Konica mburr Mbretin Zog: “Italia, aleate e Shqipërisë”
Faik Konica
Dëshiroj t’ju dërgoj falënderimet e mia që keni dërguar në Shqipëri një nga korrespondentët tuaj, G. E. R. Gedye, për të zbuluar nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta se si ecin gjërat në këtë vend. Në njoftimin e botuar në “The New York Times” më 20 janar, me titullin “Revolta shqiptare, çështja e një njeriu”, zoti Gedye ka nxjerrë në pah vënien në lojë të një “revolte” të ndodhur së fundi. Kjo është bërë në mënyrë që publiku amerikan, falë “The Times”-it, të mund të shohë tashmë që e gjithë seria e rrëfenjave të përflakura lidhur me betejat e furishme dhe shpërthimin e bombave, i botuar afro tri javë në shtypin amerikan, të përmblidhet vetëm në faktin se si një oficer i caktuar, i shkarkuar dhe i detyruar të zhdukej, kishte një shërbëtor, i cili u plagos gjatë arratisjes së tij.
Vlerësimet për mbretin
I jam veçanërisht mirënjohës zotit Gedye për mënyrën sesi ai është shprehur përsa u përket cilësive të mbretit Zog. Këtë sundimtar brilant dhe serioz e gjen në tavolinën e tij të punës që në orën 6 të mëngjesit dhe zelli që e karakterizon bën që ai personalisht të punojë pa përtesë deri në mbrëmje vonë për punët e qeverisë, duke i shërbyer në këtë mënyrë jo vetëm ecurisë së rendit dhe progresit në Shqipëri, por gjithashtu duke dhënë kontributin e tij lidhur me çështjen e paqes së përgjithshme në Europë. Është thjesht për spektatorët e largët dhe të painformuar, të cilët kanë një ide të mjegullt për Shqipërinë dhe janë totalisht të painformuar përsa u përket problemeve dhe vështirësive me të cilat përballet qeveria e këtij vendi, qoftë në këndvështrimin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar, për të krijuar një panoramë imagjinare për këtë njeri. Faktikisht, figura e mbretit Zog është ekzaktësisht e kundërta e asaj që mund të imagjinohet nga disa njerëz të ndershëm në Amerikë. Në një botim të fundit në Londër mbi burrin e ri të shtetit dhe të kombit, shkrimtari anglez e ka quajtur mbretin Zog “sovranin” e fundit të vërtetë në Europë.
Italia, aleate e Shqipërisë
Megjithatë, ekziston një pikë për të cilën unë nuk jam dakord me zotin Gedye; kjo ka të bëjë me çështjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me Italinë. Pa dyshim, janë të shumtë ata shqiptarë të cilët ndajnë të njëjtin mendim me të; që do të ishte në të mirë të vetë vendit dhe të paqes së Europës në përgjithësi nëse Shqipëria deklarohet një komb asnjanës, nën garancinë e Fuqive të Mëdha europiane. Por unë dyshoj për realizueshmërinë e një gjejë të tillë. Një status i tillë kërkon ekzistencën e vendeve fqinje, të gatshme për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare. A i ka Shqipëria këto vende fqinje? Ekziston një çështje mjaft e rëndësishme që duhet pasur parasysh, - shqiptarët, të bashkuar nga turqit për të pushtuar për pesë shekuj, nuk e ndiejnë domosdoshmërinë e mbrojtjes së tyre dhe besojnë në vënien e gjoksit të punës me moton: “Të jetojmë dhe t’i lëmë të tjerët të jetojnë”. Nga ana tjetër, fqinjët e Shqipërisë janë raja, ose bujkrobër, të cilët kanë atë çka dikush mund ta quajë “kompleksi i rajave” ose e përdorur me një anglishte të pastër, “psikologjinë e skllavit të çliruar”, fenomen i njohur mjaft mirë nga studentët e Historisë Romake. Këta njerëz kanë pasionin e shfaqjes së pushtetit dhe në rastin kur interesi i tyre personal tregon se ata duhet të jenë të qetë dhe të punojnë në paqe.
Për këtë arsye (edhe në këtë rast jam duke folur privatisht, duke shfaqur thjesht opinionin tim personal) unë jam i bindur se që nga rënia e Monarkisë Austro-Hungareze, e vetmja politikë serioze për Shqipërinë është t’i qëndrojë sa më afër të jetë e mundur Italisë. Unë nuk jam i verbër përsa u përket defekteve që kanë italianët. Ata kanë bërë dhe kam frikë se vazhdojnë ende të bëjnë shumë gabime në Shqipëri. Gabimi më i madh i tyre është besimi se mund të arrihet gjithçka me Shqipërinë përmes presioneve dhe kërcënimeve. Por, sërish kam besimin se këto gabime nuk janë të pakorrigjueshme. Italia ka aq shumë interes t’i qëndrojë pranë Shqipërisë sa ç’ka Shqipëria për të qenë pranë Italisë. Edhe nëse këto dy vende nuk do ta pëlqenin shumë njëri-tjetrin, diçka që unë e mohoj, dihet mjaft mirë se martesat e bëra për interes, shpeshherë kanë rezultuar më të suksesshme se martesat me dashuri.
Letra e Faik Konicës drejtuar botuesit të “The New York Times”-it është publikuar më 24 janar 1935
Titulli është redaksional
Në numrin e ardhshëm do të lexoni
“The New York Times”: “Detyra e mbretit Zog, të zbusë shqiptarët e padisiplinuar”
Reporterja e gazetës amerikane, Anne O’Rare Mçormick, përgatit një speciale për mbretërinë e re shqiptare
Sfidat me të cilat përballet Ahmet Zogu për ndërtimin dhe vendosjen e një shteti modern në Shqipëri
Raportet që duhet të mbajë me fiset e ndryshme, reformat për zhvillimin e vendit në këtë “aventurë fantastike”
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
2 Shtator 2008