E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT vlerësohet me çmim nga Banka Botërore

INSTAT njofton se bashkëpunimi i institutit me Bankën Botërore gjatë zhvillimit të "Anketës së Nivelit të Jetesës", u vlerësua me çmim në konkursin "Për përmirësimin e jetës së njerëzve në vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore", e organizuar nga B.B. Në ceremoninë e prezantimit të çmimit drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, lajmëroi edhe publikimin e afërt të studimit mbi nivelin e varfërisë në vend. Çmimi iu dha INSTAT-it për bashkëpunimin me Bankën Botërore gjatë zhvillimit të "Anketës së Nivelit të Jetesës", si dhe për forcimin e kapaciteteve të stafit.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore, z. Andreë L. Dabalen, lider i analizave të varfërisë për Ballkanin Perëndimor, u shpreh se "ky çmim është i rëndësishëm për INSTAT-in, pasi në këtë konkurrim kanë marrë pjesë mbi 250 vende me të cilat Banka Botërore ka bashkëpunuar, dhe Shqipëria e përfaqësuar nga INSTAT ishte ndër 13 vendet fituese.

Nga ana e saj, drejtoresha e përgjithshme e INSTAT, Ines Nurja, e vlerësoi këtë çmim si një stimul për të përmirësuar më tej cilësinë e punës në institucion. Ajo tha se "kjo eksperiencë me Bankën Botërore shërbeu për të vënë në dukje potencialin që përfaqëson stafi i INSTAT dhe në të njëjtën kohë na vë në pozitë për t‘u përmirësuar më tej".

Të 13 programet fituese ishin në përputhje me katër shtyllat strategjike të Bankës Botërore që janë Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit në Punë (IDA), Realizimi i Ndryshimit në Vendet me të Ardhura Mesatare, Trajtimi i Sfidave Globale dhe Inovacioni nëpërmjet Dijes dhe të Mësuarit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›