E Hënë, 2 Nëntor 2026

KESH dhe AKE, përplasje për koston e energjisë

25/12/2004  Kosto e energjisë elektrike në 2003–2004 ka qenë më e ulët se çmimi me të cilin KESH-i e ka shitur për konsumatorët e vegjël e të mëdhenj. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Energjisë, që është dhe një prej hartuesve të Strategjisë Kombëtare të Energjisë, ka deklaruar në konferencën e fundit, se gjatë dy viteve të fundit, KESH-i ka mundur për herë të parë në historinë e vet të shesë me fitim energjinë. “Gjatë viteve 2003–2004, KESH-i ka shitur energjinë mbi koston e llogaritur për herë të parë në historinë e vet“, ka deklaruar Besim Islami, kryetar i Agjencisë Kombëtare të Energjisë. Deklarata e kreut të AKE-së erdhi në një moment, kur të dy drejtuesit, e KESH-it dhe të ERE–së, sapo kishin deklaruar se dhe në 2005-ën, energjia do të shitej nën kosto. „Energjia do të vazhdojë të ketë rritje deri në 2007-ën për të barazuar koston me çmimin“, ka deklaruar kreu i ERE-së, Pjetër Dema, i pyetur në lidhje me këtë çështje. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe kreu i KESH–it, i cili vazhdimisht ka mohuar faktin se energjia shitej mbi koston. Gjithsesi i pyetur në lidhje me këtë fakt, Harasani ka deklaruar se njeh vetëm studimet e veta dhe ato i ka dorëzuar tek ERE. „Çmimet tona, kostot tona, janë ato që janë depozituar pranë ERE-së dhe është ERE që përcakton çmimet“, ka thënë shkurt dje kreu i KESH-it, i pyetur në lidhje me kostot. Harasani e ka quajtur pavend të përgjigjej në lidhje me koston aktuale të energjisë dhe çmimin me të cilin do të shitej energjia në 2005-ën. „Ne vazhdojmë të kemi të njëjtin qëndrim, ndërsa personat apo institucionet që i ndryshojnë ato, le t’i përgjigjen pyetjes“, ka deklaruar Harasani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›