Hapin truall për shtëpi, ndeshin në arsenal predhash

Hapja e një trualli për shtëpi në Durrës ka surprizuar të zotët e saj me daljen në dritë të një sasie të konsiderueshme predhash. Ngjarja ka ndodhur ne fshatin Shetaj, Komuna Ishem Durres, ku shtetasi Sh.C., gjatë punës për hapjen e truallit të banesës ka hasur ne nje sasi prej rreth 80 predhash qe mendohet se i përkasin periudhës së Luftës së Dytë Botërore.
Ne vendngjarje kanë shkuar shërbime Policie, ndërkohë që pritet të shkojnë edhe specialistë të Njësisë Antieksploziv per te kryer veprimet e mëtejshme.
Disa ditë më parë e njëjta situatë u shfaq në rrugën Tiranë-Elbasan, ku punimet për ndërtimin e saj nxorën në dritë një numër të madh predhash, të cilat dyshohet që janë aty që nga Lufta e Dytë Botërore.
Burime nga Policia e Tiranës bënë të ditur se këto predha janë gjetur nga punëtorët e firmës, gjatë gërmimeve që ata po kryenin për ndërtimin e rrugës që lidh Tiranën me Elbasanin. Predhat janë gjetur në afërsi të fshatit Bërzhitë dhe në bazë të të dhënave paraprake ato mendohet se i përkasin periudhës së Luftës së Dytë Botërore.