E Diel, 1 Nëntor 2026

Si u projektua fabrika e vdekjes

Më datë 15 mars 2008, rreth orës 12:00 sapo kishte filluar pushimi i drekës dhe disa punëtorë kanë filluar me nxitim transportimin e barutit, i cili ishte i paketuar në thasë plastikë i ndodhur në natyrë, në një sasi të madhe në sheshin e kapanonit. Ndërkohë, në këtë ambient janë shfaqur flakët e para pranë një karroce, e cila ka qenë e ngarkuar me disa thasë me barut, pranë një grumbulli thasësh baruti. Kjo karrocë përdorej nga grupi i punës së të ndjerit Qemal Deliu. Prokuroria e Përgjithshme për këtë ngjarje ka regjistruar procedimin penal nr.3, viti 2008, dhe ka ushtruar ndjekje penale në hetimet paraprake në ngarkim të 30 të pandehurve të sjellë për gjykim. Nga provat e grumbulluara ka rezultuar se kjo karrocë është salduar nga i ndjeri Qemal Deliu në banesën e tij, disa minuta para se të shfaqej zjarri. Zjarri ka filluar të përhapej me shpejtësi në drejtim të kapanonit. Punëtorët, duke parë se ishte e pamundur që të shuhej kjo vatër zjarri, kanë filluar të largohen nga dy drejtime kryesore, që ishin porta e hyrjes në ndërmarrje dhe një portë anësore e kapanonit. Në këto momente ka ndodhur shpërthimi i parë në sheshin para kapanonit, i cili është pasuar nga shumë shpërthime të tjera të njëpasnjëshme, për shkak të sasive të mëdha të barutit të depozituara si në ambientet para dhe brenda kapanonit, ashtu dhe në të gjithë territorin e ish-Brigadës së Tankeve, ku ushtronte aktivitetin shoqëria "Albademil shpk". Kjo ngjarje tragjike shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen rëndë të 27 personave, 109 personave të plagosur lehtë, 67 personave me dëmtime të lehta nga kjo vepër penale,
61 personave të tjerë të trajtuar në spitale, për të cilët nuk është mundësuar përcaktimi i shkallës së dëmtimit dhe shumë dëmeve të tjera. Prokuroria thotë se 5829 personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2141343616 lekë, nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime në banesa, biznese, orendi të tyre, ferma bujqësore dhe blegtorale. Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerën 102500000 lekë nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfshin shkatërrimin dhe dëmtimin e objekteve sociale, shkollave, zyrave dhe orendive të tyre.

Përgjegjësit
Hetimet e këtij procedimi penal kanë provuar se të pandehurit Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeci, kanë organizuar dhe realizuar procesin e çmontim-çmilitarizimit të municioneve, pa pasur ndonjë akt apo rregullore për procedurat standarde të sigurisë, rregullore të mbrojtjes kundër zjarrit, rregullore për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punonjësve e më gjerë, si dhe në mungesë të standardeve minimale të sigurisë, duke bërë që ky proces të jetë kaotik dhe jashtë çdo standardi sigurie. Të pandehurit, me dashje dhe në bashkëpunim, kanë organizuar dhe realizuar furnizimin dhe administrimin me municione luftarake të kalibrave 7.2 mm-152 mm dhe kanë organizuar realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të tyre, duke shpërfillur në mënyrë të hapur standardet minimale të sigurisë në këtë fushë. Kjo, sepse ndërmarrja "Meico" dhe shoqëria "Albademil shpk", që ata drejtonin, nuk kishte kontratë për blerjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim; nuk kishte projekte për çmilitarizimin dhe çmontimin e municioneve luftarake, si dhe nuk kishte përvojë në këtë fushë; nuk kishte kapacitete teknike dhe teknologji për realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit; nuk ofronte dhe nuk ka pasur asnjë plan apo planizim për zbatimin e rregullave dhe masave të sigurisë në realizimin e një procesi të sigurt për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve dhe në administrimin e sigurt të nënprodukteve të përftuara nga ky proces, i cili përbënte burim real rreziku të shtuar; nuk kishte licencë për kryerjen e aktivitetit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve; nuk kishte licencë për vendin dhe magazinimin e municioneve dhe nënprodukteve të rrezikshme të përftuara nga çmontimi dhe çmilitarizimi i tyre (barut, tritol "TNT", djegore); si dhe nuk kishte certifikatë konformiteti për të garantuar realizimin e këtij procesi që kishte të bënte me sigurinë e jetës, mbrojtjes së shëndetit dhe mjedisit. Me dashje, kanë organizuar furnizimin, me municione/shtimje të kalibrave jo të vegjël, në sasi të mëdha, rreth 150-200 tonë në ditë, jashtë çdo lloj kriteri dhe në kundërshtim të dukshëm me kapacitetet dhe aftësitë përpunuese të saj.

