E Diel, 1 Nëntor 2026

Harasani: Largimi i FMN-së, për qëllime elektorale

“Arrogant” dhe “mendjelehtë” e quajti deputeti Andis Harasani veprimin e qeverisë Berisha për të larguar Fondin Monetar Ndërkombëtar. “Jemi të përgjegjshëm për kontributin e dhënë nga FMN për ristrukturimin e financave publike dhe sistemit bankar shqiptar”, u shpreh Harasani, duke vazhduar se është pikërisht ky institucion që po hap dyert e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, duke firmosur financat shqiptare”.

Mosfirmosja e marrëveshjes me FMN-në disa muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, sipas deputetit socialist, bëhet sepse Sali Berisha “e di se për sa kohë në Shqipëri të funksionojnë FMN dhe Banka Botërore, spotet e tij të vjedhura, të paguara po me fondet që u vidhen shqiptarëve, nuk do t’i besoj askush”.

Harasani tha se raporti i FMN-së nga njëra anë thekson qartë dështimet e kësaj qeverie në rritjen e deficitit buxhetor, në rritjen e borxhit në përmasa të papara dhe kërcënuese për ekonominë shqiptare, nivelet afrikane të zbatimit të ligjeve dhe dështimet e njëpasnjëshme në sektorin energjetik dhe spotin mashtrues të kryeministrit mashtrues dhe, nga ana tjetër, dihet se kujt do t’i besojnë shqiptarët.

“Ky skenar nuk ka se si të mos na kujtojë zgjedhjet e turpshme të 1996-s, të cilat shqiptarët vazhdojnë t’i paguajnë edhe sot”, u shpreh Harasani, duke thënë se kemi të bëjmë pikërisht me po atë president dhe ministër të fajdeve, të cilët garantuan fundosjen e kursimeve, të djersës dhe gjakut të shqiptarëve në skemat piramidale të krijuara nga vetë ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›