E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tregje të liberalizuara, biznesi shqiptar akoma hezitues

28/04/2005  Investitorët shprehin frikën e angazhimit në marrëveshjet rajonale

Som: Mbi 50 për qind e importeve nga rajoni hyjnë me tarifa 2 për qind nga 7.5 për qind që është mesatarja e tarifave doganore, ndërkohë që 70 për qind e eksporteve shqiptare janë produkte të përpunuara

Biznesi shqiptar ka po aq frikë sa dhe bizneset në Evropën Juglindore nga integrimi në BE, dhe qeverisë do t’i duhet të zbatojë politika mbështetëse në të gjitha hapat që hedh për hapjen e tregjeve. Takimet biznes-qeveri në Forumin Ekonomik, kanë shërbyer për të prekur një tjetër temë të debatueshmne kohët e fundit. Ulja e tarifave për produktet që vijnë nga fqinjët dhe ashpërsimi i konkurrencës në tregjet rajonale, kanë bërë që bizneset të ndodhen të kërcënuara. “Ne nuk jemi kundër integrimit në BE, por kemi shprehur rezervat tona në lidhje me këtë hap, pasi duam që kjo të shoqërohet me një paketë të plotë ekonomike”, ka thënë gjatë fjalës së tij Luan Bregasi, kryetar i Dhomës së Tregtisë. Duket se Bregasi është mbështetur në fjalën e tij dhe nga drejtori i ACIT, Selim Belortaja, i cili ka kujtuar se deficiti tregtar në Shqipëri është akoma i frikshëm dhe eksporte në Shqipëri përbëhen në 70 për qind të rasteve nga përpunime të lëndëve të para që vijnë nga jashtë. “Debati për hapjen e tregjeve vazhdon të jetë i hapur dhe duket se do të jetë pa fund për të përcaktuar balancën e drejtë mes përfitimeve dhe anëve negative”, ka deklaruar gjatë fjalës së tij, Selim Belortaja. Kështu duket se, ndërsa tregjet kanë filluar të jenë “free” nga taksat, biznesi shqiptar nuk po reagon siç duhet, për sa i takon konkurrueshmërisë së produkteve të tij në treg, duke pësuar humbje të dyanshme. Nga njëra anë duhet të ndajë tregun vendës me prodhimet që vijnë me kosto më të ulët dhe cilësi më të lartë dhe nga ana tjetër nuk është në gjendje të konkurrojë siç duhet me cilësi e marketing në tregjet rajonale. Kështu, sipas të dhënave të ACIT, doganat shqiptare i kalojnë produktet që kanë një sistem tarifor në nivelin e 2 përqindëshit, edhe pse mesatarja e nivelit të tarifave në Shqipëri është 7.2 për qind. “Ky proces sa vjen dhe synon të ulë sistemin tarifor për ta çuar drejt zeros”, kujton Belortaja, duke e lidhur këtë proces me riskun e lartë që ka biznesi vendës në rast se nuk adopton nivelin e vet të prodhimit me atë të tregjeve rajonale. Por duket se në kundërshtim me mendimin e specialistëve dhe të bizneseve, ministri i Ekonomisë, Angjeli, kujton se janë bërë hapa të mjaftueshëm për të mbrojtur prodhimin vendës, sidomos atë që ka zënë vend në mënyrë të suksesshme në treg dhe janë duke u marrë të gjitha masat që të reduktohen në maksimum barrierat administrative. Lidhur me këtë fakt, kreu i ACIT, Selim Belortaja, mendon se pas studimeve të hollësishme agjencia që ai drejton kanë arritur në përfundimin se biznese shqiptare vazhdojnë të kenë të njëjtat probleme. “Shkaqet e nivelit të ulët të eksporteve janë te niveli i ulët i konkurrueshmërisë dhe barrierat administrative”, tha gjatë prezantimit Selim Belortaja.

Angjeli, negociatat me BE kanë mbrojtur prodhuesit vendës

Z.Angjeli, biznesi nuk ngurron të shprehë hapur dyshimet në lidhje me pasojat që do vijnë nga integrimi, si mund t’i qetësoni ju ata?

E para gjë që kemi bërë është se ne kemi negociuar fort me BE-në, për të mbrojtur një kategori prodhimi që rezulton i suksesshëm nga tarifat e ulëta dhe ia kemi dalë me sukses. Duhet t’ju them se të negociosh me BE-në në terma të tilla, ishte si të thyeje hekurin, por ne mundëm të fitojmë kohë deri në reduktimin e tarifave për shumë produkte që sot prodhohen në vend dhe kanë një pozicion të mirë në treg. Sot, përfaqësuesit e këtyre sektorëve prodhues janë më të qetë në këtë drejtim, pasi e dinë se kanë gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për të forcuar pozitat e tyre, por dhe për t’u përgatitur për tregjet e hapur rajonalë.

Po në lidhje me eksportet, çfarë masash konkrete keni marrë për t’i ndihmuar ato të rriten?

Fitorja në negociatat me BE-në na ka obliguar të bëjmë maksimumin në hartimin e politikave efikase, që ndihmojnë eksportin. Kështu mund të thuhet se hapja e një agjencie për eksportin ka patur efektin e vet, pasi atje të gjithë biznesmenët mund të gjejnë materialin e nevojshëm për të gjitha praktikat dhe rrugët që duhen ndjekur për të eksportuar. Ne nga ana jonë kemi vënë në zbatim gjatë vitit të fundit politika lehtësuese fiskale, për sa i takon eksporteve dhe, mbi të gjitha jemi duke i orientuar se si të përgatiten për tregjet. Të gjitha këto janë bërë në harkun kohor të një viti e gjysmë dhe jo se kam qenë unë apo kushdo qoftë, por se ka ardhur momenti për t’u hedhur këto hapa.

Eshtë ndier te biznesi vëmendja juaj për t’i ndihmuar?

Duhet thënë se në fillim ishin të trembur sikur çfarë do të ndodhte. Por ato që u përgatitën mirë dhe filluan të ndryshojnë konceptimin e prodhimit të marketingut të reklamës e gjithçka, kuptuan se ka një botë pa fund ku mund të shesin dhe që sjell përfitime të mëdha për ta. Kështu ka ndodhur me “Birra Tirana”, që sot shitet dhe në Amerikë, apo me produkte të tjera që shiten në tregjet e BE-së. Janë pikërisht këto investime që kanë kuptuar se ky proces ka anët e veta të mira dhe po i shfrytëzojnë ato.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›