Përzgjedhja e kompanisë
Përzgjedhja e kompanisë amerikane "SAC inc" nga i pandehuri Fatmir Mediu dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë veprimtari kriminale, ka qenë e paracaktuar për t‘u përdorur si fasadë për publikun dhe për institucionet e tjera, me qëllim krijimin e perceptimit të rremë se do të realizohej një proces transparent, ligjor dhe që do të garantonte çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve brenda standardeve për sigurinë publike, që zakonisht e ofrojnë shoqëritë e huaja në këtë fushë, ndërkohë që provohet se në fakt është konsideruar domosdoshmëri dhe janë marrë të gjitha masat që ky proces të realizohej nga person juridik i pandehur, shoqëria "Albademil shpk", e përfaqësuar nga i pandehuri Mihal Delijorgji. Përjashtimi i ndërmarrjeve me profil ushtarak Poliçan, Gramsh dhe Mjekës-Elbasan, nga realizimi i procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, në relacionin dërguar Këshillit të Ministrave (KM) bashkëlidhur projekt-vendimit të KM të iniciuar dhe firmosur nga i pandehuri Fatmir Mediu dhe përgatitur nga bashkëpunëtorët e tij në këtë veprimtari kriminale, të shqyrtuar në mbledhjen e KM mbajtur në datë 17.02.2007, është arsyetuar se këto ndërmarrje mund të trajtojnë municione të kalibrave të mëdhenj, por nuk trajtojnë municione të kalibrave të vegjël, ndërkohë që hetimet kanë provuar se këto ndërmarrje me profil ushtarak janë diskriminuar, duke u përjashtuar nga përfshirja në këtë proces edhe për municionet/shtimjet e kalibrave të mëdhenj, të cilat i pandehuri Mediu ka urdhëruar t‘u shiten për çmontim dhe çmilitarizim shoqërive "SAC inc" dhe "Albademil shpk", megjithëse këto kompani nuk kishin teknologji, kapacitete apo përvojë për të trajtuar municione/shtimje të kalibrave të mëdhej.

Mediu "mashtroi" qeverinë
Inicimi dhe miratimi i procesit administrativ përfshin edhe projekt-vendimin e Këshillit të Ministrave, për të normuar shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim shoqërisë "SAC inc", por që në fakt ky projekt do të realizohej nga shoqëria "Albademil shpk", në relacionin dërguar Këshillit të Ministrave (KM), bashkëlidhur projekt-vendimit të KM të iniciuar dhe firmosur nga i pandehuri Fatmir Mediu dhe të përgatitur nga bashkëpunëtorët e tij në këtë veprimtari kriminale, është argumentuar se ky proces nuk do të kishte faturë financiare për buxhetin e shtetit, por do të sillte vetëm të ardhura ekonomike për shtetin, ndërkohë që hetimet kanë provuar se ky proces është planifikuar, urdhëruar dhe realizuar në interes të përfitimeve të padrejta materiale për shoqëritë "SAC inc" dhe "Albademil shpk", proces i cili në fakt i ka shkaktuar shtetit dëmtime materiale të rëndësishme në vlerën 1323600354 lekë. Inicimi dhe miratimi nga i pandehuri Fatmir Mediu dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë veprimtari kriminale, i procesit administrativ, përfshi dhe dy projekt-vendimet e Këshillit të Ministrave, për të normuar shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim të shoqërive private, gjithashtu është argumentuar se do të reduktonte ndjeshëm stoqet e municioneve të dala nga armatimi dhe përdorimi i FA, duke rritur në këtë mënyrë sigurinë publike, ndërkohë që hetimet e këtij procedimi penal kanë provuar se organizimi, planifikimi, urdhërimi i këtij procesi në të gjithë hallkat e tij është kryer në shkelje të standardeve minimale në këtë fushë, si dhe duke mosgarantuar të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve, për shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme për jetën, shëndetin dhe pasurinë publike e private, ndërsa realizimi i këtij procesi është kryer duke shpërfillur çdo rregull e standard sigurie, për natyrën e burimit të rrezikut veçanërisht të shtuar, që përbënte zhvillimi i këtij procesi në mungesë të standardeve minimale të sigurisë.
Në këtë projekt-vendim të Qeverisë është përfshirë drejtpërdrejt kompania amerikane "SAC inc" për të lidhur kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes për shitblerjen e municioneve për çmontimin dhe çmilitarizimin e tyre, pa u përcaktuar procedura dhe kriteret ligjore të përzgjedhjes së saj. Në relacionin e projekt-vendimit të KM, të firmosur nga i pandehuri Fatmir Mediu, procesi i shitjes së municioneve të kalibrit të vogël për çmontim dhe çmilitarizim është argumentuar se nuk do të kishte pasur efekte negative financiare për buxhetin e shtetit dhe se do të sillte vetëm të ardhura ekonomike për shtetin, por është provuar se ky proces, vetëm për shitjet e municioneve të kalibrave të vegjël, në fakt i ka shkaktuar shtetit dëmtime materiale të rëndësishme në vlerë 421306069,1 lekë.

