Toni: “Në 2009-n dua të fitoj gjithçka”
“Dëshiroj të fitoj Ligën e Kampioneve, Bundesligën dhe të shënoj shumë gola me përfaqësuesen italiane”. “Kartolina” është firmosur nga sulmuesi italian i Bajernit të Munihut Luka Toni dhe i është dërguar “Plakut të Vitit të Ri”. Bëhet fjalë për tri dhurata që Luka Toni dëshiron t’i bëjë vetes. “Në vitin 2009 shpresoj të bëj shumë gola për Bajernin dhe për Kombëtaren”, - shpjegon bomberi për mikrofonat e “Sky Sport 24”. “Pastaj, gjëja më e bukur do të ishte të ngrija trofeun e Ligës së Kampioneve, por sinqerisht e shoh shumë të vështirë. Më pas dëshiroj të fitoj Bundesligën. E nisëm shumë keq, por tani jemi rinisur dhe jemi me pikë të barabarta me vendin e parë, Hofenhajmin. Ata janë një realitet i bukur, janë duke bërë një kampionat shumë të mirë, por sipas meje në fund të kampionatit do të mbërrijmë para tyre”, - shtoi ai. Gjermania po i sjell kënaqësi Luka Tonit, por malli për Italinë ndihet tek ai. “Do të kthehem të jetoj në Itali”, - zbulon dëshirën e tij Toni, - “do të vlerësoj ofertat që do të vijnë”. Toni flet edhe për ish-skuadrën e tij, Fiorentinën: “Është një skuadër e fortë, njoh trajnerin, shoqërinë, shumë nga ish-shokët e mi janë duke bërë një kampionat të bukur, por më erdhi keq që nuk u kualifikuan për një të tetat e Ligës së Kampioneve. I uroj Fiorentinës fat për një 2009-të të madhe”. Së fundi, edhe një mendim për Françesko Totin, me të cilin Toni fitoi edhe Kampionatin Botëror në Gjermani, nën drejtimin e Marçelo Lipit, trajnerit aktual të Italisë. “Françesko është i fortë, është një kampion i madh, por disa vendime varen vetëm nga ai. Është e qartë se mund të jepte shumë për Kombëtaren, por rikthimi varet nga ai”, - përfundoi sulmuesi i Bajernit e Italsë, Luka Toni.
Njukasëll, 4 milionë euro për Majkëll Ouen
Njukasëlli është gati t’i ofrojë një rinovim të kontratës legjendës angleze Majkëll Ouen. Do të ketë më pak para, por kontrata do të jetë trevjeçare. Sipas “The Sun”, klubi i Majk Eshlit, edhe pse është në vështirësi ekonomike, është gati të nënshkruajë një kontratë 3-vjeçare me një pagë vjetore prej 4 milionë eurosh, një më pak se kontrata aktuale. Ouen, 29 vjeç, mbërriti në St James` Park në gusht të vitit 2005.
Ançeloti: “Kaka, të dielën në fushë”
Karlo Ançeloti përgënjeshtroi fjalët e Galianit, duke hequr të gjithë mjegullën në lidhje me shëndetin e Kakasë. “Të dielën do të jetë në fushë”. Trajneri i Milanit është shprehur më optimist se administratori i deleguar në prag të sfidës së Kupës UEFA kundër Volfburgut, duke shpjeguar se braziliani mund të jetë në fushë kundër Udinezes. “Objektivi ynë është të kapim vendin e parë në grup në Kupën UEFA. Është e nevojshme për të pasur një tur më të lehtë në fazën e 1/16-ave. Volfburg është një skuadër me kualitet të mirë dhe stërvitet nga një trajner ekspert”, - përfundoi trajneri i Milanit, Ançeloti.
