E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj: Me ju për sfidat e Kosovës

• Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbërriti dje pasdite në aeroportin “Prishtina”, ku u prit si hero nga udhëheqja e AAK-së, përfaqësues politikë dhe qytetarë të shumtë, pas vendimit të Hagës për pafajësinë dhe lirimin e menjëhershëm të tij.

 Sapo mbërriti në Kosovë Haradinaj deklaroi se, ndjehet shumë mirë në mes të popullit të Kosovës. Ndalesa e parë ishte pranë familjes së tij, ndërsa në orët e mbrëmjes Haradinaj iu drejtua popullit të Kosovës, ku theksoi edhe një herë se Gjykata e Hagës vërtetoi se lufta e popullit të Kosovës ishte e drejtë dhe se tashmë ai vetë do të përpiqej ta çonte Kosovën më para me angazhimin e tij të plotë në politikë, duke u përballur bashkë me elitën politike në Kosovë për të ecur sa më shpejt drejt integrimeve euroatlantike dhe sfidave të mëdha që e presin vendin. Festimet e shumta në sheshet e qyteteve kryesore të Kosovës u organizuan nga partia që drejton Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Festime
Vendimi i Gjykatës së Hagës është pritur në mënyrë festive në Prishtinë dhe të gjithë Kosovën. Qindra qytetarë me flamuj kombëtarë dhe ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë dalë në sheshet e Prishtinës duke brohoritur “Ramush Ramush”, ndërsa ish-kryeministri që po gjykohej prej tre vitesh në Hagë u rikthye në Kosovë i “zhveshur” tërësisht nga të gjitha akuzat. Lirimi i Haradinajt u përcoll me brohoritje, duartrokitje dhe me fishekzjarrë edhe nga qytetarët e Deçanit. Atmosferë festive ishte edhe në Pejë, sidomos në selinë e degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, themelues i së cilës ishte vetë Ramush Haradinaj me disa bashkëluftëtarë të tij.
Historia
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u akuzua për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, më 8 mars të vitit 2005. Ai dha dorëheqje nga drejtimi i qeverisë (post që e kishte marrë vetëm 100 ditë më parë) dhe u dorëzua në Hagë, duke thënë se ishte i bindur se pafajësia e tij do të dëshmohej. Gjykimi i Haradinajt në Hagë ishte gjykimi i dytë ndaj shqiptarëve të Kosovës, pas atij ndaj Fatmir Limaj, aktualisht ministër në qeverinë e Kosovës. Edhe Limaj u shpall i pafajshëm nga të gjitha akuzat. Në treshen kosovare të gjykuar së fundmi, Idriz Balaj u shpall gjithashtu i pafajshëm, ndërsa Lahi Brahimaj u dënua me gjashtë vjet heqje lirie.
Çeku
Lirimi i Ramush Haradinaj “Ishte një lajm shumë i mirë dhe i pritshëm, për mua dhe për familjen e zotit Haradinaj, por edhe për gjithë shqiptarët kudo që janë. Haradinaj ka qenë aktiv tërë kohën në politikë dhe është drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë politike që sot është në politikë. Eshtë një lider shumë i rëndësishëm për politikën në Kosovë, për stabilitetin në Kosovë, për të ardhmen e Kosovës. Emri i tij lidhet ngushtë edhe me luftën, por edhe emri i familjes së cilës i përket. Ai do të jetë një faktor shumë i rëndësishëm. Besoj që edhe partia që ai drejton do të jetë edhe më e fuqishme dhe duke njohur atë, mendoj që çfarëdo roli që të luajë do të jetë në shërbim të vendit dhe proceseve dhe besoj që do të jetë një opozitë pozitive”, tha ish-kryeministri Agim Çeku.
Reagime nga Beogradi
Beogradi e vlerësoi si skandaloz dhe të pabazë, grusht për stabilitetin në rajon vendimin për pafajësinë e Haradinajt. Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, tha se, vendimi “i errët” për lirimin e Haradinajt, dëshmon plotësisht se fjala është për gjykatën e cila, veç të tjerash, sipas tij, është formuar që t’u japë vërtetime zyrtare pafajësie atyre që kanë bërë krime, si Haradinaj. “Gjykata e Hagës po tallet me drejtësinë dhe viktimat e pafajshme që kanë pësuar nga dora e Haradinajt”, u shpreh ai. Edhe presidenti pro-evropian, Boris Tadiç, shprehu mospajtimin e tij me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për pafajësinë e ish-kryeministrit luftëtar, Ramush Haradinaj. "Një vendim i tillë nuk do të njohë drejtësi dhe nuk do të inkurajojë serbët dhe pjesën tjetër të popullsisë jo shqiptare për një jetë të pashme dhe të sigurt në Kosovë", tha Tadiç.

Shqiptarët në Mal të Zi, të ndarë
Për herë të parë pas më shumë se një dekade, partitë shqiptare në Mal të Zi janë të ndarë mbi kandidatët presidencialë në zgjedhjet e kësaj fundjave. “Udhëheqja aktuale na ka zhgënjyer, nuk është nevoja të pritet kaq gjatë për njohjen e Kosovës”, tha Smail Çunmulaj, drejtues i Alternativës Shqiptare. Ferhat Dinosha nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve u shpreh se, “Mali i Zi nuk ka nevojë të nxitohet për të njohur Kosovën, pasi synon integrimin euroatlantik dhe do ta njohë Kosovën në rrugë e sipër”.

“Dështon” marrëveshja ruso-serbe
Qeveria e përkohshme serbe “dështoi” të mbështesë projektmarrëveshjen e fundit për bashkëpunim me Rusinë në fushën e energjisë. Kryeministri Koshtunica u bëri thirrje ministrave të miratojnë marrëveshjen për energjinë që ajo t’i kalojë Parlamentit për ratifikim para zgjedhjeve. Por presidenti Tadiç tha se, një marrëveshje e kësaj rëndësie duhet të ratifikohet nga institucionet shtetërore, me autoritet të plotë demokratik pas zgjedhjeve.

Jeremiç: KFOR të mbrojë serbët
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se Ballkani Perëndimor do të jetë vend problematik deri kur i tërë rajoni të integrohet në Bashkimin Evropian. Gjatë fjalimit në Këshillit të Partneritetit Euroatlantik, Jeremiç tha se, Serbia pret nga KFOR-i që të mbetet neutral, ta mbajë rendin në mënyrë më të fuqishme dhe t’i mbrojë serbët e Kosovës nga kërcënimet me të cilat hasen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›