Diskutimet në qeveri
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave (KM), datë 17.02.2007, është diskutuar ky projekt-vendim. Në diskutimet e anëtarëve të qeverisë është theksuar se përmbajtja e këtij projekti-vendimi nuk gjen mbështetje në bazën ligjore të tij, si dhe se realizimi i procesit të shitjes së municioneve për çmontim dhe çmilitarizim duhet të realizohet me një procedurë ankandi, ndërsa blerja e shërbimit të çmontimit dhe çmilitarizimit duhet të realizohet me një procedurë të prokurimit publik. Në përfundim, ky projekt-vendim i Këshillit të Ministrave nuk është miratuar, me vërejtjet se projekt-vendimi duhet të autorizojë Ministrinë e Mbrojtjes për të përdorur një procedurë sipas varianteve, por nuk është KM që cakton kompanitë siç ishte parashikuar në projekt-vendimin që nuk u miratua.

Takimi Pinari-Henry
Në datë 27 shkurt 2006, i pandehuri Ylli Pinari, ish-drejtor i Ndërmarrjes "Meico" të Ministrisë së Mbrojtjes (MM), ka rënë në kontakt me Patric Henry III, përfaqësues i shoqërisë amerikane "Southern Ammunition Company Inc" (SAC inc). Në kontaktet e realizuara me postë elektronike, telefon dhe takime të drejtpërdrejta në Tiranë, në periudhat 1-4 mars dhe 29 qershor-1 korrik 2006, Patric Henry III i ka shfaqur interes të pandehurit Ylli Pinari për blerjen e municioneve me gëzhojë tunxhi që dispononte ushtria shqiptare dhe që nuk ishin pjesë e armatimit të saj, duke kërkuar fillimisht blerjen për çmontimin dhe çmilitarizimin e tyre në SHBA. Në memon nr.1232/523, datë 05.07.2006, "Propozim për demontim industrial municionesh" drejtuar të pandehurit Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, i pandehuri Ylli Pinari e ka vënë në dijeni për interesin e kompanisë "SAC inc" për blerjen e municioneve me gëzhojë tunxhi për montimin dhe çmilitarizimin e tyre. Për këtë kërkesë, në periudhën korrik-dhjetor 2006, i pandehuri Fatmir Mediu nuk ka shfaqur asnjë interesim apo qëndrim aktiv, deri në përfshirjen e të pandehurit Mihal Delijorgji në këtë aferë. Në fillim të dhjetorit 2006, i pandehuri Ylli Pinari i ka sugjeruar Patric Henry III domosdoshmërinë e kryerjes së procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve në Shqipëri dhe përfshirjen në këtë proces të të pandehurit Mihal Delijorgji, si dhe e ka orientuar për të realizuar një takim të drejtpërdrejtë me të pandehurin Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, meqenëse deri në atë kohë kërkesat e tij nuk ishin vënë në lëvizje nga ky i fundit. Për të përmbushur këto kërkesa dhe për formalizimin e tyre, Patric Henry III, në periudhën 18-21 dhjetor 2006, ka ardhur dhe qëndruar në Tiranë. Nën ndikimin dhe ndërmjetësimin e të pandehurit Ylli Pinari është njohur dhe është lidhur me të pandehurin Mihal Delijorgji, me të cilin ka rënë dakord për përqindjet e aksioneve dhe fitimeve në këtë proces, si dhe ka formalizuar krijimin e shoqërisë "Albademil shpk", me bashkortakë Mihal Delijorgji me 67 për qind të aksioneve