Hapni kutitë e Sigurimit
Dënimet e krimeve të nazizmit kanë filluar qysh nga '45 dhe vazhdojnë dhe sot. Sado që këta gjakatarë janë shpërndarë anë e kënd rruzullit, vjen një ditë dhe japin llogari, për krimet e kryera ndaj njerëzimit. Kur vjen momenti për të vlerësuar se ku ka qenë diktatura më e egër në vendet komuniste, ne zëmë vendin e parë. Këtë e thonë të huajt kur vizitojnë Shqipërinë dhe raportin e mbyllin me ato të vërteta që kanë ndodhur në Shqipëri për 50 vjet rresht. Deviza e këtij pushtetit kishte pushkatimet, burgosjet, internimet, shpronësimin deri në palcë. Në Shqipëri ka një organizatë për të drejtat e njeriut që hesht dhe asnjë fjalë nuk thotë, kemi dhe një goxha Avokat të Popullit, që mbasi bëri ujkun, tani do të bëjë qengjin, që nuk ndihet fare, vetëm po preke ndonjë komunist për ta lëvizur dhe paralel nga puna, shqetësohet dhe e mbron me fanatizëm, se po pastrojnë politikisht administratën. Disa media tregojnë çdo ditë përralla për diktatorin. Dalin plot sigurimsa që tregojnë versione të ndryshme për vrasjet midis tyre. Po ashtu ka gazeta që shpesh marrin në intervista të venë e diktatorit, shumë e shumë përralla "heroizma" e nuk lënë gjë pa kujtuar. Nuk ka ditë që më shumë se 5-6 gazeta nxjerrin shkrime të shoqëruara dhe me fotografi të këtyre tiranëve. Pra e thënë shkurt pasqyrohet me shumë kujdes dhe sipas porosive dhe me radhë vetëm njërën anë të medaljes. Të gjithë këta tregojnë me mburrje se "luftuan zbathur pa ngrënë, në shi e në dëborë" dhe mburren se sa gjermanë ka vrarë njeri e sa tjetri, sa shqiptarë ka vrarë njeri e sa tjetri, sa shtëpi kanë djegur pasi i kanë grabitur. Këta tregojnë vetë me gojën e tyre se çfarë kanë bërë me këtë popull të sfilitur. Gjithë kjo batërdi e tyre, trumbetohet si heroizmat në tregimet e përrallave. Po kush e bën gjithë këtë propagandë me ç'qëllime? Pse kërkohet të mbahet gjallë kjo frymë e keqe dhe vëllavrasëse? Përse nuk shkruhet asnjë fjalë për Shqipërinë me tela me gjemba, për krimet monstruoze të regjimit diktatorial? Përse nuk shkruhet se sa burgje e kampe internimi ka pasur në Shqipëri? Përse nuk thuhet se sa skllevër punonin në thellësi të galerive, që tu siguronin jetën përrallore pashallarëve të kuq? Përse nuk shkruhet se sa janë vrarë dhe kanë mbetur brenda telave me gjemba të Spaçit, Qaf Barit dhe në shumë burgje të tjerë të rrethuar me tela me gjemba? Përse nuk shkruhet se ku janë shkaktarët dhe shërbëtorët e kësaj të keqe, që vranë intelektualë shqiptarë? A kanë qenë shqiptarë këta? A vazhdojnë të paguhen akoma këta xhelatë? Pse nuk shkruhet se sa herë punohet këneta e Maliqit, vetëm eshtra njerëzish dalin? Ju që merrni në intervista të harruarin "shokun" Pilo. Pyeteni, çfarë di për këtë kënetë? Të kujt janë këto eshtra që dalin nga këneta? Pse rënkon këneta? Sa njerëz të familjeve të mëdha pasanikësh ka grabitur ky "partizan"? A janë këta grabitës që vepruan për 50 vjet në emër të sistemit grabitës e vrasës që e quanin komunizëm? Ku është ky shtyp që nuk i pasqyron këto krime? Meqë shtypi apo televizioni sajojnë trimërira dhe për të gjithë sa plaken dhe vdesin, përkufizimi është "U nda nga gjiri ynë, luftëtari dhe trimi i paepur". Dhe ai që mban fjalën e rastit vazhdon "…se ka qenë trim i rrallë dhe në një nga aksionet e kryera ka vrarë mbi 80 gjermanë dhe gjithmonë qëllonte në këmbë". Këto thënie lexohen në çdo varrim, vetëm ndryshohet numri i gjermanëve të vrarë. Të gjithë këto "heroizma" të bëjnë të besosh se fronti i dytë është hapur këtu dhe zbarkimi i aleatëve nuk është bërë në Normandi. Këtu në Shqipëri gatuheshin mendime nga më pesimistet, dilnin të reja më të pabesueshme, që merreshin për të vërteta dhe përhapeshin në të gjithë vendin. Këtu janë marrë dhe vazhdojnë të merren vetëm me intriga egoiste dhe meskine. Në Çeki është bërë një ligj kohët e fundit për të dënuar këto krime. Një parlamentar me sa më kujtohet suedez, kërkon që krimet e komunizmit të ndëshkohen barabar me krimet e nazizmit. Këta vrasës nuk e dinë çdo të thotë të derdhësh gjak të pafajshëm, nuk e dinë çdo të thotë të humbasësh njerëzit më të dashur dhe aq më keq