E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: Rama nuk u përgjigj pse humbëm në zgjedhje

Një ditë pas kongresit të jashtëzakonshëm, deputeti Andis Harasani deklaroi se kreu i Partisë Socialiste nuk i dha përgjigje tri pyetjeve që lidhen me zgjedhjet, arsyet e humbjes, përgjegjësinë që ai ka për rezultatin, si dhe strategjinë e ardhjes në pushtet e kësaj partie. "Dëgjova me vëmendje fjalimin e kryetarit në detyrë, zotit Edi Rama. Më bëri përshtypje fakti që tri pyetjet të cilat të gjithë delegatët dhe të gjithë shqiptarët, përtej së majtës dhe të djathtës, prisnin përgjigje; fakti pse humbëm në zgjedhje, çfarë përgjegjësie mban kryetari në detyrë, zoti Edi Rama për humbjen e zgjedhjeve, si PS ose e majta do të vijë në pushtet, nuk morën përgjigje nga fjalimi i zotit Rama", deklaroi Harasani. Sakaq ai shprehu keqardhjen që "gjithashtu më erdhi shumë keq të dëgjoja që u falënderuan në kongres njerëz të nderuar, por që janë jashtë partisë sonë, siç është rasti i zotit Xhufi, rasti i zotit Mustafa Muçi dhe nuk u falënderua Ben Blushi, Ben Malaj, Shpëtim Idrizi për kontributet që kanë dhënë në rrethet e tyre. "Mendoj që ishte përgjegjësi e zotit Rama dhe gjithë PS që me zotin Muçi, me zotin Xhufi, me gjithë të majtën e vërtetë të ishte ulur para zgjedhjeve dhe jo të falënderohen pas zgjedhjeve thjesht për interesa të çastit" tha Harasani.
I pyetur për tërheqjen nga gara për kreun e partisë të Arben Malajt, Harasani tha se "dorëheqja, kandidimi dhe rikandidimi janë thjesht çështje personale që varen në ndërgjegje". Harasani nuk la pa komentuar edhe kandidimin e zotit Lakrori për kreun e partisë. "Më erdhi mirë që zotin Lakrori e pashë dje në kongres pasi kisha kohë që nuk e kisha parë" u shpreh Harasani, i cili është një ndër mbështetësit e platformës së Ben Blushit. Platforma u rrëzua dy ditë më parë, duke marrë vetëm 31 vota pro. Në reagimin e mëvonshëm, mbështetësit e kësaj platforme vlerësuan se rrëzimi i saj ishte një shans i humbur për PS-në.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›