dhe Patric Henry III me 33 për qind të aksioneve. Gjithashtu, më datë 27.12.2006, Patric Henry III, nëpërmjet një faksi në gjuhën angleze i ka dërguar një kërkesë të pandehurit Fatmir Mediu. Këtë kërkesë e ka përgatitur i pandehuri Ylli Pinari, në emër të Patric Henry III, i cili pasi e ka firmosur, ia ka dërguar me faks të pandehurit Mediu. Me këtë kërkesë formale të Patric Henry III, i pandehuri Fatmir Mediu ka marrë garancinë se aktiviteti i shitjes për çmontim dhe çmilitarizim do të kryhej për llogari të shoqërisë "Albademil shpk". Me marrjen e kërkesës, i pandehuri Fatmir Mediu ka shfaqur interesim të madh dhe veprimi i tij ka qenë i menjëhershëm, duke filluar një proces përgatitjeje me procedura të përshpejtuara, që synonte realizimin e projektit të ofruar nga Patric Henry III, përfaqësues i kompanisë amerikane "SAC inc", por që në fakt ky projekt do të realizohej nga shoqëria "Albademil shpk". Këto fakte dhe tërësia e fakteve të tjera në vijim të kësaj kërkese për gjykim, qartësojnë veprimet e kundraligjshme, inicimin me qëllim të posaçëm kriminal dhe me dashjen e këtyre të pandehurve Fatmir Mediu, Ardian Mullahi, Ylli Pinari dhe Shkëlzen Madani, për realizimin e shitblerjes së municioneve për çmontim dhe çmilitarizim në interes të përfitimeve të padrejta të shoqërisë "Albademil shpk", duke përdorur kompaninë amerikane "SAC inc" si koperturë në këtë proces.

Mediu favorizoi Delijorgjin
I pandehuri Fatmir Mediu, për të realizuar synimet e tij kriminale në interes të përfitimeve të padrejta të shoqërisë "Albademil shpk", nëpërmjet shoqërisë amerikane "SAC inc", ka iniciuar hartimin dhe ka miratuar disa akte nënligjore. Ai ka iniciuar një projekt-vendim të Këshillit të Ministrave dhe ka miratuar projekt-urdhra, të cilët kanë orientuar dhe urdhëruar realizimin e procesit të shitjes së municioneve për çmontim dhe çmilitarizim në përmbushje të kërkesës/ofertës të përmendur më sipër, kërkesë/ofertë e cila është përgatitur nga i pandehuri Ylli Pinari, bashkëpunëtor i ngushtë dhe i afërt i tij. Në përgatitjen e projekt-vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe projekt-urdhrave të tij, i pandehuri Fatmir Mediu ka bashkëpunuar me një pjesë të stafit të ngushtë/afërt të tij, të pandehurin Ardian Mullahi, ish-sekretar i Përgjithshëm i MM; Shkëlzen Madani, ish-drejtor i DMIBM-së; Ylli Pinari, ish-drejtor i "Meico"-s; Dashnor Çaushi, ish-drejtor i Drejtorisë së Logjistikës në SHPFA; Armand Tartari, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit, Programimit, Buxhetimit në MM; si dhe në bashkëfajësi me të pandehurit Ndue Marku, ish-drejtor i DHLMK; Luan Hoxha, ish-shef i SHPFA; Agim Lala, ish-zv/shef i SHPFA; Hilmi Llacaj; ish-shef i Armatim-Municioneve në Drejtorinë e Logjistikës në SHPFA. Në këtë proces administrativ, i pandehuri Fatmir Mediu ka miratuar disa projekt-urdhra, duke shmangur përfshirjen e strukturave dhe hallkave të domosdoshme që duhet të ishin pjesë e hartimit të tyre.

