E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: Rama, miku ynë por s’drejton dot PS

Deputeti socialist, Andis Harasani, e komentoi menjëherë mbledhjen e Asamblesë Kombëtare duke shfrytëzuar hapësirën e tij në rrjetin social Facebook. Duke ironizuar deklarimet e Ramës në mbledhje, se bojkoti ja ka arritur qëllimit, deputeti anëtar i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS shkruan “qesharakë deklarata që bojkoti e arriti rezultatin! Për kë rezultat flitet? Humbjen e 20 mijë votave në Tiranë? Humbjen e 7 minibashkive? Humbjen e Këshillit Bashkiak në Tirane? Apo 140 mijë votat diferencë????”. Duke replikuar me simpatizantë të Partisë Socialiste, Harasani shkon më tutje duke thënë se sipas tij, “njeriu më i interesuar që të mos ketë ndryshime në PS është vetëm Berisha”. Më tej, Harasani ironizon edhe një prej partive aleate të socialistëve në opozitë “Partia G99”, duke shkruar se “e kam pak me frikë të shtrëngohem në radhë me ish- djemtë dhe djemkat e G99! Nuk i dihet se çfarë ndodh në atë radhë.....”. Në vijim të replikave me simpatizantët e së majtës dhe miqtë e tij në rrjetin social, Harasani shkruan “Rama është miku ynë. Thjesht nuk drejton dot PS! Dhe ne jemi miq të vërtetë që ja themi gjërat në sy. Jo si disa që në tavolina thonë si ne, dhe para tij të tjera”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›