Harasani: Tenderët, qeveria e zhytur në korrupsion
Partia Socialiste akuzon qeverinë e djathtë se po zhyt vendin gjithnjë e më shumë në korrupsion, duke abuzuar me fondet publike me anë të tenderëve. Deputeti i PS-së, Andis Harasani, i cili është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë, deklaroi dje në një konferencë për shtyp, se gjatë vitit 2008, administrata shtetërore ka shkelur ligjin për prokurimin publik, duke i shkaktuar shtetit miliona dollarë dëme. Duke iu referuar raportin vjetor të Avokatit të Prokurimeve, Harasani tha se, "autoritetet kontraktore zhvillojnë procedura prokurimi në kundërshtim me kriteret ligjore të përcaktimit të fondit limit, apo kur këto fonde nuk janë fare në dispozicion!". Sipas tij, procedurat e aplikimit zhvillohen me mangësi, pasi nuk mbahen procesverbalet në përputhje me kërkesat e përcaktuara në rregullat e prokurimit publik. Për këtë ka shembuj të shumtë nga Ministria e Shëndetësisë, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, etj.