Të pandehurit e Gërdecit shmangën Kuvendin

Të pandehurit në bashkëpunim, për të shmangur pengesat e mundshme në fillimin e realizimit të procesit të shitjes së municioneve për çmontim dhe çmilitarizim për shoqërinë "SAC inc", për llogari të shoqërisë "Albademil sh.p.k.", kanë shmangur përfshirjen në formulimin e këtij urdhri, të Drejtorisë së Harmonizimit të Legjislacionit dhe Marrëdhënieve me Kuvendin. Gjithashtu kanë shmangur strukturat përkatëse të Shtabit të Përgjithshëm, pjesëmarrja e të cilave ka qenë e domosdoshme në hartimin e këtij akti administrativ, për shkak të natyrës së aktit dhe strukturave të ngarkuara për zbatimin e tij.
Prokuroria, në kërkesën për gjykim, thotë se të pandehurit Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, Ardian Mullahi, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, ish-drejtor i DMIBM në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes MEICO, në bashkëpunim në këtë veprimtari kriminale, për t‘i siguruar përfitime të padrejta materiale shoqërisë "Albademil sh.p.k.", nëpërmjet shoqërisë amerikane "SAC inc", secili në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre, kanë kontribuar në përgatitjen dhe firmosjen nga i pandehuri Mediu të urdhrit nr. 550, datë
25.4.2007, "Për zbatimin e vendimit nr. 138, datë 14.3.2007 të Këshillit të Ministrave ‘Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi‘ për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni", duke kryer veprime dhe mosveprime në shkelje të akteve ligjore e nënligjore, si më poshtë: Caktimi i shoqërisë së huaj "SAC inc" dhe urdhërimi i ndërmarrjes MEICO për realizimin e procedurës së shitjes së municioneve me gëzhojë tunxhi, të kalibrave 7.62 mm-14.5 mm, për çmontim dhe çmilitarizim brenda vendit me këtë shoqëri është kryer pa pasur procedurë të përcaktuar në vendimin e KM, nr. 138, datë 14.3.2007 dhe pa kryer procedurë ligjore për të përzgjedhur shoqërinë "SAC inc" si subjektin që do t‘i shitej municioni për çmontim dhe çmilitarizim. Ky urdhërim është kryer në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të ratifikuar me ligjin nr. 9590, datë 27.7.2006 "Për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit" ndërmjet R.SH dhe Komuniteteve Evropiane dhe shteteve të tyre anëtare.
Këto veprime dhe mosveprime, të kryera nga të pandehurit në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre, kanë sjellë si pasojë dëmtimin e interesave materiale të shtetit në vleftë 4425 USD (408870 lekë), shumë e cila përfaqëson mospagimin e detyrimeve tatimore prej shoqërisë "SAC inc", si dhe ka sjellë përfitim të padrejtë material të kësaj shoqërie në po këtë shumë. Gjithashtu, kanë sjellë dëmtimin e interesave të ligjshme të shtetit, në marrëdhëniet e tij me biznesin, në një shoqëri të ekonomisë së tregut të lirë, si dhe kanë sjellë përfitime të padrejta jomateriale për shoqërinë "SAC inc" dhe "Albademil sh.p.k.", të cilat në mënyrë të padrejtë, kanë përfituar të drejtën e blerjes së municioneve për çmontim dhe çmilitarizimin e tyre. Urdhërimi për lidhjen e kontratës së shitjes së municioneve për çmontimin dhe çmilitarizim në ish-brigadën e tankeve në Gërdec, në mungesë të lejes mjedisore të shoqërisë "SAC inc", duke favorizuar atë dhe shoqërinë "Albademil sh.p.k.", në mënyrë të padrejtë, është kryer në shkelje të akteve ligjore. Ky veprim, i kryer nga të pandehurit në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre, ka sjellë si pasojë përfitimin e padrejtë jomaterial të shoqërisë "SAC inc" dhe shoqërisë "Albademil sh.p.k.", për shkak të dhënies së kundërligjshme të së drejtës për blerjen e municioneve dhe realizimin e aktivitetit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit, në mungesë të verifikimit të ndikimit në mjedis të këtij aktiviteti, pra në mungesë të lejes mjedisore. Urdhërimi për lidhjen e kontratës me shoqërinë "SAC inc", pa pasur asnjë dokument që të vërtetonte përvojën dhe llojin e teknologjisë së kësaj shoqërie dhe të shoqërisë "Albademil sh.p.k." në fushën e armatimit të municioneve dhe të çmontimit e çmilitarizimit të tyre, si dhe përvojën në këtë fushë të shoqërisë shqiptare për kryerjen e këtij procesi. Gjithashtu, ky urdhërim është kryer pa pasur asnjë dokument për të verifikuar dhe vlerësuar respektimin e masave të sigurisë gjatë procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve që do të kryhej nga kjo shoqëri.
