Pollo kundër “Pollos” për emërimin kancelarëve
Jonida Tashi
Projektvendimi i ri i Ministrisë së Arsimit për kancelarët e universiteteve kundërshton Ligjin e Arsimit të Lartë, pasi i jep kancelarëve më shumë kompetenca nga sa u njeh ligji. Disa nga kompetencat që Ministria e Arsimit kërkon t’i jepen kancelarit në universitete janë: Drejton administratën e universitetit; Vendos për punësimin e stafit akademik dhe atij ndihmës; I kërkon ministrit të anulojë vendimet e rektorit dhe organeve kolegjiale; Administron pronën publike te universitetit. Përballë kësaj situate rektorët e universiteteve akuzojnë ministrin Genc Pollo se po kërkon të kontrollojë e drejtojë edhe universitetet. Sipas rektorëve, ky draft shkel hapur ligjin e Arsimit të Lartë. Në nenin 22 të tij, thuhet se kancelari që emërohet direkt nga Ministri i Arsimit, mban përgjegjësi për drejtimin financiar dhe zbatimin e buxhetit në shkollat e larta. Ndërsa kompetencat e tjera që Pollon kërkon ti japë kancelarit, sipas rektorëve, cenojnë autonominë e shkollave të larta. Pikërisht për këtë ata i bëjnë apel Kryeministrit Sali Berisha të kthejë mbrapsht projektvendimin, pasi në të kundërt do t’i drejtohen organeve të drejtësisë. Sipas zëvendësministres së Arsimit Adriana Gjonaj, pozicioni i kancelarit është mjaft i rëndësishëm dhe sipas ligjit, ai është përgjegjës për drejtimin e përditshëm administrativ dhe financiar të institucionit, zbatimin e buxhetit, mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarive financiare dhe zbatimin e ligjshmërisë. Po sipas saj, kandidatura e kancelarit përzgjidhet nga Këshilli i Administrimit i IAL, por miratohet, si edhe me parë, nga ministri i Arsimit.
Ligji
Ndërsa në nenin 22 të ligjit për arsimin e lartë përkatësisht thuhet se: “Kandidatura për kancelar e një institucioni të arsimit të lartë përzgjidhet nga këshilli i administrimit dhe rektori ia paraqet atë Ministrit të Arsimit dhe Shkencës për miratim. Kancelari fakultetit ose i njësive të tjera kryesore duhet të ketë formim universitar, juridik ose ekonomik dhe së paku 5 vjet përvojë pune. Ai emërohet nga rektori mes tri kandidaturave të propozuara nga këshilli i administrimit i institucionit”. Sipas rektorëve të universiteteve, projektvendimi i MASH-it për të drejtat, detyrat procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të kancelarit në universitet është një agresion kundër pavarësisë së universiteteve. Pikërisht për këtë çështje, Ardiana Gjonaj, në një konferencë për shtyp dje u shpreh se në zbatim të ligjit të Arsimit të Lartë, qeveria dhe MASH kanë përgatitur një sërë aktesh nënligjore, duke filluar nga rregullorja e zgjedhjeve, të cilat u zhvilluan në një periudhë të shkurtër, korrekte dhe pa incidente dhe një sërë aktesh të tjera që kanë synuar reformimin e gjithë sistemit të Arsimit të Lartë.
Sqarimi
Gjonaj sqaron se në këtë kuadër, sipas ligjit të Arsimit të Lartë, (neni 22/3 kërkon një akt të veçantë nënligjor), është përgatitur dhe projektvendimi i qeverisë për procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të kancelarit të IAL-ve. “IAL janë institucione publike që gëzojnë liri dhe autonomi në veprimtaritë e tyre, por që financohen nga buxheti i shtetit dhe nuk janë të pavarura nga shteti. Shteti ka përgjegjësinë publike për mbarëvajtjen e këtyre institucioneve, mirëqeverisjen e tyre dhe transparencën ndaj publikut”, pohoi Gjonaj. Gjithashtu, ajo ka bërë të ditur se projektvendimi i shqyrtuar dhe në Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës (KALSH), që përbëhet nga ekspertë nga më të mirët e Arsimit të Lartë, do të miratohet në qeveri.
