E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Inxhinierisë Fizike dhe Matematike bojkotojnë mësimin



Qindra studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Fizike dhe Matematike pranë Universitetit Politeknik të Tiranës kanë mbetur pa diplomë dhe nuk mund të vazhdojnë masterin në degët e tyre. Për këtë arsye, studentët e këtij fakulteti kanë vendosur të bojkotojnë pa afat mësimin deri në marrjen e një përgjigjeje zyrtare nga Ministria e Arsimit për zgjidhjen e këtij problemi. Ky vendim është konfirmuar dje edhe nga dekania e këtij fakulteti, Tatjana Mulaj, e cila bëri të ditur se nëse Ministria e Arsimit nuk ndryshon vendimet e marra, profesorë dhe studentë të këtij fakulteti do të nisin grevën pa afat. “Deformimi është aq i madh, sa tani departamentet që ishin më vete dhe mund të jepnin dokumente tani që janë të grupuara në një fakultet nuk kanë të drejtë të japin asnjë prej këtyre diplomave”, - u shpreh Mulaj. Studentët kërkojnë ndryshimin e statusit të fakultetit, si dhe vazhdimin e dy cikleve të studimit. Dhjetëra profesorë dhe qindra studentë kanë firmosur një peticion, të cilin ia kanë drejtuar kryeministrit të vendit, por edhe ministrit të Arsimit, Fatos Beja. Por megjithëse për zgjidhjen e këtij ngërçi është angazhuar edhe kryeministri Berisha, çështja ka mbetur ende pezull. Studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës janë të revoltuar nga vendimmarrja arbitrare e Këshillit të Ministrave, me propozim të MASH-it. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, Fakulteti i Inxhinierisë Fizike dhe Mekanike bëhet i asociuar, gjë që do të thotë se është në varësi të fakulteteve të tjera dhe diploma (dokumenti që lëshohet nuk është diplomë e mirëfilltë) që ai lëshon automatikisht humbet vlerën, duke qenë se nuk i njeh të diplomuarit statusin e inxhinierit dhe as i lejon të vazhdojë studime shkencore pasuniversitare. Sipas Këshillit Studentor, modifikimi i statusit të tyre akademik ndryshon edhe vetë formimin shkencor që ata marrim si dhe emërtimin e tij. Klasifikimi që ata marrin në fund të studimeve është praktikisht specialist i nivelit të dytë. Për pasojë, statusi i tyre profesional dhe mundësitë e kualifikimit dhe karrierës kufizohen në një nivel thjesht e vetëm teknik.

18 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›