LSI-ja përshëndet rishqyrtimin e Kodit Zgjedhor
Lëvizja Socialiste për Integrim ka përshëndetur rikthimin e Kodit Zgjedhor në Komisionin e Reformës Zgjedhore. “Ne na vjen shumë mirë që ka një qëndrim për rikthimin e Kodit Zgjedhor në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Sigurisht është një vlerësim për t’u përshëndetur. Ne për këtë kemi sakrifikuar. Ne kemi sakrifikuar edhe me grevë urie që të bëjmë një kod sipas standardeve europiane, të bëjmë një kod që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm. Vendimi për ta kaluar sërish Kodin, pra jo për të kaluar në mënyrë të rrufeshme dekretin e presidentit, por për ta sjellë përsëri Kodin në Komisionin e Reformës Zgjedhore, për t’i bërë përmirësimet e duhura, ka vetëm përshëndetjet dhe mbështetjen e LSI-së. Ne do të kontribuojmë në atë komision që Kodi, i cili do të kalohet nga Parlamenti përsëri, të jetë vetëm sipas standardeve europiane dhe të garantojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta për të gjithë”, - tha Prifti.
13 Dhjetor 2008