që janë pa varr. Nuk e dinë se ç’është këneta e Maliqit, Tërbufit, Zadrima, kriporja e Vlorës, galeritë e Spaçit e qafë Barit. Nuk e dinë famëkeqin Burrel, se sa kocka burrash trima që e deshën Shqipërinë të shkolluar në perëndim, treten dalë nga dalë e pa ditur të kujt janë. Aty mbi këto kufoma të sakatosura shqiptarësh, skllevërit e bujqësisë punojnë e mbjellin vreshta me rrush. Sigurimi punonte natën sa herë kishin për të varrosur ndonjë të pushkatuar, apo të mbytur me thonj dhe injeksione. Ditën po në këtë vend punohej nga fshatarët, ku altoparlanti çirrej për jetën e lumtur që bënte ky skllav, ditët e lumtura që i solli socializmi i cili i mësonte në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën. Këtu heshtet, vetëm heshtet. Të thotë mendja se këto tmerre kanë ndodhur në një planet tjetër. Kush duhet ta bëj këtë? Ata që shkaktuan këtë tragjedi ikën duke ngrënë njëri-tjetrin. Kanë lënë pasardhësit, fanatikët e sigurimit, që tregojnë me mburrje se sa shqiptarë kanë vrarë, sa kanë prerë në besë e sa janë zhdukur. Ne të shkatërruarit mendojmë duke qarë se ku mund t’i gjejmë njerëzit tanë të dashur të zhdukur barbarisht. Pala tjetër numëron dekoratat dhe shijon pensionin në shërbim të sigurimit nga diktatori. Ata duhen gjetur dhe duhet vendosur në vend nderi dhe shkaktarët të ndëshkohen. Ata janë shqiptarë dhe me patjetër duan një varr ku të shkojnë të afërmit e gjallë e t'i qajnë sipas zakonit. Pjesa e gjallë e këtyre të humburve, që tash janë të shkatërruar përjetësisht, presin dhe presin vlerësime, përkrahje pa rezerva për të jetuar normalisht në tokën që i lindi dhe do i kalbi. Kërkojnë bukë dhe strehë e jo për të shkuar në Kaliforni për pushime. Të pavdekshëm nuk ka, por dhe të përkrahet përjetësisht xhelati nuk duhet të ketë.
Kush duhet ta bëjë këtë?
Veç fanatikëve të së keqes, veç atyre që i kanë ngritur në zenith këtë të keqe, pa kërkuar ndihmë as nga përkrahësit dhe përfituesit nga kjo tragjedi kombëtare është vetëm një forcë e pamposhtur që quhet, LIGJ dhe këtë LIGJ e kanë në dorë dhe e shtrëngojnë fort, ata që duhet të ndëshkohen. Askush nuk bën llogari, apo ta çojë në mendje se sa familje janë zhdukur, askush nuk mendon apo thotë se sa kanë pësuar tronditje të theksuar psikike, askush nuk do t'ia dijë sesa NËNA ka që Sigurimi i veshi me të zeza për tërë jetën, duke ulëritur e qarë me fytyrë nga qielli me - lutjet "O zot, mirë që na vranë djemtë, apo burrin, apo nënën, më bëj të shoh një ëndërr që t'i gjej, se s'kam ku të qaj. Se ku janë vrarë e hedhur, po s'ka eshtra, të marr pak dhe` atje ku dha frymën e fundit, atje ku gjaku ka rrjedhur në natën e kobshme. O zot më dëgjon! Ndëshkoi këta që më thanë gjoksin, që më bënë të qaj gjithë jetën! Ju o xhelatë që jeni strehuar në shtetet më të fuqishëm të botës, duke lënë mbrapa vetëm lumenj gjaku, ju o të pashpirtë, dhe juve që jeni këtu dhe në kokë mbani kapele republike, që lindët, u rritët dhe tani ecni të kërrusur nga pesha e krimeve që keni kryer, nuk e njihni dhimbjen, asnjëherë mos bëfshi gjumë”. Hygoi i madh thotë: Se për një nënë që ka humbur djalin e saj, gjithmonë zemra është si në ditën e parë të dhimbjes. Sado kohë të kalojë, sado që të zbardhen rrobat e zisë, zemra e nënës mbetet e zezë". Mjaft me këto kufoma dhe skelete të komunizmit nëpër ekranet e televizioneve apo nëpër faqet e gazetave, na lini me gëzimin dhe shijen e ëmbël të 20 shkurtit 1990, që po ky popull i ka bërë nderet që meritonte diktatorit në sheshin përpara Heroit Kombëtar SKËNDERBEUT. U vulos njëherë e përgjithmonë. Shkrimet nëpër gazeta nuk kanë vlerë, as nuk mund të ndryshojnë përfundimin. Këtu akoma shkon me thënien e komandantit legjendar se “ku ai vë këmbën ne vëmë kokën”. Po këtu përkrahet dekorimi i Fehmi Avdiut për meritën e varjes së të ndjerit Avzi Nela në Kukës pasi kishte bërë 24 vjet burg. Kjo duhet kërkuar. Këto kuti duhen hapur të dalë e vërteta në shesh. Të gjithë e dimë shumë mirë se vrasësi i Genc Lekës dihet se kush është, ndërsa vrasësi i Vilson Blloshmit është dekoruar nga ambasada franceze. Të gjitha këto duan një përgjigje.
I burgosur politik