Urdhërimi i ndërmarrjes MEICO, që të realizonte procedurën e shitjes së municionit për çmontimin dhe çmilitarizimin në Gërdec dhe për të lidhur kontratë me shoqërinë "SAC inc", në mungesë të certifikatës së konformitetit, e cila do të siguronte realizimin e procesit të demontimit sipas standardeve, është kryer në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore. Urdhërimi për të realizuar procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit në ish-brigadën e tankeve në Gërdec, pa u bërë më parë licencimi i këtij vendi, ku do të shkarkoheshin dhe magazinoheshin municione, ku do të kryhej procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të tyre dhe ku do të depozitoheshin nënproduktet e rrezikshme të dala nga ky proces, është kryer pa u verifikuar dhe vlerësuar nga strukturat e specializuara të Shtabit të Përgjithshëm të FA. Kjo, sepse strukturat e FA-së, në komentet e bëra lidhur me kërkesën e shoqërisë "SAC inc", që kishte sugjeruar paraprakisht Bërzhitën si vend të mundshëm për të realizuar procesin e demontimit, në memon datë 28.12.2007, me subjekt "Dhënie mendimi lidhur me ofertën e paraqitur nga ‘SAC inc‘ për asgjësim municioni", që Drejtoria e Logjistikës, nëpërmjet Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, i ka dërguar të pandehurit Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, shkresa ku i është bërë e ditur se "....Rajoni i Bërzhitës është i papërshtatshëm, si për depozitim ashtu dhe për asgjësim municioni. Ky rajon është i palicencuar për depozitim dhe demontim municionesh, është pranë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan dhe qendrave të banuara".
Mosparashikimi në këtë urdhër të mbikëqyrjes dhe sigurisë ushtarake të strukturave të Forcave të Armatosura, të procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, si dhe regjistrimin prej tyre të të dhënave për regjimin, lëvizjen dhe sasinë e municioneve të çmontuara dhe çmilitarizuara, si dhe të nënprodukteve të dala nga ky proces, është kryer në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore.
Të pandehurit nuk kanë parashikuar përballimin e shpenzimeve të transportit, me të njëjtin mendim kriminal të fokusuar dhe nga Komisioni i Miratimit të Çmimeve, me synim për të realizuar përfitime të padrejta materiale nga shoqëria "Albademil sh.p.k.", nëpërmjet shoqërisë "SAC inc", në përmbushje të ofertës që siç kemi parashtruar më lartë në këtë kërkesë për gjykim, provohet se është përgatitur nga i pandehuri Ylli Pinari. Të pandehurit nuk kanë parashikuar urdhërimin për përballimin e shpenzimeve të transportit që do të kryhej nga strukturat ushtarake, me synim për t‘i siguruar përfitime të padrejta materiale shoqërisë "Albademil sh.p.k.", nëpërmjet shoqërisë "SAC inc", duke lejuar që këto shpenzime të përballoheshin nga buxheti i shtetit. Të akuzuarit kanë urdhëruar Komandën Mbështetëse, në pikën 1 të këtij urdhri, për të dërguar në ndërmarrjen MEICO municione të këtyre kalibrave, pa pasur vendim të Komisionit të Posaçëm të Kategorizimit, si dhe pa specifikuar të dhënat e kompletimit (partia, viti, uzina), sasitë dhe pa specifikime të tjera për secilin kalibër, elementë këto të domosdoshëm për të bërë të kuptueshëm dhe të zbatueshëm këtë urdhërim. Ata kanë urdhëruar shitjen e municioneve të këtyre kalibrave, pa pasur vendim të Komisionit të Miratimit të Çmimeve, duke shkelur aktet nënligjore, nuk kanë parashikuar në këtë urdhërimin përballimin e shpenzimeve të transportit të municioneve që do të kryheshin nga Komanda Mbështetëse, duke shmangur shoqërinë "Albademil sh.p.k.", nëpërmjet shoqërisë "SAC inc" nga përballimi i këtyre shpenzimeve, si dhe kanë lejuar që këto shpenzime të përballoheshin nga buxheti i shtetit.

