Hapja e dosjeve pritet të miratohet ditën e hënë në seancë parlamentare
Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare vendosi gjatë mbledhjes së djeshme që projektligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë të shqyrtohet ditën e hënë në Kuvend. Ky vendim u mor vetëm nga votat e përfaqësuesve të maxhorancës, për shkak se opozita u shpreh kundër. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PD-së, Valentina Leskaj, u shpreh se maxhoranca po nxiton me futjen për miratim të projektligjit për hapjen e dosjeve. “Vendimi për kalimin në seancë të këtij projektligji u kontestua nga përfaqësuesit e PS-së, me pretendimin se ai po vjen shpejt në Kuvend, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Ky është një nga ligjet më të arkivuara në këtë legjislaturë. Ai ka të paktën tre vjet në sirtarët e Komisionit të Ligjeve dhe është një ligj që pret trajtimin dhe mbylljen e këtij procesi”, - është shprehur kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. I pyetur nga gazetarët lidhur me pretendimet se ligji synon të godasë prokurorët që kanë në dorë çështje të rëndësishme, Patozi e quajti këtë një pretendim absurd dhe keqpërdorim politik. “Ligji prek shumë nivele të administratës dhe pretendimet për goditje të prokurorëve, hetuesve, policëve apo drejtorë drejtorish, janë shumë minore në raport me efektet e vërteta dhe serioze që ka projektligji”, - u shpreh Patozi. Drafti për hapjen e dosjeve u miratua më 10 dhjetor nga Komisioni i Ligjeve vetëm me votat e maxhorancës. Ndërkohë, opozita e majtë nuk mori pjesë në këtë proces, duke e cilësuar projektligjin e paraqitur nga PD-ja si të njëanshëm.
Kritikat ndaj Kodit të ri Zgjedhor
Kodi përmban inkuizicion elektoral, duke dëmtuar parti të tilla si LSI, LZHK, PDK, të cilat nuk bëhen aleate të koalicioneve kryesore
Sjell deformim të votës dhe shkakton një Dushk të ri
Shkel Kushtetutën në të paktën 3 nene
Është pasojë e një reforme të pandershme me legjitimitet të dyshimtë
Dëmton pluralizmin shqiptar
Dëmton cilësinë e demokracisë
Mbjell dhe kultivon ndasitë krahinore
Braktis votuesit nga deputetët
Rikthen rolin përcaktues të faktorit të huaj në Shqipëri
Prodhon një superminoritet etnik në Shqipëri
Saboton efikasitetin e partive politike
Dëmton institucionalizimin dhe kulturën politike shqiptare
13 Dhjetor 2008