E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Ramës: Jep dorëheqjen nga Bashkia e dil në betejë, çlirohu nga lejet e ndërtimit

Kryeministri premton asfaltimin e çdo pëllëmbe rrugë, të komunës Shën Vlash
Kryeministri Berisha ka përsëritur nga Shën Vlashi i Durrësit thirrjen drejtuar kryetarit të PS-së, Edi Rama, për të dhënë dorëheqje nga posti i kreut të Bashkisë së Tiranës dhe daljen në fushatë siç tha ai, ballë për ballë me kundërshtarin, pra të jap dorëheqjen përpara se të hyj në fushatë si kandidat për kryeministër. Zoti Rama, kam një kërkesë për ty, kërkesë që nuk e kam aspak në interesin tim, në interesin e mbështetësve dhe simpatizantëve të mi, por e kam në interesin më të mirë të anëtarëve të PS-së dhe mbështetësve të tu; Dil në shesh, bëju burrë, shkëputu nga karrigia e Kryetarit të Bashkisë, jep dorëheqjen dhe hajde të bëjmë garën ballë për ballë. Kush do ta fitojë. Mos u fshih pas karriges së Kryetarit të Bashkisë, por dil, sepse anëtarët e asaj partie, mbështetësit e saj, kërkojnë të të shohin ty që u prin, jo për kryetar Bashkie sepse aty të kanë dhe ua ke nxirë fare, duke marrë së bashku me ndihmesat e tu 59 leje ndërtimi. Çlirohu nga lejet e ndërtimit, ka theksuar Berisha. Duke vazhduar akuzat ndaj opozitës, kreu i qeverisë ka theksuar se pikërisht përfaqësuesit e saj kanë vetëm një interes, atë të karriges së tyre, me të cilën janë ngjitur me ngjitësin më të fortë, me tutkallin më të tmerrshëm, lejet e ndërtimit. Ata nuk shkëputen dot prej tyre. Gjatë vizitës së zhvilluar në Krujë, Berisha ka veçuar faktin se banorët e këtij qyteti kanë qenë të lënduar nga fushata e shpifjeve të opozitës kundër Skënderbeut. Shpifje të cilat sipas kreut të qeverisë kanë vetëm një qëllim, të prekin thelbin e identitetit tonë kombëtar, thelbin e qëndresës sonë. Ashtu si edhe në Krujë, kryeministri Berisha përdori figurën e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. për ti thënë edhe njëherë Ramës se humbja e tij do të jetë e rëndë në 28 qershor. Për mua dhe për ju Skënderbeu është hyjni, është idhulli ynë, por unë atij do tia bëj më zi sesa ua ka bërë Skënderbeu otomanëve, jo me shpata, jo me topa, por me vota, me vota të lira dhe të ndershme, i është drejtuar Berisha liderit socialist, Edi Rama.
Në mandatin e ardhshëm do të asfaltojmë çdo rrugë të komunës
Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në shkollën e mesme të bashkuar Besnik Hidri të komunës Shën Vlash, zhvilloi një takim me nxënës e banorë të kësaj zone ku ka premtuar se në mandatin e ardhshëm do të asfaltohet çdo pëllëmbë rruge të komunës Shën Vlash. Do të finalizojmë të gjithë sistemin e kanalizimeve, do të realizojmë që çdo familje të ketë ujë 24 orë.. Duke përmendur premtimet e mbajtura kreu i qeverisë theksoi se kjo qeveri ka dëshmuar se interesat e qytetarëve janë dhe do të mbeten programi i kësaj mazhorance. I gjithë programi i kësaj qeverie dhe i çdo qeverie që unë do të kryesor, do të jetë i thjeshtë, sepse do ketë për filozofi përmbushjen e interesave tuaja. Unë jam i bindur se interesi juaj është së pari tek fëmija, ndaj ne kemi përcaktuar 4 vite më parë, si përparësi të madhe tonën arsimimin e fëmijëve tuaj, veçoi Berisha. Ndër të tjera gjatë fjalës së tij ai veçoi dyfishimin e rrogave të mësuesve, internetin në çdo shkollë, rindërtimin dhe ndërtimin e shkollave të reja, ku sipas tij kanë qenë jo të shumtë ata, që kanë besuar se të gjitha këto premtime do të mund të shndërrohen në realitet. Nga ana tjetër theksoi se jo të paktë kanë qenë ata që kanë menduar se këto janë premtime për të marrë vota. Ju garantoj se në katër vitet që vijnë, pensionet në qytet dhe fshat do të barazohen. Kjo nuk do të ndodhë duke bllokuar rritjen e pensioneve në qytet, sepse ato do të vazhdojnë rritjen me ritme të mëdha, por duke rritur në mënyrën më të madhe edhe pensionet e fshatit. Interesi juaj është që këtu ku jetoni të keni të gjitha kushtet si në një lagje të qytetit. Ju lodheni, punoni tokën, bëni punë të vështira, por nga ana tjetër, ne do të bëjmë çdo gjë tu krijojmë ju atë infrastrukturë që ekziston në çdo lagje të qyteteve tona, rrugë të asfaltuara, ujë të pijshëm për çdo familje, shërbime të kulturuara, cilësi të mirë të tyre, si dhe ndihma të tjera që prodhimet tuaja të kapin sa më shpejt tregun, vijoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›