Akuza ka dërguar në Gjykatën e Lartë edhe informacione të klasifikuara

Provat e prokurorisë, nga faksi i
Bumçit te ligji i Hajdaragës

Në kuadër të dosjes "Gërdeci", Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar në Gjykatën e Lartë edhe provat ku sigurohet objekti i veprës penale. Në dosje është një fax drejtuar zotit Fatmir Mediu, ministër i Mbrojtjes. Faksi është dërguar nga Ministria e Drejtësisë dhe është firmosur nga ministri Aldo Bumçi. Faksi përbëhet nga një fletë. Mbas fletës nuk ka shënime. Një tjetër faks me numër x është dërguar nga Ministria e Drejtësisë dhe është firmosur nga ministri e Drejtësisë, Aldo Bumçi me lëndën "Mendim për një projektvendim" drejtuar zotit Fatmir Mediu, ministër i Mbrojtjes. Ky faks mban numrin e protokolli 1594/1, më datë 9.3.2007.
Ndërkohë prokuroria ka mbajtur një procesverbal për marrjen e dokumentit shkresor, urdhri nr. 326, datë 11.5.2000 "Për licencimin e depove të municionit sipas standardeve të NATO-s, nënshkruar nga ish ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, së bashku me lidhjen nr. 1 dhe nr. 2, si pjesë përbërëse e këtij urdhri.
Në Gjykatën e Lartë, kanë shkuar edhe protokolli i korrespondencës së informacionit të klasifikuar i vitit 2007 dhe 2008, si dhe regjistri i qarkullimit të brendshëm i informacionit të klasifikuar të viteve 2007 dhe 2008. Gjithashtu është dorëzuar një procesverbal këqyrjeje i librit të dorëzimit të marrjes dhe dorëzimit të shërbimit në qendrën e ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes për faksin drejtuar ministrit Fatmir Mediu, ardhur nga Ministria e Drejtësisë. Si provë janë dërguar edhe tri dosje me ngjyrë jeshile me mbishkrimin "Rregullat e sigurimit teknik", ku brenda të cilave ndodhen disa dyfletëshe A4, të shkruara me kompjuter dhe disa fletë formati A4, të cilat janë të plotësuara deri në gjysmë dhe aty ka të shkruara emra personash. Provë materiale janë edhe 26 akte ekspertimi mjekoligjor për personat e vrarë, 27 akte ekspertimi mjekoligjor për personat e plagosur rëndë, 110 akte ekspertimi mjekoligjor për personat me dëmtime të lehta, 69 akte ekspertimi mjekoligjor për personat me dëmtime të tjera, 61 akte ekspertimi mjekoligjor për personat me dëmtime të papërcaktuara, akt ekspertimi i specialistëve amerikanë, për shkakun e shpërthimit dhe të vendit të ngjarjes, akt ekspertimi ekonomiko-financiar, akt ekspertimi tekniko-ushtarak dhe akt ekspertimi teknik-barutesh.
Ndërkohë prokuroria thotë se janë nisur në SHBA dy letër-porosi, nga ku është kthyer përgjigje për njërën prej tyre, e cila është protokolluar nga Drejtoria e Hetimit.

