Rama: Kemi hapur derën për plehrat e komshinjve
Lidhur me vendimin e Kuvendit, me anë të të cilit u rrëzua dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ka reaguar sërish edhe kreu i socialistëve, Edi Rama. Duke folur në faqen e tij në ‘Twitter’, kryetari i Partisë Socialiste tha se me ligjin e lënë në fuqi nga Kuvendi me anë të vendimit për rrëzimin e dekretit të Presidentit, është krijuar mundësia që Shqipëria të hapë dyert për të mbledhur plehrat e shteteve të tjera. Sot Shqipëria është si një shtëpi që ka hapur derën për të mbledhur plehrat e komshinjve. Nesër do jetë shumë vonë!”, - shprehet Rama në një mesazh të lënë në ‘Twitter’. Socialistët mbështetën argumentimin e dhënë nga Presidenti në dekretin e tij, se neni 49 i ligjit lejon importin e mbetjeve nga vendet e tjera, duke krijuar kështu mundësinë potenciale për ta kthyer Shqipërinë në një hambar plehrash. Një pretendim i tillë u kundërshtua nga mazhoranca, e cila vlerësoi se një nen i tillë ka qenë dhe në ligjin e miratuar më parë nga socialistët, por duke evidentuar se tashmë lista e mbetjeve të lejueshme për t’u importuar është shkurtuar nga 434 në 55.