E Hënë, 2 Nëntor 2026

Suksesi i fushatës te mesazhi

22/03/2005  Kompania amerikane nis zyrtarisht punën për fushatën elektorale të Partisë Demokartike

BG&R organizoi zgjedhjet e Xhorxh Bush dhe të Jushçenkos

Drejtori i Kompanisë Amerikane të Zgjedhjeve, Barbour Griffit & Rogers, Lany Griffit, tha dje se suksesi i fushatës elektorale të PD-së nuk do të varet tek organizimi, por te mesazhi që do t'u përcillet shqiptarëve. Kompania në fjalë do të jetë zyrtarisht menaxherja e fushatës elektorale të PD-së në zgjedhjet e ardhshme. BG&R vjen në Shqipëri pas menaxhimit të fushatës elektorale të Presidentit Bush, apo të subjekteve politike në Ukrainë me Jushçenkon, Maqedoni, Serbi etj. Në fjalën e tij, Griffit u shpreh i sigurt për fitoren e opozitës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. "Suksesi i fushatës nuk do të jetë te mënyra e organizimit, por do të jetë te mesazhi që do t'i dërgohet popullit shqiptar dhe ne do të ndihmojmë zotin Berisha në dhënien e këtij mesazhi", tha Griffit.

Akuzat

Drejtori i Kompanisë Amerikane, Lanny Griffit, u shpreh i sigurt në fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme. Në fjalën e tij, Griffit akuzoi qeverisjen aktuale si të korruptuar dhe të paaftë për të arritur integrimin e vendit në organizmat perëndimore. "Askush, të paktën askush që unë njoh, nuk ka besim se vazhdimi i udhëheqjes së dështuar të Nanos dhe PS do të arrijë të bëjë diçka tjetër, përveçse përkeqësimit të mëtejshëm të problemeve të Shqipërisë dhe rrjedhimisht të qytetarëve të saj. Pa një udhëheqje të re, pa ndryshim qeverisjeje, e ardhmja e Shqipërisë është në rrezik", tha Griffit. Më tej, drejtori i kompanisë u shpreh se është i bindur në fitoren e opozitës. Sipas tij, kompania në pjesën dërrmuese të rasteve menaxhon forcat politike me më shumë shanse për fitore. "Ne e kemi provuar në vende të ndryshme të botës dhe kemi qenë të suksesshëm. Është e vërtetë se ndonjëherë nuk kemi patur suksesin që kemi dashur. Për sa i përket Shqipërisë, duke iu referuar dhe përvojës profesionale, jam i bindur se këtu do të kemi sukses", tha Griffit.

Berisha

Kreu demokrat Berisha, gjatë fjalës së tij, tha se BG&R përveç drejtimit të fushatës elektorale të PD-së do të ketë si mision dhe monitorimin e zgjedhjeve. Sipas tij, kompania në fjalë është njohur me situatën në vend, si dhe është në dijeni të faktit se Shqipëria nuk arrin dot të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. "BG&R është një kompani e madhe, e cila ka kontribuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe udhëheqja e saj e ka të qartë se Shqipëria renditet në hartën e vendeve pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pasioni i tyre për votën e lirë është përkushtimi i parë i kësaj kompanie", tha Berisha. Në fjalën e tij, kreu demokrat përsëriti dhe një herë premtimet e tij për hapjen e vendeve të punës dhe luftën kundër korrupsionit.

Berisha kërkon fonde nga degët për faturën

Pagesa për specialistët e BG&R, sipas Sali Berishës, do të përballohet nga vetë Partia Demokratike. Kreu demokrat tha se deri më tani nëndegëve të PD-së u është vënë një taksë pagese, për të mbuluar shpenzimet e kësaj kompanie. "Për sa i përket kontratës, ka një kontratë profesionale, e cila do të trajtohet sipas përshkallëzimit të punëve që ka, dhe kështuqë nuk jam në gjendje të them diçka përfundimtare në këtë moment. Dua t'ju them se shpenzimet po përballohen që të gjitha nga një tagër i caktuar i nëndegëve tona, që varion në shuma mjaft të arsyeshme. Është shpërndarë në zonën e ultësirës në pjesë të barabarta dhe në zonën lindore, juglindore dhe lindore natyrisht në tagër të përgjysmuar. Por, të gjitha degët janë të angazhuara ta përballojnë", tha Berisha. Për sa i përket pagesës, Griffit tha se ajo është një marrëveshje mes kompanisë dhe kreut të PD-së, por gjithsesi më e reduktuar se pagesat e zakonshme, që merr kjo kompani për të njëjtën punë. "Për sa i përket pagesës, mund t'ju them se e kemi të fshehtë. Berisha mendon se është e madhe si shumë, ndërsa unë mendoj se është shumë pak", tha Griffit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›