Flamengo këmbëngul për Adrianon
Nëse Interi vazhdon të konfirmojë Adrianon, vetë lojtari duket se mendon më shumë për një tjetër huazim në Brazil. Zërat që vijnë nga Amerika e Jugut flasin se “Perandori” është shumë afër Flamengos, ashtu siç bëri vitin e kaluar kur u huazua te San Paolos. Zëvendëspresidenti i Flamengos, Kleber Leite, ka qenë në kontakte të shpeshta me menaxherin e Adrianos, Gilmar Rinaldi. Flamengo e do Adrianon në huazim, por me mbërritjen e sponsorit të ri e të fuqishëm, muk është çudi që ai të kërkojë të blejë Adrianon, kartoni i të cilit vlen të paktën 20 milionë euro. Adriano shihet si kompensim i Ronaldos te Korinthians.
Benzema: “Dua të luaj për Realin”
Reali i Madridit i është futur punës për të rinovuar sulmin, ku Raul dhe Van Nistelroj i kanë kaluar tashmë të 30-at. Në janar do të mbërrijë në Madrid holandezi Huntelar nga Ajaksi, por një tjetër objektiv i madh është Karim Benzema. Sulmuesi francez i Lionit deklaroi në revistën “Le Buteur” (Golashënuesi) "Ëndrra imë është të luaj te Reali i Madridit, bëhet fjalë për një objektiv që shpresoj ta realizoj shpejt ashtu siç i kam premtuar edhe nënës sime. Më pëlqen ‘camiseta blanca’ (bluza e bardhë), stadiumi ‘Bernabeu’ dhe atmosfera që thithet aty”. Benzema është nën kontratë me Lionin deri në vitin 2013. Në të kaluarën presidenti Olsas hodhi në tavolinë një kërkesë prej 100 milionë eurosh për kartonin e tij, një shifër e jashtëzakonshme për merkaton. Futbollisti do të mbushë 21 vjeç të premten, pikërisht ditën kur do të hidhet shorti i një të tetave të Ligës së Kampioneve. “Do të doja të përballeshim me Juventusin”, - deklaroi Benzema.
Benitez, heqje gurësh për trajnerin
Edhe trajnerët e mëdhenj vuajnë nga veshkat. Trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, do të mungojë të dielën në ndeshjen kundër Arsenalit, për shkak të heqjes së gurëve nga veshkat. Lajmi u bë publik në faqen e klubit anglez. “Trajneri nuk do të jetë, por ne do të bëjmë më të mirën në ndeshjen e radhës”, - thuhet në komunikatë.
Mesi mund Kristiano Ronaldon për “FIFA World Player”
Argjentinasi është favorit ndaj portugezit gjatë votimeve
Është një surprizë e këndshme, madje dhe e pabesueshme. Lajmi nuk është ende zyrtar, por gazeta sportive spanjolle “El Mundo Deportivo”, e afërt me klubin e Barcelonës, shkruan se Lionel Mesi ka mundur Kristiano Ronaldon në garën për çmimin e “Lojtarit më të mirë në botë” apo i njohur zyrtarisht si “FIFA World Player” për vitin 2008. Në fakt, ceremonia e dhënies së çmimit do të zhvillohet më 12 janar 2009 në Zyrih të Zvicrës, por Mesi, sipas “El Mundo Deportivo”, është favoriti kryesor për fitimin e trofeut. Ndryshe nga votimi për “Topin e artë” që jepet nga revista franceze “France Football” (fitoi Kristiano Ronaldo), për të cilin votojnë gazetarët sportivë (nga Shqipëria votoi Besnik Dizdari), për “FIFA World Player” (jepet nga FIFA) votojnë trajnerët dhe kapitenët e ekipeve kombëtare. Nga Shqipëria këtë të drejtë e kanë trajneri Ari Han dhe kapiteni Altin Lala, të cilët ndoshta edhe kanë votuar zyrtarisht për lojtarin e preferuar të tyre. Nëse do të ishte e vërtetë, atëherë Mesi do të ishte argjentinasi i parë dhe i dyti lojtar më i ri në moshë që do të fitonte çmimin pas brazilianit Ronaldo, që e fitoi atë në vitin 1996. Lista e pesë kandidatëve për këtë vit (2008-n) përbëhet nga Lionel Mesi (Barcelona), Kristiano Ronaldo (Mançester Junaitid), Kaka (Milan), Fernando Torres (Liverpul) dhe Xavi (Barcelona).
17 Dhjetor 2008