Harasani nuk jep dorëheqjen nga drejtor i KESH

28/04/2005 Drejtori i KESH–it, Andis Harasani, ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen nga pozicioni i drejtorit të KESH–it, edhe pse në rrethet politike është kërkuar e kundërta. “Këtë vendim e argumentoj me faktin se, dorëheqja nuk është e kërkuar nga Kodi Zgjedhor, i cili përcakton qartë rastet e papajtueshmërisë”, ka deklaruar Harasani në një deklaratë për shtyp. Drejtori i KESH-it ka sqaruar se pozicioni i tij nuk bie ndesh me ligjin dhe Kodin Zgjedhor, dhe se atij i lejohet të jetë njëkohësisht kandidat për deputet dhe drejtor i Korporatës. “Nuk mund të kandidojnë pa hequr dorë nga detyra: gjyqtarët, prokurorët, ushtarakët e shërbimit aktiv, punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar, përfaqësuesit diplomatikë, kryetarët e bashkive dhe komunave, prefektët në vendet ku kryejnë detyrat, kryetarët dhe anëtarët e komisioneve zgjedhore, Presidenti”, ka cituar Harasani ligjin, i cili e bën “të pafajshëm” dhe i lejon të vazhdojë lirisht kandidimin. Për disa politikanë, qëndrimi në karrigen e drejtorit, ndërsa është duke kandiduar për deputet, është konfikt i pastërt interesash dhe për këtë Harasani duhet të japë dorëheqjen. “Siç mund të konstatohet lehtë, qëndrimi im në krye të Korporatës dhe kandidimi nuk bien ndesh me ligjin, ashtu siç ndodhte me të qenit tim anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku dhashë me korrektesë dorëheqjen”, ka sqaruar Harasani. Kështu, drejtori i KESH–it do të vazhdojë normalisht punën, duke i kujtuar, madje, se gjatë dy muajve në vazhdim do të ketë një ngarkesë pune jo të zakonshme, por është i bindur se do ta përballojë nisur nga mbështetja e gjerë që i kanë dhënë banorët e zonës nr.36 ku kandidon, ndërkohë që punët e Korporatës duket se janë në vijë të mbarë.