E Hënë, 2 Nëntor 2026

LSI midis Shilës dhe Karibdës

03/06/2005  Tani që sondazhi i dytë për zgjedhjet në Shqipëri u krye, debati

politik fitoi një përmasë të re, atë mbi besueshmërinë e tyre. Meqë ky debat po

zë vend goxha vend në mediat shqiptare, ndoshta meriton vëmendje më të

madhe analiza rreth asaj që ato – sondazhet - kanë dashur të parashikojnë: pra,

cili do të jetë konfiguracioni politik, që do të rezultojë nga kutitë e votimit të

shqiptarëve. Po le ta nisim me një pyetje që lidhet me sebepin e shkrimit: cili mund

të ishte qëndrimi ndaj sondazheve? Në çdo lloj analize apo prognoze mbi rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri, ata nuk mund të injorohen. E para, se ato gjithsesi kanë kryer një veprimtari vërtet "hetuese" mbi prirjet e shqiptarëve. E dyta, se edhe sikur të jenë krijuar me art në tavolina, qofshin diplomatike, qofshin marifetxhinjsh të llojeve të ndryshme, ato përsëri mbështeten mbi një prirje të caktuar politike të shqiptarëve të manifestuar ndryshe, pra jo domosdoshmërisht nëpërmjet pyetësorëve të shpërndarë nga agjencitë organizuese të tyre. Pra, askush prej ideatorëve, të paktën në vija të trasha nuk do të guxonte të modifikonte ndjeshëm shfaqjen sasiore të kësaj prirjeje. Pra, në atë që partia qeverisëse, nuk do të jetë partia e parë e këtyre zgjedhjeve dhe kjo është prirja e

parë që nuk mund të kundërshtohet. Çdo vëzhgues objektiv për të interpretuar sondazhet, duhet me u nisur edhe prej reagimeve të të interesuarve dhe në këtë këndvështrim, duhet mbajtur shënim se as dhe Partia Socialiste nuk arriti ta kundërshtonte se nuk do të jetë më partia e parë. Në një shikim global të reagimeve pas sondazheve, askush nuk ka kundërshtuar edhe atë që Lëvizja Socialiste për Integrim e Kryeministrit Meta do të jetë partia e tretë. Kjo gjë duket madje edhe në komentet e sponsorizuara në gazeta të

ndryshme prej njerëzve të zotit Nano, në llojin e sulmeve që bëhen LSI, në

qëndrimin deledash që mbahet prej PS ndaj bijës së saj të padëgjueshme, etj., diku sulme, diku oferta etj. Dhe pikërisht kjo është prirja e dytë: LSI do të jetë partia e tretë. Në këtë kuptim, duke vlerësur aktivitetin e sondazheve si një biznes i mirë për të ardhmen, që mësoi shumë prej reagimeve ndaj dy sprovave të para, më e udhës do të ishte marrja me këto dy prirje kryesore që rezultojnë që tani në lidhje me rezultatin e votimit.

Skenaret për rolin e LSI-së

Nëse do të niseshim prej rezultateve të fundit në nivel proporcional të partive kryesore në rrafsh kombëtar, PD dhe PS, në zgjedhjet e lokale të 2003, i vetmi tregues që duhet konsideruar i vlefshëm në zgjedhjet politike të korrikut 2005, rezulton se diferenca midis tyre është shumë e vogël, pak më shumë se një për qind dhe në nivel absolut disa dhjetëra mijë vota. Megjithë rezultatin e sondazhit të fundit që mëton se LSI nuk i ka marrë vota PS prej shkëputjes, kjo është një e vërtetë e pakundërshtueshme. Nëse ka një element të padiskutueshëm në historinë e shkurtër politike të LSI, është pikërisht ai i çarjes që ajo ka krijuar brenda PS së madhe socialiste, midis të kënaqurve dhe të pakënaqurve të saj në të gjithë nivelet. Është e sigurt si pasojë se zoti Meta dhe stafi i tij kanë marrë mjaftueshëm njerëz prej partisë nënë, që të konvertuar në vota me siguri do të sillnin aq vota sa ta bënin PS të paktën parti e dytë. Pra, do të merrnin më shumë vota

se kjo diferencë për të cilën folëm më sipër. Mjafton ky element për të kuptuar rëndësinë e LSI-së në krijimin e qeverisë së ardhshme. Nisur nga kjo, pavarësisht vështirësisë për të pranuar mëtimin e drejtuesve të kësaj partie se do të jenë partia e parë e zgjedhjeve, mund të thuhet me siguri se LSI do të jetë partia kyç e votimeve të ardhshme. Para drejtuesve të kësaj partie nëse e konsiderojmë si forca e tretë në zgjedhjet e ardhshme dhe nëse