Reagimet
Ndërsa reagimet e rektorëve të universiteteve publike ajo i ka cilësuar si shprehje të skajshme që janë krejt të papërshtatshme për çdo zyrtar arsimi. Kreu i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule e ka cilësuar si të padrejtë projektvendimin e Ministrisë së Arsimit për emërimin e kancelarëve në universitete. Sipas tij, ky është një vendim i padrejtë, pasi emërimi i kancelarëve në rektorate nuk është një e drejtë e ministrit të Arsimit. Por kundër këtij vendimi nuk është vetëm Kule, por edhe rektorët e universiteteve të tjera në vend. Sipas rektorëve të universiteteve, projektvendimi i MASH-it për të drejtat, detyrat procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të kancelarit në universitet është një agresion kundër pavarësisë së universiteteve. Në emër të Shoqatës së rektorëve të universiteteve publike Dhori Kule i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit që të veprojë në mënyrë të ligjshme, duke diskutuar këtë projektligj me institucionet që ai cenon.
Ligji i Arsimit të Lartë
Neni 22
1. Autoritete të tjera të institucionit publik të arsimit të lartë janë:
a) kancelari i institucionit;
b) zëvendësrektori/ët;
c) zëvendësdekani/ët apo zëvendësdrejtori/ët;
ç) kancelari i fakultetit ose i njësive të tjera kryesore.
2. Kancelari i institucionit është përgjegjës për drejtimin e përditshëm, administrativ dhe financiar të institucionit, për zbatimin e buxhetit, për mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimeve financiare, si dhe për zbatimin e ligjshmërisë.
3. Kandidatura për kancelar e një institucioni të arsimit të lartë përzgjidhet nga këshilli i administrimit dhe rektori ia paraqet atë Ministrit të Arsimit dhe Shkencës për miratim. Kancelari i një institucioni të arsimit të lartë duhet të ketë formim universitar, juridik ose ekonomik dhe së paku 5 vjet përvojë pune. Procedura e përzgjedhjes dhe emërimit të kancelarit të institucionit përcaktohet me akt të veçantë.
4. Zëvendësrektorët emërohen dhe shkarkohen nga rektori, pas miratimit të kandidaturave të propozuara prej tij në senatin akademik.
5. Zëvendësdekanët/zëvendësdrejtorët emërohen dhe shkarkohen nga dekani/drejtori pas miratimit të kandidaturave të propozuara prej tij në këshillin e fakultetit/institutit të kërkimit dhe zhvillimit.
6. Kancelari i fakultetit ose i njësive të tjera kryesore është përgjegjës për drejtimin e përditshëm, administrativ dhe financiar të fakultetit, për zbatimin e buxhetit, për mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimeve financiare, si dhe për zbatimin e ligjshmërisë.
7. Kancelari i fakultetit ose i njësive të tjera kryesore duhet të ketë formim universitar, juridik ose ekonomik dhe së paku 5 vjet përvojë pune. Ai emërohet nga rektori mes tri kandidaturave të propozuara nga këshilli i administrimit i institucionit.
8. Institucionet publike të arsimit të lartë përcaktojnë në statutet dhe rregulloret e tyre të drejta dhe detyra të tjera të këtyre autoriteteve, si dhe kualifikimet respektive.
MASH: “Pozicioni i kancelarit është mjaft i rëndësishëm dhe sipas ligjit, ai është përgjegjës për drejtimin e përditshëm administrativ dhe financiar të institucionit, zbatimin e buxhetit, mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarive financiare dhe zbatimin e ligjshmërisë. Kandidatura e kancelarit përzgjidhet nga Këshilli i Administrimit i IAL, por miratohet, si edhe me parë, nga ministri i Arsimit”
Ligji: “Kandidatura për kancelar e një institucioni të arsimit të lartë përzgjidhet nga këshilli i administrimit dhe rektori ia paraqet atë Ministrit të Arsimit dhe Shkencës për miratim. Kancelari i një institucioni të arsimit të lartë duhet të ketë formim universitar, juridik ose ekonomik dhe së paku 5 vjet përvojë pune. Procedura e përzgjedhjes dhe emërimit të kancelarit të institucionit përcaktohet me akt të veçantë. Kancelari i fakultetit ose i njësive të tjera kryesore është përgjegjës për drejtimin e përditshëm, administrativ dhe financiar të fakultetit, për zbatimin e buxhetit, për mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimeve financiare, si dhe për zbatimin e ligjshmërisë. Kancelari i fakultetit ose i njësive të tjera kryesore duhet të ketë formim universitar, juridik ose ekonomik dhe së paku 5 vjet përvojë pune. Ai emërohet nga rektori mes tri kandidaturave të propozuara nga këshilli i administrimit i institucionit”
22 Maj 2008