E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Persona te papergjegjshem na investuan per bombe te rreme ne Shkoder

Update

Shkodër, 23 shkurt 14:57 NOA – Policia e Shkodrës doli para pak minutash me një qëndrim zyrtar në lidhje me dyshimet për eksploziv pranë shkollës fetare dhe banesës së kryeparlamentares, duke denoncuar “persona të papërgjegjshëm që investojnë policinë”.

Në deklaratën për media, Drejtoria e Policisë së Shkodrës informoi se sot paradite, personeli i shkollës jopublike, 9-vjeçare “Zemra e Krishtit”, në lagjen “Mark Lula” të qytetit, sinjalizoi se në afërsi të portës kryesore, pikërisht jashtë mureve rrethuese të shkollës, ndodhej një pako e dyshimtë.

Drejtoria rajonale e policisë komunikoi me Policinë e Shtetit dhe kjo e fundit e urdhëroi sektorin vendor që të mos bëjë asnjë veprim, duke dërguar në vendin e supozuar të lëndës plasëse, një ekip ekspertësh antieksploziv të repartit RENEA.

“Pasi u bë sigurimi i vendit dhe evakuimi i të gjithë personave që gjendeshin në shkollë dhe në një rreze disa qindra metrash përreth saj, u morën masa për verifikimin e pakos dhe asgjësimin e saj”, - detajoi policia.

Ajo konkludoi se ekspertët antieksploziv, konstatuan që në pako ishin vendosur tre fishekzjarrë, të cilët nuk paraqisnin asnjë rrezikshmëri.

“Pakoja ishte një ambalazhim fishekzjarrësh e cila ishte bosh brenda pa asnjë lloj lende shpërthyese por dukej si imitim i një pakoje me lëndë shpërthyese”, - pranoi policia.

Ndërkohë, Drejtoria e Policisë së Shkodrës, shprehu dhe shqetësimin që persona të papërgjegjshëm, investojnë forcat policore vendore dhe nga qendra në Tiranë, në operacione të pavlera dhe që krijuan një situatë pasigurie në qytetin e Shkodrës.

r.d/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›