E Hënë, 2 Nëntor 2026

Harasani pranon kandidimin për PS

21/02/2005  "I takon strukturave socialiste të vendosin për degën ku do të konkuroj"

Drejtori i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Andis Harasani, duket se është figura e parë nga shoqëria civile, që ka pranuar kandidimin për deputet në krye të Partisë Socialiste. Në një prononcim të dhënë dje, ai theksoi se kjo forcë e ka ndihmuar në reformat që janë bërë në KESH, ndaj dhe do të jetë pro këtij kandidimi. Harasani thekson se, më e mira do të ishte të kandidonte në një zonë ku socialistët kanë fituar historikisht. Megjithatë, ai pranoi dhe faktin se gjithësecili duhet të provojë forcën në një zonë të lëkundur, për të dhënë kontributin në zgjedhjet parlamentare. Kreu i KESH shprehet se, do tu takojë strukturave socialiste, që të vendosin se në cilën zonë elektorale do të kandidojë ai për zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Megjithatë, duket se Harasani ka hapur i pari rrugën për deklarimin e figurave të tjera të PS-së. Nga ana tjetër, dje Edi Rama ka vijuar turin e tij të takimeve në rrethet e vendit. Gjatë diskutimeve në Burrel, Rama ka theksuar se Shqipëria është duke ecur me hapa tepër të ngadaltë në rrugën drejt integrimit. Duke bërë dhe një krahasim me veteranët e luftës, ai tha se mund të mbetemi veteranët e pritjes, për hyrjen në BE. Ndaj, kreu i Bashkisë së Tiranës, ka kërkuar më shumë bashkëpunim dhe punë nga krerët e Bashkive. Burimet thanë se Rama, do të vijojë dhe gjatë kësaj jave, turin e takimeve me degët socialiste. Kjo, dhe pse një pjesë e socialistëve nuk e kamë mbështetur këtë lëvizje të fundit të kryebashkiakut të Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›