E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të rishikohet ndarja e tokës nga viti 1993

21/02/2005  Rishikimi i vendimeve që kanë dhënë komisionet vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave që nga viti 1993 deri në vitin 2004, është cilësuar si forma më e mirë për uljen e faturës financiare për kthimin dhe kompensimin e pronave, prej kreut të grupit parlamentar të LZHK-së, Maksim Begeja. Sipas tij, në Shqipëri nga viti 1945 deri në vitin 1991, janë hapur mbi 250 mijë ha tokë të reja, prej tharjes së kënateve, etj. "Me llogari i bie që në Shqipëri të jenë mbi 560 mijë ha tokë, që është e mjaftueshme për ti dhënë familjeve që nuk kanë qenë pronare, për tu kthyer tokën ish pronarëve dhe për të mbajtur një fond të veçantë nga shteti", është shprehur Begeja. Por, ai shton se janë vendimet e paligjshme që kanë sjellë uljen e hapësirës së lirë të tokave dhe vetëm nga rishikimi i këtyre vendimeve, do të arrihet në kompensimin real të ish-pronarëve, si dhe në uljen e faturës financiare. Madje, kjo pikë është e vendosur në ligjin e miratuar në 29 korrik të vitit 2004, për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve. E drejta për rishikimin e vendimeve i është dhënë Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Procedura do të nisë menjëherë pasi të ngrihen komisionet vendore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›