Harasani: Ngritja e hidrocentralit mbi lumin Devoll, korrupsion i qeverisë
Ngritja e hidrocentralit në lumin Devoll është një aferë tjetër korruptive e kësaj qeverie gënjeshtare. Pasi në lumin Devoll për ngritjen e hidrocentralit nuk është bërë anjë studim dhe përveç kësaj shkelet çdo ligj dhe konkurrim duke aplikuar procedura që shkelin çdo barazi në tender, me qëllim nxjerrjen nga gara të investitorëve serioze potencialë që vijnë në Shqipëri.
Denoncimi publik të korrupsionit të rradhës e ka bërë dje, deputeti i PS, Andis Harasani. Ai theksoi se Partia Socialiste si sot në opozitë dhe nesër në pushtet do të mbështesë çdo koncesion dhe investim direkt që sjell zhvillim, veçanërisht në sektorët e ndjeshëm si energji, infrastrukturë, dhe ujësjellësa, por në asnjë mënyrë nuk mund të bashkohemi dhe të mbështesim procedura koncesionare joreale, jotransparente dhe korruptive si ajo mbi lumin Devoll.Sipas tij, konkurrimi është bërë mbi bazë kriteresh që e bëjnë projektin jo feasible duke sjellë largimin e 11 kompanive serioze dhe me përvojë në këtë fushë jetike për Shqipërinë. Një kompani nga më seriozet në Europë dhe në botë, shtoi Harasani pasi s'kualifikohet nga tenderi si e paaftë për të ndërtuar veprën, pak ditë më vonë i kërkohet t'i bashkëngjitet fituesi. Harasani tha se në dokumentet fillestare kërkohet përfundimi i HEC mbi lumin Banjë, dhe në kontratën e miratuar nga Qeveria Shqiptare kjo nuk përmendet. Ai nënvizoi se shkelet ligji mbi koncesionet pasi në vend të jetëgjatësisë së aprovuar prej 35 vitesh në ligjin e koncesioneve, në kontratë kompanisë fituese të paracaktuar i jepet e drejta që ta shtyjë pa afat. Kompania fituese, tha Harasani nuk merr përsipër të dëmshpërblejë asgjë për përmbytjet masive që do ndodhin në këtë zonë. Gjithashtu, sipas tij jepen lehtësira fiskale për koncesionarin dhe pranohen kushte dëmshpërblimi nga shteti shqiptar që për periudha afatgjata si në rastin e këtij koncesionit do të dëmtojnë seriozisht buxhetin e shtetit shqiptar. Harasani u shpreh se askush nuk thotë se kush janë partnerët shqiptarë që i janë bashkëngjitur me porosi këtij koncesioni, dhe aq më keq, sillet kontrata në parlament dhe kompania shqiptare nuk ka as numër nipti dhe as është e regjistruar në organet tatimore shqiptare. Përfitimi për shtetin shqiptar nga ky koncensionar është qesharak! Po ju bëjmë të njohur që është ekzaktësisht pesë herë më pak se në rastin e koncensionarit të dhënë po nga qeveria Berisha në 97, u shpreh Harasani. Në rastin e rast e hidrocentralit, Harasani tha se Ministria ka konsumuar një vepër të rëndë penale. Deputeti socialist, së fundi ka kërkuar qeverisë të rishikojë kontratën duke mbajtur parasysh eliminimin e favorizimeve korruptive dhe mbi të gjitha interesat e popullit shqiptar.