E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Kosova të përfaqësohet në strukturat ndërkombëtare

Tirana zyrtare kërkon përfshirje dhe përfaqësim të Kosovës në të gjitha nismat shumëpalëshe, në kuadër rajonal e më gjerë, integrimin e saj në strukturat euroatlantike, si dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Kjo iu bë e ditur dje nga ministri i Punëve tona të Jashtme, Lulzim Basha, delegacionit të deputetëve të Kosovës të Komisionit për Integrimin që kanë mbërritur në Tiranë. Mes tyre u fol për procesin e zgjerimit të hartës së shteteve që njohin Kosovën, rrugën Durrës - Morinë dhe bashkëpunimin mes dy shteteve. Ministri Basha përshëndeti përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës për punën voluminoze të kryer në përgatitjen dhe miratimin e legjislacionit të nevojshëm, siç parashikohet në Paketën Ahtisari, për hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Sipas tij, "kjo Kushtetutë përbën themelin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës dhe përmbush standardet më të larta të të drejtave të njeriut, duke ofruar mbrojtje të gjerë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë". Kreu i diplomacisë shqiptare ritheksoi vullnetin e Tiranës zyrtare për të mbështetur maksimalisht të gjitha proceset që tashmë kanë marrë udhë në Kosovë, për konsolidimin e shtetit të pavarur, demokratik, e të integruar në familjen evropiane, në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj. Ndërsa, deputetët e Kuvendit të Kosovës shprehën mirënjohjen e tyre për angazhimin e shtetit shqiptar, për vënien në dispozicion të të gjitha resurseve të tij për përballimin me sukses të sfidave dhe proceseve që ka kaluar Kosova. Ata ndanë të njëjtin mendim për domosdoshmërinë e përfshirjes së komuniteteve pakicë, veçanërisht atij serb në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Duke i vlerësuar si shumë të mira marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, ata theksuan rëndësinë e veçantë që përfaqëson për të dy vendet tona ndërtimi i rrugës Durrës - Morinë, “aorta” që do të sjellë integrimin e tregjeve dhe do të intensifikojë bashkëpunimin ekonomik dypalësh dhe rajonal.

Berisha takon komisionerët e integrimit të Kosovës

Kryeministri Berisha priti dje anëtarë të Komisionit parlamentar të Integrimit në Kuvendin e Kosovës. Berisha vlerësoi ecurinë e zhvillimeve në shtetin e ri të Kosovës duke theksuar se pozitat e tij po konsolidohen dita-ditës. Përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës shprehën mirënjohjen për angazhimin personal të Kryeministrit Berisha dhe të qeverisë shqiptare për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Anëtarët e Komisionit të Integrimit në Kuvendin e Kosovës vlerësuan veçanërisht ftesën që Kryeministri Berisha u bëri vendeve pjesëmarrëse në samitin e Parisit për Mesdheun që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta ndërmarrin këtë hap si kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për zhvillimet politike dhe ekonomike në të dyja vendet. Në këtë kontekst Kryeministri Berisha i njohu deputetët e Kosovës me arritjet e qeverisë shqiptare në këto fusha veçanërisht gjatë vitit të fundit. Kryeministri Berisha theksoi se në Shqipëri ekziston një klimë politike bashkëpunimi, veçanërisht për reformat më të rëndësishme të vendit, duke nënvizuar se çdo vendim dhe çdo reformë e ndërmarrë në mënyrë konsensuale është më solide. Në rrafshin ekonomik, Kryeministri Berisha tha se ky është viti ku ekonomia shqiptare po tregon rezultatet më të thella, si rrjedhojë e reformave të gjithanshme të ndërmarra dhe luftës së fuqishme kundër krimit dhe korrupsionit. Kryeministri theksoi se fondet kryesore të buxhetit shtesë shkojnë për investime në infrastrukturë, të cilat në një rrafsh më të gjerë janë të rëndësishme jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin, siç është segmenti Durrës - Kukës dhe rruga e Arbrit që përfundon në 1/3 e saj.

Axhenda e vizitës së Cervenkovskit në Shqipëri

Presidenti i Maqedonisë, Branko Cervenkovski, mbërriti dje në Shqipëri për një vizitë zyrtare me ftesë të kreut të shtetit, Bamir Topi. Ai do të ketë takime zyrtare me homologun shqiptar Topi, Kryeministrin Berisha, kryeparlamentaren Topalli. Të dy presidentët, Topi dhe Cervenkovski, do të bisedojnë sot në hotel “Adriatik” në Durrës ku edhe më pas do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp për gazetarët. Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Shkupit, çështja e vizave mes të dy vendeve që në fillim të këtij viti u bë një çështje shumë shqetësuese, njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë, zhvillimet në rajon, si edhe integrimet e përbashkëta në BE dhe NATO; do të jenë në qendër të bisedimeve mes krerëve të dy shteteve. Gjithashtu, Presidenti Topi dhe Presidenti Cervenkovski do të diskutojnë dhe për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe promovimin e tyre të mëtejshëm në fushat me interes të përbashkët edhe në kuadër të sfidave integruese të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›