Mashtrimet e Pinarit e Madanit

Me synim për të siguruar përfitime të padrejta jomateriale, nëpërmjet shmangies nga pjesëmarrja në përzgjedhje për shitjen e municioneve për demontim, të ndërmarrjeve me profil ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes dhe favorizimit të padrejtë të shoqërisë "Albademil sh.p.k", nëpërmjet shoqërisë amerikane "SAC inc", si dhe me synim sigurimin e përfitimeve të padrejta materiale të këtyre shoqërive për caktimin e çmimeve të shitjes së municioneve sipas kërkesës së "SAC inc", kërkesë e formuluar nga i pandehuri Ylli Pinari në bashkëpunim me të pandehurin Mihal Delijorgji, janë kryer veprimet e kundërligjshme si më poshtë: 1. I pandehuri Ylli Pinari, në cilësinë e ish-drejtorit të MEICO-s, ka krijuar si dokument shkresën nr. 1181, datë 15.11.2007 në kompjuterin e tij dhe ka nxitur të pandehurin Lavdi Shatro, ish-drejtor i kombinatit mekanik Poliçan, për të firmosur, vulosur dhe dërguar në Komisionin e Miratimit të Çmimeve, shkresën nr. 1181, datë 15.11.2007, me të dhëna që diheshin se ishin të rreme, duke pasqyruar në përmbajtjen e kësaj shkrese, pamundësinë e demontimit të municioneve shtimjeve të kalibrave 20 mm - 152 mm, nga kjo uzinë, ndonëse ajo kishte kapacitetet e duhura dhe kishte realizuar dhe eksperimentuar demontimin e disa nga kalibrat e këtyre municioneve.
Gjithashtu, i pandehuri Shkëlzen Madani, ish-drejtor i DMIBM në MM, e cila kishte në varësi ndërmarrjet me profil ushtarak, ka nxitur dhe ndihmuar të pandehurin Fiqiret Mato, drejtor i uzinës mekanike Gramsh, të përpilojë dhe të dërgojë në Komisionin e Miratimit të Çmimeve, shkresën nr. 179/1, datë 15.11.2007, me të dhëna që diheshin se ishin të rreme, duke pasqyruar në përmbajtjen e kësaj shkrese, pamundësinë e demontimit të municioneve/shtimjeve të kalibrave 20 mm - 152 mm, nga kjo uzinë, ndonëse ajo kishte kapacitetet e duhura dhe kishte realizuar dhe eksperimentuar demontimin e disa prej kalibrave të këtyre municioneve.

Faksi i Patric Henry-t për MEICO-n

Më datë 1 shtator 2007, Patric Henry III, i ka dërguar një kërkesë me faks të pandehurve Ardian Mullahi ish-sekretar i përgjithshëm dhe Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s. Këtë kërkesë, ashtu si faksin e datës 27.12.2007 drejtuar të pandehurit Fatmir Mediu, e ka përgatitur i pandehuri Ylli Pinari në emër të Patric Henry III, i cili pasi e ka firmosur, për ta formalizuar, ia ka ridërguar me faks të pandehurve Mullahi dhe Pinari. Këtë kërkesë Patric Henry III e ka ridërguar me kërkesë të pandehurit Mihal Delijorgji, për llogari të shoqërisë "Albademil sh.p.k", sepse ai nuk kishte kapacitete teknologjike, njohuritë dhe përvojën për të realizuar aktivitetin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të kalibrave të mëdhenj. Ky fakt dhe faktet në vijim, qartësojnë thellimin e veprimtarisë së kundërligjshme, inicimin me qëllim të posaçëm kriminal dhe dashjen e këtyre të pandehurve Fatmir Mediu, Ardian Mullahi, Ylli Pinari dhe Shkëlzen Madani, për realizimin e shitblerjes së municioneve/shtimjeve për çmontim dhe çmilitarizim në interes të përfitimeve të padrejta të shoqërisë "Albademil sh.p.k", duke përdorur përsëri kompaninë amerikane "SAC inc" si koperturë në këtë proces. Kërkesa/faksi i datës 1.09.2007, i formuluar nga i pandehuri Ylli Pinari, në interes të të pandehurit Mihal Delijorgji, paraqet disa elementë me interes, siç janë: së pari, evidentohet se municionet që ishin demontuar deri në atë kohë ishin të kalibrit të vogël. Së dyti, kërkohej realizimi i një projekti të ri, për demilitarizim të municioneve me gëzhojë tunxhi të kalibrave të tjerë 20-152mm, duke përdorë makineri që i ndajnë mekanikisht municionet. Së treti, evidentohej realizimi rreth 50 për qind i kontratës për kalibrat e vegjël, duke e përdor këtë fakt si argument për të justifikuar pranimin e kësaj kërkese. Së katërti, prezanton se zotëron teknologji për demilitarizimin e eksplozivit nga predhat, si procesi më i rrezikshëm. Së pesti, kërkohej që realizimi i këtij projekti të vazhdonte në Gërdec.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›