Sanader propozon Kosovën dhe Bosnjën në NATO
Kryeministri kroat Ivo Sanader ka përkrahur anëtarësimin e Bosnje- Hercegovinës dhe Kosovës në NATO, ashtu si Shqipëria e Kroacia. Gjatë fjalës së tij, në ceremoninë zyrtare të organizuar në selinë e NATO- s, në Bruksel për ngritjen e flamurit shqiptar dhe atij kroat përkrah 26 vendeve të tjera anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, kreu i qeverisë kroate e ka cilësuar hyrjen e vendit të tij në këtë aleancë realizimin e një objektivi strategjik, të Zagrebit që prej pavarësisë së Kroacisë në vitin 1991.
"Bosnjë-Hercegovina ka të drejtë gjithashtu për një të ardhme atlantike. Po kështu edhe Kosova, të cilën Kroacia e mbështet plotësisht, ka theksuar ai. Ndër të tjera, Sanader tha se shpresonte edhe në suksesin e Maqedonisë, anëtarësimi i së cilës duhej të ishte festuar në të njëjtën kohë me atë të Shqipërisë dhe Kroacisë, por që prej një viti është bllokuar nga Greqia për shkak të mosmarrëveshjes lidhur me emrin e saj.