do të supozojmë se asnjëra prej partive të mëdha, PS dhe PD, nuk do të ketë

shumicën në zgjedhjet e ardhshme ka dy skenarë kryesorë: i pari, bashkëpunimi me PS për të krijuar qeveri të ardhshme të së majtës, dhe i dyti për të bashkëpunuar me PD. Ka dhe një të tretë, që nuk duket shumë i mundshëm: bashkëpunimi midis të gjithë partive, përjashto PS dhe PD-në, për të krijuar qeverinë, një skenar që nuk duket se do të ketë gjasa. E para, sepse nuk besohet se këto parti do të marrin aq shumë vota, dhe e dyta

se, edhe nëse marrin, ato përfaqësojnë një larushi të tillë interesash që vështirësisht mund të përbashkohen rreth një projekti politik qeverisës. Në këndvështrimin e interesit kombëtar, Shqipëria duhet të krijojë domosdoshmërisht qeveri pas korrikut 2005, madje një qeveri të mirë e të përgjegjshme që të kryejë dy funksione. E para, të firmosë Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit, proces që do të zgjatej shumë, nëse Shqipëria do të

rezultonte pa qeveri dhe me zgjedhje që do të përsëriteshin prej krizës, dhe e dyta, Shqipërisë i duhet një qeveri e mirë edhe për shkak të procesit zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Do të ishte vetëvrasje për shqiptarët në përgjithësi të kishin një qeveri të dobët në Shqipëri, apo të mos kishin qeveri në një periudhë të tillë. Kjo do të dobësonte frontin shqiptar dhe do të fuqizonte argumentet për paaftësinë qeverisëse të shqiptarëve

E pra, e imponuar nga këto interesa, në varësi të rezultatit, LSI duhet të zgjedhë midis një qeverie me PS dhe një qeveri me PD. Duke besuar, siç thonë dhe sondazhet se LSI do të ketë vota mjaftueshëm për të imponuar llojin e qeverisë, atëherë, ajo, mund të kërkojë largimin e zotit Nano nga qeveria, dhe vendosjen e zotit Meta si kryeministër. Një operacion i tillë do të dukej i vështirë, sepse zoti Nano do të kishte aq deputetë mbështetës sa të pengonte krijimin e një shumice të tillë. Gjithmonë nëse nuk do të

tentohej drejt një marrëveshjeje, që do të konfirmonte Metën kryeministër dhe bashkimin

e votave për Nanon president, gjë që duket tmerrësisht e vështirë për t’u arritur. Mundësia e tretë do të ishte një kryeministër tjetër në qeverinë PS-LSI, që duhej të ishte Rama, por nuk besohet se Meta do ta mbështeste një gjë të tillë, për shkak të mospëlqimit për të. Siç shihet, një zgjidhje e tillë do të ketë shumë vështirësi. Skenari i dytë është ai i bashkëpunimit të Metës me Berishën, që në funksion të interesave të përmendura më sipër është plotësisht i justifikueshëm. Meta mund të kërkojë të mos vendoset Berisha kryeministër, kusht i papranueshëm për demokratët, duke u futur në qeveri, ose të mbështesë nga jashtë një qeveri demokrate, në emër të interesit kombëtar, duke patur në dorë jetën e saj dhe datën e zgjedhjeve të parakohshme. Mendohet se Meta nuk do të

dëshironte të përfshihej në një qeveri, ku nuk do të ishte kryeministër, ose figurë kyçe e qeverisë, pra çdo llogari duhet të mbajë parasysh dhe ambicjen e tij personale. Nuk kanë asnjë vlerë argumentet kundër një bashkëpunimi të tillë: ajo çka luhet në 2005 për shqiptarët në përgjithësi është shumë e rëndësishme. Më në fund, Berisha i këtij viti nuk ka asnjë mundësi të përsërisë ndonjë bëmë të vjetër, për shkak të fuqisë më të vogël

politike, dhe në planin psikologjik, Nano nuk humbi vota prej bashkëpunimit me

Berishën, dhe nuk shihet pse Meta do të humbë. Një analizë e tillë lëviz në sipërfaqen e pellgut politik shqiptar, por në fund të fundit çdo lloj analize konfirmon atë që nuk mund të fshihet me asgjë: që partia e zotit Meta ka në dorë kyçin e zgjidhjes së qeverisjes së

ardhshme, por se ç’derë do të hapë, ende nuk e dimë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›