Harasani: Rama nuk na përjashton dot
Deputetët e Partisë Socialiste, të cilët kanë lajmëruar hyrjen në Kuvend, pavarësisht vendimit të grupit parlamentar para datës 7 mars, përjashtojnë mundësinë e çregjistrimit nga partia në rast se thyejnë bojkotin. Deputeti i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Andis Harasani, tha dje se statuti i Partisë Socialiste nuk parashikon çregjistrim automatik në rast të mosbindjes së një vendimi politik. “Nuk mund të ketë përjashtim nga partia, sepse ne po respektojmë ligjet e shtetit shqiptar dhe Kushtetutën e shtetit shqiptar. Statuti nuk thotë në asnjë pikë dhe në asnjë moment çregjistrim të deputetëve që shkojnë në Parlament”, u shpreh Harasani. Një ditë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, deputetët e LMN-së shprehen optimist, pasi sipas tyre janë të shumtë deputetët që e mendojnë se duhet thyer vendimi i bojkotit, por kanë frikë të flasin. “Jam shumë optimist me atë çka pashë dje në mbledhjen e Asamblesë. U pa qartë që shumica e grupit parlamentar ndan të njëjtin opinion me ne, që duhet të hyjmë në Parlament sa më shpejt. Kjo jo thjesht për t’i bërë sfidë vendimit të gabuar të kryetarit në detyrë për moshyrjen në Parlament, por sepse u provua se me bojkot ne nuk arritëm dot zgjedhje të parakohshme, nuk arritëm dot as hapjen e kutive”, tha Harasani. Ai gjykoi se fjalimi i një dite më parë i kryesocialistit Edi Rama ishte tepër emocional, ashtu si strategjia e deritanishme e opozitës. “Shpreh optimizmin tim që PS do fillojë të marrë qëndrime intelektuale, qëndrime racionale dhe jo më qëndrime emocionale”, tha Harasani.
#