlamentarja Topalli nuk ka kursyer akuzat ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama. Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit tha se Kukësi ka hyrë në historinë e mbarë botës me mikpritjen e jashtëzakonshme që i bëri kosovarëve të mbërritur gjithë luftës në Kosovë, por veçoi se Kukësi do të hyjë në historinë e zhvillimit me një kryevepër të infrastrukturës, rrugën Durrës-Kukës.
Sipas saj, lideri socialist po përpiqet të hedh baltë mbi arritjet e qeverisë, duke mos i përmendur fare ato. Kryetari i Bashkisë së Tiranës erdhi në Kukës, por nuk shkoi te rruga. Erdhi në Kukës, por nuk foli një fjalë të mirë për rrugën. Erdhi në Kukës dhe vazhdoi të hidhte baltë mbi atë që është kryevepra jonë. Baltë mbi atë që është krenaria jonë. Baltë mbi atë që është tuneli i shqiptarëve. Që është tuneli i bashkimit, që është rruga e bashkimit, që është rruga e afrimit. Në 8 vjet e nëpërkëmbën, e nënvlerësuan dhe pastaj e vodhën, e vodhën, e vodhën. E vodhën me të gjitha taksat që morën për këtë rrugë. Kur rruga filloi, ata filluan të villnin vrer. Pastaj, helm. Pastaj, çdo ditë baltë, baltë, baltë pa fund. Kjo rrugë na ka bashkuar të gjithë ne shqiptarëve. Kjo rrugë e ka emrin Sali Berisha, nënvizoi Topalli. Kryetarja e kuvendit është larguar nga Kukësi me besimin se më 28 qershor do të ketë një fitore të dytë.