E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Berisha nuk mund t’u thotë qytetarëve “Aleanca e plehut”

Presidenti reagon pas rrëzimit nga mazhoranca të dekretit për importin e mbetjeve.

“Nuk ka gjë më të mirë për sherrxhinjtë që ta mbulojnë një çështje shumë të rëndësishme vetëm me terminologji banale, ku askush të mos kuptojë asgjë se për çfarë diskutohet”.

Presidenti i Republikës ndjehet i keqardhur nga vendimi i Kuvendit për të rrëzuar dekretin e tij për ligjin e mbetjeve. Duke shfrytëzuar një takim me nxënës të shkollave të Tiranës, Kukësit dhe Vlorës, në prani edhe të ambasadorit të OSBE-së, Eugen Wollfarth, kreu i shtetit duke iu përgjigjur interesit të të rinjve ka folur edhe për seancën e fundit të parlamentit, ku u rrëzuan dy dekretet e tij, ai për ligjin e mbetjeve dhe ai për emërimin e kreut të ri të KLSH-së. Dhe duke u ndalur pikërisht tek ligji i shumëdebatuar kohët e fundit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ka theksuar se Kuvendi diskutoi politikisht dhe jo teknikisht për arsyet për të cilat ai e kishte kthyer atë për ridiskutim. “Ju jeni mësuar që të dëgjoni debate, të shikoni debate të ashpra, por për fat të keq nuk jeni mësuar që të merreni pikërisht me vërejtjen që bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, kur është kthyer për t’u diskutuar në parlament. Unë gjatë kësaj periudhe kam ndjekur sikurse dhe ju të gjithë shqetësimin qytetar, por kam parë që debatet janë bërë në një plan tjetër, në plan politik. Dhe natyrisht, unë kam keqardhje si President, por keqardhjen më të madhe e kam si qytetar, sepse para se debatet të jenë politike, me shprehje të cilat ne jemi mësuar që t’i dëgjojmë, me shprehje të përgjithshme, shprehje konfliktuale, dhe vështirë që shkohet tek argumenti”, - tha presidenti Topi në përgjigje të një pyetjeje të bërë nga nxënësit në këtë takim. Më tej ai ka theksuar se qytetarët duan të dëgjojnë më shumë objektivitet dhe më pak retorikë nga politika dhe aq më shumë nga parlamenti, i cili vendos për mënyrën sesi do të qeverisen dhe mbi të cilat ligje do të veprojnë dhe organizojnë jetën e tyre në këtë vend. Gjë që sipas tij nuk u pa as në seancën e fundit, pavarësisht se bëhej fjalë për një ligj, nga i cili sipas kreut të shtetit mund të preken gjithë qytetarët. “Është shumë e rëndësishme që politika, në radhë të parë politika në parlament t’i japë përgjigje një çështjeje që nuk është më e tyre, por është e qytetarëve. Dhe t’i japë përgjigje mbi bazën e argumenteve, t’u largohen sharjeve, sepse nuk ka gjë më të mirë për sherrxhinjtë që ta mbulojnë një çështje shumë të rëndësishme vetëm me terminologji banale, ku askush të mos kuptojë asgjë se për çfarë diskutohet. Sot, një arsye e ftohtë, një arsye e fortë duhet të jetë ajo që duhet të mbizotërojë. Pra, njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë arsyen reale: Pse nuk merret në shqyrtim një objeksion kushtetues i Presidentit, i cili nuk është më thjesht shqetësim i Presidentit, por është një shqetësim mbarë qytetar?” - u shpreh Topi. Presidenti është ndalur në përgjigjen e vet edhe në akuzat që u janë bërë së fundmi disa intelektualëve të organizuar në “Aleancën Qytetare” kundër importit të plehrave. Ai i ka konsideruar si të pamerituara etiketimet që iu bënë kësaj aleance nga drejtuesit e mazhorancës gjatë diskutimeve në parlament dhe jo vetëm. “Jeni mësuar të dëgjoni edhe fyerje publike për qytetarët, duke u adresuar atyre dhe emërtime të padenja. Nuk mund t’i thuhet qytetarit ‘Aleanca e plehut’ apo ‘e plehrave’. Në mënyrë absolute, jo! Qytetarët janë mësuar gjithmonë të demonstrojnë qytetari, dhe nëse kanë solidaritet midis tyre, solidariteti qytetar nuk mund të jetë solidariteti i plehut, por çdo rrethanë për solidaritet dhe aleancë kundër plehut, në mënyrë që në Shqipëri të ketë gjithmonë një mjedis të shëndetshëm, një mjedis, i cili patjetër duhet të bëhet i shëndetshëm nga qytetarët dhe nga politika. E kanë detyrim institucionet”, - tha Topi. Në këtë prizëm ai ka evidentuar se filozofia e ruajtjes së mjedisit dhe natyrës është ajo që përfaqësojnë qytetarët, ndërsa filozofia e përfituesve nga mjedisi është filozofia e pakicës. “Kjo është aleanca e qytetarëve, të cilët janë të ndjeshëm, ndërsa filozofia e përfituesve është filozofia e pak njerëzve. Shoqëria duhet patjetër të vendosë ekuilibra midis shfrytëzimit të natyrës dhe përfitimit nga natyra. Kjo është arsyeja që kur motivohet për t’u kthyer një ligj, ky ligj motivohet nga të gjitha pikëpamjet, së pari për përputhjen kushtetuese, por së dyti, për të gjithë atë dimension që Presidenti si institucion duhet ta ketë shumë në konsideratë, sepse është një institucion që iu takon të gjithëve, nuk i takon thjesht një partie”, - u shpreh Topi.

f.b

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›